Monday 24 December 2012

Kojrillat…dëshmojnë krimin




Kojrillat…dëshmojnë krimin

 

Përsiatje rreth romanit “Kojrillat”
të Fatmir Terziut


Si sot 80 vjet më parë në afërsi të monumentit Cenotaph të Londrës u gjend e vrarë shqiptarja e bukur Zeinep Vlora. Bashkë me vrasjen e saj, erdhi heshtja, udhëtoi edhe një enigmë e madhe ..., sa diplomatike, aq edhe... Heshtja ishte dhe mbetet një mister. Po ku qëndron ky mister? Këtë e zbulon romani jolinear dhe tejet postmodern i shkrimtarit Fatmir Terziu... Nga leximi parë deri tek fleta e tij e fundit e ndjeva të them këto radhë që mbesin edhe një arsye më shumë. Vdekja e vlonjates së bukur ndodhi në prag të Krishtlindjeve të vitit 1932...Zbulimi i Fatmir Terziut e solli atë për herë të parë në vëmendjen e duhur në një roman tejet të veçantë për nga vlera e tij...
***
1-Titulli i këtij romani,  natyrshëm të kujton  poezinë e bukur të  Frederik Shilerit “Kojrillat e Ibikut”. Ose më saktë, mua mu kujtua kjo poezi, ndaj qysh në momentin që e mora librin në dorë, të printuar,  në vënd të një “mirëseardhjeje”  të zakonëshme, e përshëndeta me vargjet e  poezisë së Shilerit;- Të ngjatjetoj tufëz e lirë/ për mua je ogur i mirë…
Dhe unë  ju siguroj  edhe juve që është vërtet një “ogur i mirë” botimi i këtij romani.
1.1-Por, meqënëse dikush mund ta ketë haruar këtë poezi, të përkthyer mjeshtërisht nga  Perikli Jorgoni, me lejoni tju rikujtoj se…Ibiku, një poet e këngëtar, nxitonte për të marë pjesë në një garë  artistësh në Korinth dhe rastësisht, udhëtimin e tij  nëpër male e pyje e shoqëronte edhe fluturimi shtegëtues i një tufe kojrillash. Diku në një pyll i dalin përpara dy grabitës vrasës, por poetit këngëtar, dora që…në kordha harpash ç’i lodronte/ por hark nuk mbajti kursesi  nuk mundi ta shpëtonte nga vdekja tragjike. Miqtë që e prisnin në Korinth dhe që shpresonin që ai të fitonte  kurorën me dafinav, e kërkuan dhe e gjetën të vdekur në pyll. E vajtuan  dhe e mbuluan siç e meritonte dhe më pas shkuan të shohin garën e artistëve. Çuditërisht edhe vrasësit kishin shkuar të  shikonin garën, ku në një moment, në mes të garës, ndërsa në qiellin mbi amfiteatër fluturuan një tufë kojrillash, një nga vrasësit  i thiri shokut të vetë…pa shih, pa shih/kojrillat e Ibikut.. Dhe miqtë pyetën vetën se…Ç’kujtim i ngjallka këtij horri/ kjo tufë që  s’rri në një vëndPoetin , pra e paskan vrarë/ dhe vrasësit na u zbuluan…
U përmënd  emri i poetit këngëtar të vrarë dhe u dëgjua nga miqtë e tij, të cilët pasi  kapën  vrasësit…mbërtheje këtë fjalëshumë/dhe atë që fjalët ju drejtuan…, i shtrënguan në pyetje…në gjykatore skenën kthyen/dhe vrasësit me shpirt acar/çdo krim nga frika e rrëfyen
2-Në qoftë se ka në historinë e shtetit  tonë një fat të dhimbshëm njerëzor, ku në vend të nderimit për kontributin e dhënë, të jetë dhënë si shpërblim mohimi i kontributit dhe ca më keq, dënimin me vdekje, burgimin, mohimin e një vendvarimi në atdhe, përndjekjen e të afërmve etj, ky është fati i Firmëtarëve të Aktit të Pavarësisë, shpirtërat e të cilëve …si një vajgurlambe ne i mbajmë ato në udhëkthinë/të shtëpive tona,ndjesive tona… ata…me dritën e firmave të tyre koha merr ngjyrë
Kujtoni bashkë me mua: -Mit’hat Frashëri, i biri i Abdyl Frashërit vdes në mërgim. Varrin e ka në Nju Jork. Rexhep Mitrovica e ka varrin në Stamboll. Qazim Kokoshi vdes nga torturat në burg dhe nuk ka varr. Lef Nosi, ai që fotografoi  dhe ruajti nga humbja Aktin e Pavarësisë, pushkatohet dhe nuk ka  varr. Bedri Pejani, Salih Gjuka, Aristidh Ruci, Eqerem Bej Vlora, Mustafa Kruja e Myfit Libohova, Hajredin Cakrani e Xhelal Koprencka etj gjithë jetën janë anatemuar si tradhëtarë.
Ata ikën,mbeten të ikur, apo edhe të zverdhur në gazeta e arkiva, ndërsa tretja e tyre mbetet një plagë.As dheu nuk i tret kur politika i stërvret. Bëhen të Ujtë.
E pra, 40 burra ishin ata që hodhën firmën e tyre në dokumentin themeltar të shtetit të ri dhe nga këta, gati gjysma e tyre u …shpallën si…antishtetarë shqiptarë, në vend që tu ngrihej monumenti në çdo cep të shtetit që ata themeluan. Ata ishin…dhe sot skanë as Atdhe. Pjesa tjetër u la në heshtje, sepse shtetarët  që erdhën pas tyre, donin që të  zbardhnin pak blozën e biografisë së tyre, duke fallsifikuar në dokumentin  themeltar të shtetit  emra baballarësh apo xhaxhallarësh, të cilët, në kohën kur burrat thoshnin fjalën dhe hidhnin firmën në histori, ata hanin hallvë  pranë oxhakut apo pranë hanëmeve.
Ata,firmëtarët ishin…dhe sot skanë as Atdhe.
…Kushëriri i tij ka qënë Kryeministër i vendit, por ai bashkë me të pastruan banjot e qytetit në këtë pushtet. Dhe ati i atij Kryeministri ishte  Aqif Pasha, një nga emrat e  Pavarësisë, një nga miqtë e familjes sonë.
Të lexosh këto radhë dhe s’ke si të mos revoltohesh me ata që projektuan dhe zbatuan  këtë lloj masakre mbi dinjitetin dhe historinë  tonë.
Apo mos doni të përmëndim këtu  fatin e fëmijëve të themeluesit të vetë shtetit, Ismail Qemalit, fat i cili na rëndon në ndërgjegje, thua se jemi ne shkaktarët, qoftë edhe me mosdijen tonë.
Shqipërinë e bënë burrat, por e komanduan horrat.
2.1-Pakujdesia  shqiptare është e pafalëshme.
Ndërsa themelohej shteti, si nuk u kujtua dikush që të mirte një fotograf për ta përjetësuar në celuloid momentin e papërsëritshëm të firmosjes së  atij Akti të shënjtë. Të fotografonte një për një ose  të tërë bashkë të 40 firmëtarët dhe të 86 pjesmarësit. Të fotografonte shtëpinë ku u shpall Pavarësia dhe mbi të gjitha, të fotografonte flamurin që u ngrit atë ditë. Sot ne rimë e flasim për pesë variante flamuri, jo po si i kishte pendët e si i kishte kthetrat, diskutojmë kush e solli dhe nga e solli, kush e qëndisi dhe kush e shpalosi.
2.2-Por ajo që është më skandaloze është fati i Aktit të Pavarësisë.
Ku ndodhet origjinali i tij? Kush e mori, pse e mori, si e mori dhe ku e shpuri, pasi u firmos nga 40 firmëtarët apostuj të shtetit të ri? Ne jemi ndoshta i vetmi shtet në botë që nuk disponojmë Aktin e Themelimit të Shtetit. Ne ngushëllojmë veten me egzistencën e  një fotografie të këtij dokumenti, fotografi që, gjithsesi dëshmon për dy gjëra;
e para-egzistencën e këtij dokumenti, dhe …
e dyta- dëshmon emrat e firmosësit të këtij Akti, duke u prerë rrugë fallsifikimeve.
Por  origjinali është zhdukur dhe  sot egzistojnë  disa  hipoteza mbi vendndodhjen e tij, që nga Vatikani e Beogradi, Roma, Boni apo edhe arshiva private.
2.3-Zhdukja e këtij Akti i leverdiste tre subjekteve;
-E para, i leverdiste individëve shqiptarë, pretedentë për poste shtetërore apo për tratativa tradhëtie ndaj shtetit, për të marë merita të pamerituara apo për të fshehur  gjurmët e tradhëtive gjatë kohës së ushtrimit të pushtetit apo të shitjes së atdheut.
im shoq ishte i dhënë pas pasurisë, por e humbi atë thuajse kur e kërcënuan për të zhdukur letrat e pavarësisë…Kishte miq, por miqtë u bënë armiqtë më të betuar pastaj…
…siç paguan për të zhdukur edhe kushërirën tonë Zeinepen, me gjithë dokumentat që mbante ajo me vete.
-E dyta, u leverdiste disa shteteve me pretendime teritoriale apo historike ndaj Shqipërisë, që të justifikoheshin më von me shprehjen … se Shqipëria qënka vetëm një shprehje gjeografike…(Ore, mos dinte gjë Bismarku kur tha këto fjalë)….
…Misteri i vdekjes së gruas shqiptare Madam Zeinep Vlora kishte hyrë në kanale të larta. Nga Stambolli interesi kishte kaluar kufijtë.Nga Parisi kërkohej me çdo kusht zgjidhje.Nga Italia kishte ndërhyrje të qarta diplomatike…
… Po në Itali, a keni marë të dhënat e duhura? Atje madam Vlora ka ndenjur për një kohë të mirë.
-E treta, shitblerja e dokumentave dhe relikeve historike është një biznes shumë fitimprurës. (Mund të kujtojmë se edhe armët e Skënderbeut, dëshmohet se u shitën për efekte financiare).
Si i tillë Akti i Pavarësisë kishte vlera të pallogaritëshme, se veç vlerave historike që përmbante në vetëvete, automatikisht i shtohej  dhe  kërkesë- oferta e dy subjekteve të cituar më sipër…
...por nga që sipas hetimit, na kanë dalë  edhe çështje që kanë të bëjnë me shitje dhe blerje dokumentash me vlerë për Shqipërinë…Thuhet se kanë disa plaçka me një vleftë të madhe, si shpata e sultan Bajazitit me xhevahire, shala dhe armatime të Ali Pashë Tepelenës…
3-Këto fakte më sëmbonin në shpirt, ndërsa ç’fletoja romanin “Kojrillat”, dhe një ëndër e kaherëshme (besoj jo vetëm e imja) m’u shndrua në dëshirë e shpresë se, ndoshta në faqet e këtij romani do të gjeja zgjidhje e përgjigje, për disa pyetja që më kanë lindur  në prag të çdo  përvjetori të pavarësisë. Madje titulli i tij dhe lidhja simbolike e subjektit me  poezinë e Shilerit, sikur i dha  krahë fantazisë simë, duke me ftuar që ta ripërsërisja  poezinë te vargjet… Të ngjatjetoj tufëz e lirë/ për mua je ogur i mirë…
 Madje emri i  personazhit me mbiemër të Vlorajve, më bëri të haroj faktin që në duar kisha, jo dokumenta autentike arkivore, por një…roman.
Sa do dëshiroja të mos ishte kështu.
Jo pse  ishte vrarë përsonazhi  i Zeinep Vlorës, (vdekja është rethuar me mistere diplomatike dhe pyetjet janë bërë edhe në House of Commons), sepse  historia ka dëshmuar se Vlorajt janë vrarë, qëlluar  e helmuar ( a ju kujtohet se edhe Ismail Qemali  vdiq i helmuar në Itali.) gjithë jetën,  por shpresoja se autori do kishte shtirë në dorë dokumenta arkivore, që dëshmonin shkakun pse ishte vrarë dhe ca më tepër, ku janë dokumentat që kishte me vete Zeinepe Vlora, kur u vra.
Kjo dëshirë mu shndrua në një ankth gjatë leximit,… ja pas kësaj faqeje do zbulohet e vërteta, ja pas faqes tjetër, tejë  shkrepave modernë të kompozicionit, do dëshmohet ku janë dokumentat që kishte me vete personazhi, ja pas  disa faqesh do dëshmojnë kojrillat, ja dhe pak faqe e do dëshmojnë shqiponjat, të cilat i kanë fushat në pëllëmbë të dorës dhe detin e kanë në kthetra
….dhe, në përfundim të romanit, pashë se kisha rënë në “kurthin” e autorit për të më mbajtur në tension, të lidhur me  subjektin, të ecja dhe unë bashkë me personazhet nëpër kohë. Qysh nga ajo ikje  nga Shqipëria e atyre që e bënë shtet Shqipërinë, e gjer te Hivzi Nelaj që lëkundej në litar, në prag të ikjes së diktaturës.
4- …E kam mbajtur në gjoks  gjithmon këtë libër,Siç mbaja ato fotografi dhe ato foto. Ishin amaneti i gjyshit tim. Ai iku nga Vlora dhe u vendos në  Velçan të Mokrës, në kohën kur Vlorajt e Pavarësisë ikën drejt Strugës. Por meqënëse atje s’kishte shumë siguri, ata i lanë këto letra te gjyshi im.
Këto fjalë të thëna nga …Lutfiu, një  inxhinjer i diplomuar  jashtë shtetit, por që shteti aktual nuk e pa të arsyeshme që të punonte si inxhinjer. Arsyeja ishte shumë e thjeshtë …ishte pasardhës i atyre që firmosën dhe ruajtën  dokumentin e pavarësisë.
Vetëm ky fakt ndrinte  dhe i trulloste me dritën e tij lakuriqët e natës, që kishin … shtetin në dorë.
Kanë qënë dy gjëra në jetën time që më kanë prodhuar trishtim. Njera kur më iku babai…dhe tjetra kur më zhdukën tërë kasafortat me dokumenta që kishte babai në dhomën e tij...
Është  një fakt ulëritës në historinë tonë, fakti që …thuhet se  Akti i Pavarësisë ishte në arkivin e shtetit deri në 1947, pastaj , thuhet se ..ju dhurua …Jugosllavisë. (Besoj se ka qënë koha kur nga politika  jugosllave ofroheshin divizionet për të… mbrojtur vendin tonë).
Është një fakt i trishtueshëm në historinë tonë, fakti që dokumentat e shtetit gjejnë siguri më të madhe në kasafortat private të patriotëve, se sa në arkivat shtëtërore. (Madje as thesari i shtetit nuk është i sigurtë në tunelet e sigurisë së lartë .Mos doni t’ju kujtoj fakte).
Kjo për arsyen e thjeshtë se, atdhetarët i ruajnë me zemër e shpirt Atdheun, flamurin, dhe dokumentat e shtetit, përkundër faktit që shteti i ruan vetëm me…dryna.  Me nga ato dryna, që ndryshken e këputen, kur dikush  i pushtetit, kërkon  ti këputë.
Është një ndjenjë e bukur që të lind gjatë leximit të këtij libri, ndjenja që të rrosh dhe po    të jetë nevoja edhe të vdesësh, për të ruajtur identitetin e vendit tënd. Qoftë  ky i  identifikuar në një dokument apo në  flamur.
Është vërtet një libër i bukur, me një kompozim modern, por që gjithësesi mban aromë Shqipërie në të gjithë faqet e tij.
Është nga ato libra, ardhja e të cilëve, është vërtet një…ogur i mirë.


SA SHUMË DIELL, SA SHUMË NGROHTËSI…



SA SHUMË DIELL, SA SHUMË NGROHTËSI…


ose …një kartolinë për Drita Lushin


Duke lundruar në internetin e shqetësuar nga teoria e të ashtuquajturës përmbysje e botës, sipas kalendarit Maja, u afrova në brigjet e portaleve të datës , ku në limanin Kulturor , më priste një cikël poetik i Drita Lushit. Një cikël plot dashuri për njeriun, për jetën. Një   cikël plot dritë e ngrohtësi. Si për ti thënë lexuesit, “detar” të shokuar nga frika e …përmbysjes së botës, …eja, strehou te unë ti, o i lodhur dhe i  stërmunduar në furtuna  të jetës. Eja te unë, të gjesh …bukë e ujë, shpresë e dashuri, dhe mbi të gjitha ngrohtësi njerëzore. ( Në mos gabohem, këto fjalë, përafërsisht janë dhe në bibël, janë gdhendur dhe te statuja e lirisë në ishullin e vogël, pranë  Nju Jorku).

Kam një liman
qetësie (në vetën time..shënimi im T.M),
oaz për ëndërrat
dhe dashurinë..

Fllad i ngrohtë fryn nëpër vargje, në këto ditë dhjetori plot ngricë në shpat malesh e mendime…

Dielli përsëri
buzë kodrës,
detit,a liqenit do të LINDË,
e do  të na buzeqeshë
i veshur në ar.
…..
E ne nga lumturia
do të duhemi  më fort,
mbi  këtë Tokë të lashtë,
që kurrë, kurrë, s’ka mort!

…dhe më shumë se admirim për vargjet ndjen ngrohtësinë që buron prej tyre, ngrohtësi e marë, jo nga dielli, por nga zemra e poetes, e nënës, e gruas. Se është vërtet e ngrohtë zemra e  vajzave tona, që rezaton valë dashurie, si dielli valët e dritës dhe nxehtësisë. Dhe poetja, diellin, herë e sheh si një djalë çapkën që i vjen rrotull, ndaj loz e qesh me të, duke shpalosur botërisht madhështinë e shpirtit dhe bukurinë e tij…

Një ditë dielli,
si një djalë,
më shkeli syrin
e tij të bukur,
e unë
i fala buzëqeshjen.
 …dhe herë e pi si një kupë vere…
Dita ime pi Diellin
Në një kupë të gjelbër pranvere
Ndërsa unë…
Shoh si meteorët përtypin retë…

…planetët  na kanë zili mua dhe tokën… shkruan poetja, pikërisht ditën kur pritej, sipas kalendarit Maja, përmbysja e botës, duke shpallur kështu forcën e dashurisë…

..sepse dashuria për njeriun dhe dashuria për jetën më shumë se krahë fantazie, i jep guxim …

Në prehër të qiellit skicoj
forma yjësish,
ndërtoj një galaktikë
ku unë e ti të jemi hëna dhe dielli
e femijët tanë të jenë yjet,

(…a nuk ju kujtohen përallat e gjysheve me dashurinë e  diellit me hënën)

kometat na bëjnë hije
kur ne udhëtojmë me meteoret
në orbita të reja në kërkim të planeteve
të përveçëm me iniciale dashurie “D”.

Dukë lexuar këto vargje të lindm dëshira të jesh ti dielli, personi, të cilit i drejtohet poetja me kaqë finese, me kaqë dashuri.
Shihni sa poetikisht flet poetja te poezia Një drejtim…

Të gjitha rrugët më çojnë drejt teje.
Më çon zemra, që ty të ka rrahje.
Më çon fjala qëndisur me mëngjesin.
Më çon shpirti bashkë me universin.

…dhe ne s’na ngelet gjë tjetër veçse  ta kemi zili dhe ta admirojmë me fjalët…lum ti i lumi...kush po vjen drejt teje. Një botë plot pranverë, plot diell e ngrohtësi. Plot jetë e dashuri. Dhe masiv akulli po të jeshë, mal me lule do të bëhesh, ku shpresat do të riten si lisa dhe në degët e tij zogjtë  do ngrenë folenë.Dhe s’do ketë nevojë për shtegëtime, se në këto vise poetike ka vetëm pranverë.
 Shih se ç’pranverë po lulon nëpër këto vargje, të shkruara në këto ditë  dimri, shih se ç’lule ëndrash  zemre po shpërndajnë aromën e tyre në ajrin ku jetojmë. Shih sa shpresë jep edhe  këtë ditë, kur gjithë mediat emetonin në eter tmerin e një fundi që s’di pse e kërkojnë.
Shih sa të bukur e të ngrohtë na e bëri dhe momentin e  leximit të  tyre, sa që dëshirojmë të mos mbarojnë këto caste magjike.
E ne, s’mund tëmund të bëjmë gjë tjetër veçse, duke shpresuar për prille të tjera në mes të dhjetorëve, ti drejtohemi poetes plot mirënjohje:
-Faleminderit Drita dhe…Gëzuar Vitin e Ri.

Saturday 8 December 2012

Matanë kornizës së kohës



MATANË KORNIZËS SË KOHËS…

 

Kiço Papa me “Lirikat e Jonit” në ciklin “Kur flasim për Artin Jonian” Nga Timo Mërkuri


1-Gjatë leximit  të një romani, botuar muajt e fundit, më tërhoqi vëmëndjen një   personazh, i cili dëshironte të hapte një ekspozitë në kryeqitet. Në fakt, unë nuk e mora vesh mirë, në se  ishte fjala për  ekspozitë pikture apo ekspozitë fotografie.  Kjo, jo për fajin tim, po për faktin se personazhi do paraqeste në këtë ekspozitë vetëm …kornizat. Imagjino pak të lutem, një ekspozitë me korniza …bosh. Veç të tjerave, fantasia jote është e lirë që të vendosë në atë boshësi, piktura apo fotografi nga më të ndryshmet. Çdo gjë mund të bësh në një ekspozitë të tillë, por më  normalia do të jetë që, të marrësh në duar kornizën dhe duke e mbajtur  para para fytyrës, të sodisësh përmes kuadratit të saj ambientin përeth. Efekti është vetëm kornizimi i hapësirës, ajo ndjesi e ngushtësisë së  hapësirës që sodit, se në vetvete ambienti dhe hapësira nuk ndryshojnë  vlerat dhe cilësinë. Psh, soditja e pranverës nëpërmjet një kornize të tillë, vetëm sa të kufizon hapësirën  e fushave, pyjeve apo detit që sodit, sepse nuk ka asnjë ndikim në ngjyrën e luleve, këngën e zogjve  apo  lojën e valëve të detit. Pranvera aty është me gjithë bukurinë e saj dhe lulet aty janë, duke u lëkundur si vajza të dashuruara. Madje dhe ngjyrat e luleve  duken si ëndrat e shpirtit, në sytë e vajzave. Si ëndëra fluturojnë dhe pulëbardhat mbi valë.  

Efekti fillestar është vetëm kornizimi i hapësirës, por ama është pikërisht ky kornizim, herë i madh e herë i vogël, sipas largësisë së mbajtjes së kornizës nga sytë, që të krijon atë ndjesi të të qënit i vogël, fare i vogël, madje i papërfillshëm përpara asaj hapësire që sodit dhe që  mundohesh më kot ta kornizosh. Kjo ndjesi ritet e përforcohet më shumë kur e sodit pa kornizë pikërisht atë, hapësirën që doje të kornizoje dhe sheh, se ajo është gjithmon e më e madhe nga sa ke parë apo ke kujtuar. Dhe  vogëlan je vetëm ti dhe ideja jote e marrë.

Kjo është arsyeja që, i revoltuar nga zhgënjimi, klith me dëshpërim…”në djall të vejë, nuk do ta shoh fare”.
Të duhet një forcë e madhe, që të kuptosh se fajin nuk e ka hapësira, madje as korniza, por e ka pikërisht ideja  e të parit të hapësirës nëpërmjet një kornize.

2-Nuk di pse mu kujtua ky personazh dhe ideja  e tij, gjatë rileximit të librit “Lirikat e Jonit” të poetit Kiço Papa. Vërtet nuk e di pse, por ndërsa lexoja poezitë njëra pas tjetrës, më dukej se vërtet po sodisja  pranverën e brigjeve të Jonit, nëpërmjet një kornize.

Korniza, herë ishte ngjitur me fytyrën time dhe për pasojë, hapësira që sodisja nëpër vargje  ishte  e madhe, sa që  rinin apo rendnin   nëpër të,  pyje e lumenj, fluturonin zogj dhe ëndëra, rendnin dallgë të ndjekura nga një trumbë pulëbardhash .

Por shpesh here,  më dukej se mbaja  kornizën me duar të zgjatura, larg fytyrës dhe mezi shikoja nëpërmjet saj, nga ballkoni i shtëpisë sime, dy  hektarë qiell dhe tri dynimë det. 

Ngushtësi e madhe dhe e trishtueshme. Madje as  zogu nuk fluturonte dot nëpër të, e jo më që ndonjë këngë bilbili  të të ftonte fantazinë për shoqëri. Valët copëzoheshin në skajet e kornizës, pikërisht aty  ku  pulëbardhave  u këputej (s’them dot që u mbetej jashtë  kornizës ) një krah.

E megjithëatë pranvera  ishte aty, e shtrirë nëpër vargje, e kornizuar nëpër tema.

3-Një vëllim poetik, i botuar nga shtëpia botuese “Naim Frashëri” para viteve ’90,  ishte e kuptueshme që të kishte kornizën e temave të kohës. Madje, nga një poet i ri, në botimin e vëllimit të parë,  pritej që  brenda kornizës së temave të dukej së largu fotografia e “njeriut të ri” shpatullgjërë e buzëqeshur, që punonte për vitin …2020 e më tejë. Duke patur  fatin e zakonshëm, të lagej në stendën e emulacionit nga shiu i parë dhe  të …flakej në… harim.

Por Kiço Papa në këtë kornizë nuk vuri ndonjë fotografi heroi.Vuri thjeshtë shpirtin e tij i cili…ka qënë në breglumë dhe ka dëgjuar bilbilat/u zhyt thellë në lumë dhe troftat/nuk u trembën prej tij/kur doli vizatoi dhe lumin dhe bilbilat/dhe ligjërimin e  bilbilave/dhe guximin e troftave dhe guralecët/dhe leshtërikët e lumit/Ky është lumi tha…/Hyri në pyll dhe u shkri me gjelbërimin/doli andej dhe vizatoi gjethet,trungjet/rrënjët,moshën e pyllit/dhe vizatoi gjelbërimin jo vetëm të drurët/por dhe te hieja e tyre.Ky është pylli tha.(Ftesë, fq 3)

… vijon dhe në poezinë tjetër “Emri i ditës” ku shkruan…Zgjohem herët dhe i vë emrin ditës./… /Kërkoj shëmbëllimin tim në të gjithë sa krijova…/E prapë u hipi trenave, kamionëve…(lere fare, ky varg i  fundit është pjesë e kornizës. Ashtu siç janë  korniza dhe temat e titujt e disa  vjershave të këtij vëllimi, korniza dikur plot shkëlqim varaku, por që sot  përshkohen nga labirinthet e tuneleve,    kanë hapur  krimbat e kohës, nëpër të).
…për të shpërthyer të cikli “Prillet e mi” …i dehur nga bukuria.. me vargjet  brilante… Në ditlindjen e saj më ftoi pranvera/dhe miqësisht më dehu/…pemët këndonin ca si ninulla/për lulet që do bëhen kokrra.
 Sepse…çdo prill që erdhi la diçka tek unë/diçka të përzëmërt nga bukuria e tij…duke shprehur dëshirën e tij  si poet…dua të bëj një këngë/që të ngjajë me një shtëpi të madhe/Çatinë tja bëj me kaltërsinë e rpillit/me diell tja lyej dyer e dritare…
për të aritur te poema “Krijo bukurinë” me vargjet e ëmbëla …kujdes,kur të jap një lule/duhet të krijosh pranverën me të/../dhe kur ta kesh njohur mirë arkitekturën e ëndrës/mendo se ku do ti vendosim krevatet e vogla/të fëmijëve që ende skanë lindur…

4-Një vëllim poetik ky, i botuar para viteve ’90, nga një poet i ri, që dhe tani pas njezetë vjetëve mbart  te ne, freskinë  pranverore të …ëndrave djaloshare të poetit.

Kur e mora në dorë për ta rilexuar vëllimin poetik, mendova se  në faqet e tij, do ti gjeja  lulet e ëndrave të petëzuara nga shtypja e faqeve dhe  të thara nga koha. Pak a shumë, siç gjenim dikur,  në mes të fletëve të librit të botanikës, lulet dhe bimët e mbedhura nëpër eskursione dhe futur mes fletëve, për praktikë mësimore.

Lule pa aromë, me petale të thara, që të ndillnin veç të vajtoje mbi to. Apo edhe mbi kujtimin e çasteve të mbledhjes së tyre.

Por nga ky vëllim, çuditërisht, në fillim erdhi drejt meje me duhmë aroma e luleve përzier me ëndëra ( sikur të qenë shpërthyer kacekët e Eolit, ku qenë mbyllur)dhe më pas nisa të shoh ato, lulet dhe ëndërat, dhe kaltërsinë e detit që e kishte pirë të tërën, aty ku gjej profilin e brezit tim/dhe ëndërrën e Leftër Talos..

Në fillim ja behu kënga e zogjve …mbrëmë në dritare çukitën shumë zogj…dhe zhaurrima e lumit ( si nuk qe tharë  shtrati i tij kaqë mote) e më pas nisa të ecij vetë brigjeve të tij.

Aty ku…Dimri i fyer nga mospërfillja/i bie gjoksit dhe shfryn shkulma ere.
Për të takuar poetin i cili…na ka premtuar se një ditë prej ditëve/diçka të bukur ka për të na thënë…
…që na e tha në fakt në këtë libër, të bukur dhe të freskët përjetësisht, si një ëndër.  Si një ëndër rinore, të parë nëpërmjet lojës së afrim-largimit nga sytë, të kornizës së temave  të imponuara të kohës.


5- Sepse  kornizën, para poetit dhe para poetëve e vendosi  diktatura, e cila gjithmon përpiqej ta mbante në një distancë nga sytë e poetit, jo për të shtuar misterin e kornizës, por thjeshtë për të ngushtuar hapësirën që shikohej. Ose më saktë, duke lënë hapur për shikim dhe admirim vetëm atë hapësirë, ku ndodhej  ajo vetë.

Poetët gjithmon përpiqeshin ta afronin kornizën, thjeshtë për të rritur hapësirën e shikimit, për të parë edhe yjet e qiellit tejë “yjeve” tokësorë, për të parë edhe vjeshtën e dimrin natyror tejë “pranverës” që ndërtonim ne.

Por loja me afrim-largimin e kornizës të krijon atë ndjesi të të qënit “i vogël”, gati i papërfillshëm përballë hapësirës.( Pak a shumë  këtë ndjesi provoi dhe Amstrongu kur e pa tokën nga hëna).

Shtoi kësaj fatkeqësitë familjare, nga ato fatkeqësi që …vajtohen me gjëmime deti, që e thinjën brenda një çasti e s’e lanë  gonxhen e buzëqeshjes të çelë në fytyrën e poetit, për dekada me radhë.

Vazhdo me fatin e trishtueshëm të stërmundimit në punë, për të përballuar jetën,  gati të të gjithë poetëve emigrantë, për të kuptuar atë …”në djall të vejë, nuk do ta shoh fare hapësirën”  edhe të Kiço Papës,   rezulton me mosbotime të krijimeve poetike të mëvonëshme të këtij poeti lirik.

6-Ama, themi me mosbotime, sepse dhe të dojë, Kiço Papa nuk largohet dot nga poezia.

Sepse dhe të dojë të largohet, s’ka ku vete, sepse shpirtin e ka lënë te Lirikat e Jonit.

Te ato lirika ku, çuditërisht, vargjet që flasin për detin e për valët numërohen me gishta, por ama, mbi të gjitha vargjet fryn flladi i Jonit. Jodi i  flladit jonian  ka pastruar mushkëritë e poezive duke ua bërë më të pastër tingëllimën vargjeve. Limonat dhe ullinjtë i reh era e detit dhe këngën e bilbilave e shoqëron iso-ja e valëve. Duke ecur bashkë me Kiço Papën nëpër poezitë e këtij vëllimi, të duket se  ja, pas atij vargu do të të  mbulojë një dallgë deti apo pas  metaforës së radhës, do fluturojnë mbi ty pulëbardhat, duke të spërkatur shikimin me kaltërsinë e  stërkalave të valëve. Me atë kaltërsi që kanë dhe vetë poezitë . Ato poezi që , jo më kot Kiço Papa i ka titulluar  “Lirikat e Jonit” . Unë ju them se jo rastësisht, poeti  ka emigruar në …brigjet e Jonit. Përballë brigjeve ku u shkruan këto poezi. Për të mos u larguar nga vendlindja e tyre.

7-Unë e di, që Kiço Papa, mbrëmjeve, ulur në parvazin e dritares të shtëpisë të marë me qera, herë  nis shikimin të lozë me hënën e yjet  në qiellin e Korfuzit, e herë  dërgon mendimet të shëtisin në bulevardin e Sarandës, aty ke jemi ne, miqtë e tij. Dhe nis me ne një bisedë në heshtje, dhe i shkruan  bisedat që mos ti harojë, por çuditërisht i shkruan në vargje. Sepse Kiço Papa është poet dhe i tillë do të mbetet. Unë ju them se së shpejti ai do na pranverojë  bisedat me lirika të reja.

Edhe me përkthime, si përkthimi mjeshtëror, prej poeti, i poezive të Vretakos, botuar para pak kohësh te Fjala e Lirë.

Sa për kornizat, edhe Kiçua, njësoj si ne, i ka haruar…

Thomai që mbolli kripë



Thomai që mbolli kripë

Triptik

Plutarku, Pani, Pelodi dhe Piluri

Sprovë

1-‘’Një mbrëmje, gjatë lundrimit, kur era kishte pushuar dhe shumë udhëtarë, që sapo kishin ngrënë bukë, po pinin, nga ishulli i Paksosit u dëgjua papritur një zë që thëriste; ’’Thamos’’. Zëri ishte aqë i fortë, sa që u habitën të gjithë. Ky Thamosi qe një pilot që pakkush në anije ja dinte emrin. Ai nuk ju përgjigj as thirjes së parë dhe as thirjes së dytë, por vetëm të tretës. Atëherë zëri u bë edhe më i fortë e tha;
-Sa të mbërish te liqeni Pelod, lajmëro se Pani i Madh ka vdekur.
Të gjithë ata që dëgjuan atë zë, mbetën të tmeruar dhe pastaj zunë të diskutonin, në se duhej që Thamosi të bënte sa i qe urdhëruar, apo më mirë të mos e përfillte atë porosi. Thamosi vendosi që, po ta kishte erën të mbarë, të mos e përfillte fare.
Mirpo kur arriti barka te liqeni  Pelod, pushoi era dhe deti ra në fashë.                        Atëherë Thamosi, duke u drejtuar nga toka, thirri me zë të lartë se Pani i Madh kishte vdekur.  Sakaq u dëgjua jo një, por shumë rënkime të thëlla, sikur shumë qënie vajtonin së bashku.
Meqë shumë njerëz qenë dëshmitarë të kësaj ngjarjeje, lajmi mori dhenë dhe ariti gjer në Romë. Tiberi, perandori i asaj kohe, thirri Thamosin. Aqë përshtypje i bëri tregimi i tij, sa që urdhëroi ta gjenin se kush ishte  ai Pani. Letrarët ,  që nuk ishin të pakët reth tij, thanë se do të ishte ai që kishte lindur nga Penelopa (bija e nimfës Driopë-shën.im T.M.) e Hermesi’’.
Këtë tregim të bukur për Panin e Madh e lexon te Luigji Ugolini, në  librin e  tij ‘’Butrinti’’ v 1936,  ku  ai thekson se e ka marrë nga Plutarku. Dhe po nuk e gjetët dot librin e mësipërm    Kont Ugolinit,  këtë tregim, pak më të shkurtër do ta gjeni edhe te ‘’Fjalori Mitologjik’’ i vitit 1987 i T.Dhamos ose edhe te libri i I.Gjonit ‘’Mardhënie të miteve dhe kulteve të Bregdetit Jonian’’ fq 73-74 Botim i Milosao Sarandë.
Te Ovidi mund ta gjeni Panin duke ndjekur Siringën, po për këtë do flasim më von.
Të gjithë  këta autorë i referohen  vetëm Plutarkun, dhe mjafton ky emër për të  besuar  absolutisht në seriozitetin e burimit të legjendës.
2-Por gjithsesi, disa pyetje na lindin gjatë  leximit të kësaj legjende dhe pikërisht;
-Pse u dha lajmi në liqenin Pelod për vdekjen e Panit të Madh? Ç’ishte ky liqen dhe  ç’lidhje kishte Pani vetë ose vdekja e tij me këtë vënd?
-Kujt i interesonte dhënia e këtij lajmi  këtu  dhe kush e priti ?
-Kush vajtoi dhe pse vajtoi për Panin e Madh,  i cili  as kishte lindur, as kishte banuar dhe as kishte vdekur pranë liqenit Pelod.?
 Sipas kësaj legjende, në një vend të panjohur dhe të painteresuar (liqeni Pelod) nga dikush  (Thamosi) që, gjithsesi  s’do ta kumtojë  njoftimin e marë prej disa banorë të një ishulli rastësor (ishulli Paksos),  jipet lajmi i një vdekjeje të dikujt, që dhe ai vetë nuk e njeh,  dhe kjo vdekje paska ndodhur diku larg,  ku as ai vetë nuk e di.
Normalisht ky lajm duhej të pritej me indiferentizëm nga vendasit, por kjo nuk ndodh.
3-Dhënien e lajmit të kobshëm e favorizojnë edhe forcat e natyrës, siç është ndalimi i erës pranë liqenit dhe krijimi i një qetësie të frikëshme,  për t’u dëgjuar qartë dhe larg kumti i mortshëm. Ky favorizimi i forcave të natyrës, është ndoshta sinjali i pare, se kemi të bëjmë me një kob dhe jo me një vdekje dosido, të ndonjë plaku të shkuar në moshë.
Në qoftë se gjer tani epitetin ‘’I Madh’’ e kemi interpretuar  si moshë e madhe,  tani, në këtë qetësi absolute kuptojme se kemi të bëjmë me një  ‘’person të Madh’’ të rëndësishëm,  me një hyjni. Mosnjohja e tij prej  njerëzve,  s’ka lidhje me vlerat e tij,  por me njohuritë  dhe dijet e udhëtarëve, të cilat paskishin qënë me mungesa.
-Hipotezën se, ndoshta  jipej njoftimi për t’u pregatitur vendasit për  kryerjen e varrimit të Panit  pranë këtij liqeni, nuk e mbështet asnjë e dhënë, në daç te kjo legjendë apo dhe  te legjenda të tjera. Nuk jipet gjëkundi dhe arsyeja se pse duhej të bëhej këtu, te liqeni Pelod varimi i këtij Pani të Madh, si dhe asgjëkundi nuk thuhet që Pani u varos këtu .
Këtu vetëm u vajtua për Panin e Madh dhe ..asgjë tjetër.
4-Pra, lajmi, jo vetëm që nuk u prit me indiferentizëm, por përkundrazi, provokoi një gjëmë kolektive në brigjet e këtij liqeni, një vajtim  kolektiv, një ‘’të qarë me  bot’’,
siç  ndodh rëndom në vdekje të rënda, nëpër gjëma.
Kjo tregon se  ky Pani i Madh që paska vdekur diku larg, qënka tepër i njohur dhe tepër i dashur në brigjet e këtij liqeni. Aqë i dashur, sa që nimfat bukuroshe  të liqenit, të mbidhen kokë më kokë e të zënë vajin me ligje e rënkime, me të çjerura të faqeve e të shkulura të flokëve. Tamam siç vajtojnë  gratë e fshatit tim nëpër morte.
Pse ka ndodhur kjo?  Ç’është ky vënd  ku vajtohet kësisoj për një Pan që, nuk e njohin fare as udhëtarët dhe as ai që kumtoi mortin.
Duke qënë se shumë emra perëndish të Olimpit shpjegohen me gjuhën shqipe, le të përpiqemi të  shpjegojmë pak emrat e përdorur nga Plutarku, me mendimin  se ndoshta gjejmë ndonjë dritare nga ku të shohim misterin e legjendës.
5,1-Ishulli i Paksosit  ishte emri i një ishulli të vogël në jug të ishullit të Korfuzit. Po të duam ta shpjegojmë edhe në lidhje me këtë tregim, është tepër i  pranueshëm kuptimi ‘’sos, arij, mbrij për pak, për një kohë të shkurtër’’ te objektivi,  te liqeni Pelod.
Dhe vërtet, distance nga  Liqeni Pelod (Butrinti i sotëm) tek ishulli në fjalë, është e ‘’pakët’’, po të kemi parasysh miljet e shumta  detare të lundrimeve të zakonëshme.
5.2-Piloti quhej ‘’Thamos’’ ose po ta ndajmë në rokje na del ‘’Tha-mos’’. Domethënë është ai që tha Mos.  Pra mos  e thuaj  atë fjalë,  mos e jep atë kob, mos e thuaj që ai vdiq etj etj.
Le të rikujtojmë hezitimin e tij të parë për tju përgjigjur thirjes që ju bë në emër  nga të panjohurit e ishullit Paksos  si dhe hezitimin e tij për të kumtuar porosinë e dhënë.
Shpesh herë dhe sot,  kur na jipet befas ndonjë lajm i rëndë ose kur shohim ndonjë veprim të papranueshëm,vetvetiu na del  thirja ‘’mos’’.  Mos e bën atë veprim, atë gjest. Mos e thuaj atë fjalë.
5.3-Liqeni Pelod është pranuar  nga të tërë që është Liqeni i Butrintit, në Jug të vendit. Por ama fjala Pelod, e ndarë në rokje na jep Pe-lod. Po të shohim rokjen e parë ‘’Pe’’ është artikulim i   ‘’Prej’’, qe përdoret edhe sot në  krahinën e Konispolit. Psh , në vend që të  thuhet ‘’Poçe prej balte’’,  shqiptohet ‘’Poçe pe balte’’ etj etj. Vetkuptohet që bëhet fjalë për banorë pa arsim të mjaftueshëm. Por ama është e folme e përditëshme dhe e përgjithëshme e një komuniteti të madh e trashëguar  ndër shekuj.
Rrokja e dytë e emrit Pelod që është “lod” mendoj se ka kuptimin e lotit dhe në këtë mënyrë emri “Pelod” i liqenit të Butrintit do të thotë “Liqeni prej loti”.
Kjo nuk është figurë artistike, sado e bukur që të  jetë.  Ky është realiteti i këtij liqeni dhe jo më kot këtë legjendë të bukur të vdekjes së Panit të Madh e kanë vendosur këtu.
Liqeni i Butrintit është krijuar kryesisht nga derdhjet e lumit Bistrica.
Por lumi Bistrica, si burim të tijin ka  Syrin e Kaltër. Dhe dihet që nga sytë apo nga syri (pavarësisht nga ngjyra e tij apo e tyre) derdhen vetëm lotë.  Pra, liqeni Pelod është krijuar nga lotët e derdhur nga Syri i Kaltër.
Këtë ndjesi ta përforcon edhe fakti se uji i Liqenit të Butrintit (Pelod),  ka një shije të athët, si e ujit pakëz të kripur.
Kjo shije nuk i vjen,  nga që lumi i Bistricës kalon sot  dhe kalonte edhe dje nëpër zona  kripore,  si në afërsi  të Dhrovjanit,   ku është ndërtuar  në vitet ‘70   miniera e kripës së gurit  dhe ujëmbajtësi i Hidrocentralit  të Bistricës. Miniera është ndërtim i kohëve moderne, por ama  kripa ka qënë  në tokë dhe në kohën e Plutarkut apo të Panit.
Por  shija e athët e kripës, ujit të liqenit  i vjen më shumë nga dy faktorë;
a-Nga burimet  me ujë të kripur  të detit, brenda dhe në periferi të liqenit
b-Liqeni i Butrintit është në një nivel me detin dhe ujët e tij lëviz sipas baticave dhe zbaticave, gjashtë orë nga liqeni në det dhe gjashtë orë nga deti brenda në liqen.
Pra,  dhe po të mos jenë burimet me ujë të kripur që ja japin ujit të liqenit shijen e kripës, është vetë uji i detit  që futet në liqen në  kohën e baticës. Baticat dhe zbaticat në këtë liqen, si pasoje e nivelit të tij të ulët ose të barabartë me detin, kanë qënë edhe shkaku i egzistencës së kënetës së Vurgut, bonifikimi i të cilës u bë në vitet ’60.
Jam dakort që këto shpjegime janë  tepër prozaike për një legjendë me përmbajtje poetike si kjo e dhënë nga Plutarku, por ama në asnjë vënd tjetër nuk mund ti gjesh  bashkë të gjithë elementët jetësorë të një legjende, si kjo e Panit.
-Kaqë shumë kanë qarë   nimfat e Liqenit (ose gratë e Pilurit),  për vdekjen e Panit të Madh, sa që uji i Liqenit  mori shijen e athët të lotëve. Po nuk më besoni mua, shkoni dhe provojeni  vetë në Butrint, ose më mirë  në Liqenin Prej Loti.
-Teritori reth Liqenit Prej Loti është i mbushur me kallamishte.  Por kallami nuk është gjë tjetër veçse  bukuroshja Siringë, pas së cilës qe dashuruar Pani i Madh. Nimfa e bukur, e ndjekur nga Pani i Madh i dashuruar me të, u tmerua nga pamja e tij e përbindëshme..
6-Këmbët si të  cjapit, brirët po ashtu, sokëllimat e tij lemeritëse, nuk të afronin as hijen më të vogël të një  djaloshi të dashuruar. Ndaj dhe  hyjneshat e prekura nga tmeri i vajzës së bukur,  për ta shpëtuar atë,  e shndruan në një kallam.
Përgjithësisht Pani trajtohet si hyjnia e fundit e Olimpit.  Unë mendoj se trajtohet si i tillë, për vetë faktin se vetëm për këtë hyjni kemi një legjendë vdekjeje, ndërsa për hyjnitë e tjera kemi plot legjenda lindjeje, dashurie e dashuriçkash, martesash e tradhëtish bashkëshortore, trimërish e marrëzish. Për vdekje, vetëm Pani paska vdekur. Por po të shohësh portretin e tij gjysëm njeri e gjysëm cjap,  me gjenitalet  të ngritura,  atributin e tij si hyjni i bagëtisë e kullotave dhe i pjellorisë, atëherë atij i bie të jetë ndër hyjnitë më të herëshme të Olimpit. Siç duket e kanë spostuar në radhën e fundit se mos u prish bukurinë e spektaktlit të Mis Olimpit.
Por ne le të vazhdojmë me Panin që ndjekj Siringën e shndruar në kallam.  Pani i dashuruar,  në dëshpërimin që shkakton humbja e dashurisë, preu kallamat  në gjatësi të ndryshme, i  bashkoi ato  me njeri tjetrin, i pastroi nga brenda, vrimat e shpirtit të tij i rihapi te kallamat duke bërë kështu një fyell. Ca thonë që bashkoi vetëm dy kallama, duke bërë kështu fyellin dyjare. Ca thonë bashkoi katër kallama. Po ç’rëndësi ka kjo. Rëndësi ka fakti që ai i binte fyellit ‘’me të qarë’’ për Siringën e tij të bukur,  që aqë shumë e donte. I binte fyellit dhe nuk kishte të pushuar. Dhe do dëshironte t’i binte përjetësisht.
Të mos e hiqte nga buzët   fyellin (Siringën)  e tij të  dashur.
Prandaj dhe skulptorët e kanë  përjetësuar Panin këmbëcjap, duke i rënë fyellit.
Dhe me që përmëndëm  fjalën ‘’këmbëcjap’’, këtu le të ndalojmë pak.
7-Qysh në fëmini, nga gjyshja ime kam dëgjuar se ne,  pilurjotëve, na quajnë ‘’bij të këmbëcjapit’’, domethënë bij të Panit të Madh.
Në fillim, s’di se si më dukej ky  epitet, si një tallje për jetën baritore apo për shtegëtimet e shumta, shpesh duke mbartur gjithë familjen me vete. Më dukej si një ofendim për banorët e fshatit tim. Por më von, duhet të pranoj se  nisa të mendoj seriozisht për të.
‘’Pilurjotët i dallon gjallëria,shkathtësia dhe shpejtësia e lëvizjeve në ecje. Ata ngjajnë sikur kërcejnë mbi gur, sikur vallëzojnë nën një ritëm vetëtime, sikur nuk duan të rëndojnë mbi dhe ‘’ shkruan  historiani Minella Gjoni.
Homeri shkruan për Panin;-Ky hyjni, dashamirës i zhurmës, i pëlqen të vrapojë mbi gurrë…
Edhe pilurjotët s’janë aqë të urtë xhanëm, sa të mos i vëshë re ku janë e ç’farë bëjnë, shto këtu edhe cilësimet e mësipërme të historianit.
Pani është perëndia e  bagëtive, kopeve, kullotave, muzikës etj etj.
Pilurjotët janë blegtorë  të mirë, barinj të sprovuar, mirëmbajtës të kullotave etj.  
Sa për këngë e muzikë, shok kemi vetëm veten.
Ndoshta këtu duhet të shtojmë  faktin se,  Piluri u bë i njohur brenda një dite  falë këngës së bukur ‘’Bejkë e bardhë’’ të kënduar nga grupi  i fshatit në një festival folklorik.(Bejkë i thonë qingjit  femër  që porsa ka kaluar periudhën  e ushqimit me qumësht të deles, pra të porsakëputur nga nëna). Dhe që nga ajo ditë, ky grup u bë i pa aritshëm në suksese, dhe emri i fshatit automatikisht u bë i paharueshëm..
Por vazhdojmë më tejë.
Pani i Madh i bie fyellit ‘’me të qarrë’’ për Siringën e tij të bukur.
Fyelli dhe dyjaria janë pjesë e pamunguar e inventarit të shtëpive e familjeve pilurjote.                 
Pani i Madh,  me një të bërtitur, i fut  tmerin, panikun, (Pan-ikun) një ushtrie të tërë.
Edhe Pilurjotët, s’kanë mësuar akoma edhe sot të flasin me zë të ulët, mandje as nëpër biseda tavoline e jo më në  pazar. Lere kur janë në mal që i sokëllijnë njëri tjetrit sa që dëgjohen gjer në Himarë. Po të mos e dishë, mund të kujtosh se janë bubullima.
Babai i Panit, Hermesi na paskësh qënë edhe perëndia e hajdutëve.
E, po tani sikur e tepëruat. Kur shejtani flë,  ti  ç’ke që  e zgjon.
Se, gjynah mos paça, por edhe ne pilurjotët s’mbetemi mbrapa në  zanatin e hajdutit.
Po deshët hollësira, keni plot te sprova ime ‘’Hajdutët e Pilurit’’ botuar te  libri‘’Vesa mbi këngë’’ botim i Neraida  Tiranë,2009.
Unë mendoj se ka të drejtë dhe I.Gjoni kur shkruan;-Në se do shihnim karakteristikat kryesore të mitit, karakteristikat tipike të Pilurjotëve, duke i shtuar edhe  karakteristikat gjeografike të  vendit, arijmë në konkluzionin se Piluri është vendi më adapt ku Pani mund të kishte vendkultet e tij. (Shih I.Gjoni,Mardhëniet e miteve… fq 71).
Veçse unë do të ndërhyja  e do shtoja;- se Piluri dhe pilurjotët janë vendi dhe njerëzit më adapt ku Pani mund të kishte  vendkultet e tij.
Por duhet parë problemi dhe në një  këndvështrim tjetër. Dhe pikërisht në atë të lashtësisë së pilurjotëve dhe vendbanimit të tyre.
8-Që t’u  ngjitej pilurjotëve epiteti ‘’bij të këmbëcjapit’’ do të thotë që  ata janë banorë të hershëm në ato treva.   Në mos bashkëkohës të krijimit të legjendës së Panit të Madh, jo dhe shumë të largët nga ajo. Aqë më tepër që kjo legjendë nuk është dhe aqë e vjetër. ‘’Sipas priftërinjve të krishterë,vdekja e Panit ishte fundi i paganizmit që u zvëndësua nga krishtërimi’’ thekson  Dr Vaso Tole. Pra nënkuptohet diçka te shekulli i parë i erës sonë. Kjo është koha kur perandor në Romë ka qënë Tiberi, hollësi që e përmënd legjenda.

Monday 26 November 2012

NUK DO TË GJESH KURRË NJË ATDHE TJETËR....

Nuk do të gjesh kurrë një Atdhe tjetër…

Përsiatje rreth librit “Atdhe’ tjetër” i shkrimtarit Faruk Myrtaj

 1-Atë ditë    në Tiranë mbritën eshtrat e ish mbretit, vdekur mote  të shkuara, nuk e di se ku,  atë ditë, tek unë në Sarandë, mbriti shpirti i shkrimtarit Faruk Myrtaj, që jeton në mërgim. Nuk e ndoqa dot fatin e eshtrave të të vdekurit, se në duar më përpëlitej shpirti i të gjallit. Një shpirt i plandosur e i palosur në dyqint e ca faqe të  librit “Atdhe’ tjetër”, që më rrëndonte në duar e në shpirt  gjer në shpinë-e-shpirt-kërrusje, nga pesha e dhimbjes që mbartëte (qënka dhimbje ikja). Një libër ku  çdo rresht i shkruar, kullonte mall e lotë, përzier dhimshuri e brengë. Dhe një dashuri, që valëvitej  mbi direkun e bashkëtingëllores  “t” ,të    fjalës “atdhe”. Dashuri për këtë atdhe, që e braktisi, bashkë me qindramijra, në kërkim të një atdheu tjetër...
2-Miku im, që pive helmin e kurbetit.Pije gjer në fund kupën me helm ekzili,  se nuk do gjesh kurrë një Atdhe tjetër. Sado të trishtohesh apo… të fërkosh sytë që të djegin njomshëm.  Nuk do ta leshë dot në atdheun e vetë mërzinë. Do ta marrësh me vete, si xhaketën. Edhe zhgënjimin e madh, sepse i besove edhe ato që  shkrove dhe lexove, duke bërë kështu edhe ti gabimin e tyt eti.
3-Do gjesh një vend  që do të sigurojë mirëqënie, do të japë  punë e  shtëpi, libra (jo vetëm Amerika by Kafka), do keshe fqinjë që do të ftojnë për drekë, të cilën do ta paguash vetë, (iku, iku Selenica),  fqinjë ,që do thonë të zemëruar…Kush dreqin ua dha adresën time…(krejt ndryshe nga vendlindja jote, ku i thoshje mikut edhe në telefon që…po s’gjete njeri në shtëpi, çelësin e portës e ke te vazoja e luleve.)...do keshë vetminë, si tokë të premtuar për krijuesin, dhe kohë të tepërt me tepricë, por , miku im… ky nuk është atdheu.
4-Atdheu është  aty larg dhe ecën si ai treni i ngadalshëm, nga mund të zbresësh prej vagonit të fundit, të ndezësh cigarin te një këmbësor dhe të  hipësh sërish në të, në ecje e sipër. Fqinjët qeshin me këtë tren-atdhe dhe me ecjen e tij të ngadalëshme, por për ne, rëndësi ka që atdheu ecën. Ngadalë, por ecën përpara.( Sepse ka raste, miku im, që ky dreq tren-atdheu ecën edhe mbrapa, si në ’97 ).
Për ti shpejtuar ecjen në të përpjetën e demokracisë, shumë  bij   tij zbritën nga vagonët, i dolën përpara asaj dreq lokomotive, lidhën  litarë e kavo  në të dhe nisën ta tërheqin, lokomotivën e vagonat bashkë. Duke u bërë ata, njëfarë lokomotive e gjallë, që tërheq  drejt Europës këtë tren-atdhe. Kjo ska mbaruar,miku im me ambasadat dhe me ikjen përmbi telat me gjëmba të kloneve kufitare. Kjo vazhdon edhe sot, në ikjet me pasaporta biometrike.
Edhe ti, e ke lidhur kavon tënde te kjo lokomotivë, miku im, dhe e tërheq këtë tren, që kërcet me rrapëllimë. Pak, vërtet pak e tërheq. Por rëndësi ka që e tërheq. Shpesh herë këputet kavua, por ti nxiton të hedhësh e të lidhësh kavon tjetër.. Herë nga “Fjala e lirë” e herë nga PEN Klub Kanada. Dhe e tërheq, dhe e tërheq, ecën ti dhe atdheu pas teje, shpesh pa e kuptuar edhe vetë.  Ja, shiko pak veten si ecën, pak i kërrusur e pak i sforcuar. Nga tërheqja e kësaj kavoje mik, nga asgjë tjetër.
5-Nuk do gjesh  dot një atdhe tjetër.
Pavarësisht se  këtë atdheun tonë e kemi me dy emra, një për ta përdorur vetë e tjetrin për ta përdorur të huajtë. Ashtu siç është dhe ai shpendi në flamur, me dy krerë. Në atë flamurin e kuq, që  të parët tanë, kur shkonin të blenin bezen  mbi të cilën  Marigotë do të  qëndisnin shqiponjën , nuk i kërkonin shitësit thjeshtë një beze të kuqe, por i kërkonin një “rrobëgjaku”, duke nënkuptuar me këtë fjalë cilësinë më të mirë të bezes për qëllimin që duhej.
Atdheu duhet dashur edhe kur të vret, perifrazon   madhin Dhimitër..
Unë do të thoshja se nuk të vret atdheu, por ata që tentojnë të vrasin edhe atdheun, nga postet ku ulen, por le ta diskutojmë tjetër herë këtë temë.
6-Mund të të vrasë apo braktisë atdhe(kinse atdhetarët)u, por si mund të të vrasë apo braktisë mëmëdheu? A nuk e sheh se si mëmëdheu i mer në prehër bijtë e tij (madje dhe ata që tentojnë ta …shesin apo që e braktisin atëherë kur ka nevojë më shumë për ta), i përkund me ninulla e ligjërime, i mbulon me flokadën e jeshiltë apo të murmë, i mbron nga shiu e nga harimi. I bën pjesë të  qënies së saj.
Sepse është mëmë-dhe.
A të kujtohet si të mbante nëna në prehër netëve të dimrit, kur i ftohur në lodrat fëminore, të digjej balli nga temperature? A të kujtohet si të puthte ballin dhe të hiqte zjarrminë, duke të çliruar trupin nga ngërçi i dhimbjes.( Mos guxo t’i harosh këto çaste, miku im. Haro ç’të duash, psh , haro portofolin në  metro apo taksi, po jo këto çaste të perëndishme).
Në qoftë se kur shqipton fjalën “atdhe”, instiktivisht ngre kokën lart, krenarisht, trimërisht, a e ke vënë re se kur shqipton fjalën mëmëdhe, ndjen një dridhje në zemër. Sepse është nëna, miku im dhe nënën e duam dhe na dridhet zemra për të, edhe kur s’na vijnë letrat që ajo shkruan përditë për ne. Në qoftë se kemi diçka të bukur në jetën tonë, në qënien tonë, ta dishë mirë që këtë e kemi nga nënat.
7-Nuk do gjesh dot atdhe tjetër, miku im, se mëmëdhe tjetër s’gjen as në atë botë.
Mund të gjesh ndonjë ..baltëdhe… por jo si ajo balta më e ëmbël se mjalta…
Prandaj ….Atdheu duhet dashur edhe kur ikim prej tij…në emër të fëmijëve,
A e di që duke lexuar librin tënd, mendova se ishte pikërisht mëmëdheu, ai që ju këshilloi …ikni…të paktën shpëtoni fëmijët…  edhe sepse… atdheu është shumë i madh për tu ndjerë i braktisur prej një njeriu…
8-Sepse këtu, ne prej kohësh kishim mërguar prej të qënit njeri.
Jetonim si  …makineri të programuara. Kush dilte jashtë programit, si mbetej gjë tjetër, veçse të shkonte të fshihej pas ndonjë dallge.
9-Aty ku je, natën, i drobitur dhe i përmallur, do dalësh (ke dalur, në fakt) në gërxhet e internetit dhe do më sokëllish me emaile që nga larg…dërgomë një gur, dërgomë, ta vë jastëk ndënë kokë…se kam kaqë net që s’më zë gjumi…
Prandaj më dridheshin nëpër duar fletët e  librit tënd “Atdhe’ tjetër”, sepse  dridhej shpirti yt nëpër to, plot ankth e stress e mall përzier bashkë.
Ndajë po ta nis  këtë shkrim me urgjencë, si një gur a një grusht dhe, ta puthësh e të kërresh mallë…për të të thënë se,  nuk ke pse kërkon atdhe-mëmë-dhe tjetër, sepse e ke atdheun tënd, i cili të do dhe nuk të haron.
10-Edhe ne nuk të kemi haruar,  love you…të kemi xhan.
Në të gjitha gjuhët e botës, por shqip kryesisht.

                                                                                                          Timo Mërkuri