Sunday 24 February 2013

Edhe njëherë për iso-polifoninë



Edhe njëhërë për iso-polifoninë…
ose… në vazhdim të një replike


Nxitjen për  këtë shkrim e mora nga një “esse për këngën iso-polifonike” shkruar nga poeti dhe këngëtari pilurjot Kristo Çipa dhe botuar në disa portale me titull “Pse buron nga dheu im, është kryevepër e njerëzimit”.Qysh në krye dua të them se ishte një shkrim plot frymëzim e dashuri për iso-polifoninë, për këtë “magji të gjallë” që populli im e nxorri nga vajtimi, ashtu siç nxirret margaritari nga pinat e thellësive  detare, ashtu siç nxirret floriri nga thellësitë e tokës. Qe të kthesh lotin e vajtimit në margaritar krenarie, duhet të jesh ose magjistar ose bir perëndie.
-Por ajo që më shqetësoi te ky shkrim, ishte  fakti i ripërsëritur, se disa teoricenë folklori na paskan organizuar  një mbledhje  në MTKRS, ku kanë kërkuar, as më pak e as më shumë…. Vetëm… heqjen  e emrit “iso” nga togfjalëshi emërtues kuptimplotë “iso-polifoni.
Problemi nuk është thjeshtë te një emër, që mund ta ndryshojmë si të duam e kur të duam në gjëndjen civile të komunës apo bashkisë, për të marë më pas një duzinë pasaportash. Sepse “iso-polifonia” ka pasaportën e UNESCO-s dhe  ajo, UNESCO, nuk është gjëndja civile e komunës apo e bashkisë.
-Problemi thelbësor është se…porsa u njoh “iso-polifonia” nga UNESCO si kryevepër e njerëzimit, filluan menjëherë sulmet ndaj saj….për ta nxjerrë jashtë nga UNESCO.
Unë nuk e di se sa të ndërgjegjshëm janë autorët e këtyre sulmeve për shkallën e dëmit kombëtar, si  pasojë e veprimeve të tyre.
Por, duke qënë se edhe vetë  kam qënë pjesë e debateve të së njëjtës temë, pra duke e njohur nga afër  problemin, lexuesit po ja paraqes me dy fjalë shkakun dhe arsyen e debatit:
E para:-Kënga jonë popullore nuk duhet të quhet “iso-polifonike”, por vetëm “polifonike” dhe me këtë emër duhet të hynte në UNESCO si kryevepër gojore e njerëzimit. Ne, thonë ata, nuk e njohim “iso-polifoninë”, ne njohim vetëm “polifoninë”.
E dyta:-Dr. Vaso Tole nuk u mori “leje” apo “dorën” këtyre  kundërshtarëve të emërtimit “iso-polifonik”, por e bëri “me kokën e vetë”, pa i pyetur fare ata.
Për sa i përket faktit se, a duhet të quhet  kënga jonë popullore “polifoni” apo “iso-polifoni”, duhet të kuptojmë se problemi qëndron më thellë se një emërim.
Le të sqarojmë  pikërisht thelbin e problemit:
Së pari- Emri polifoni dëshmon vetëm një karakteristikë të kësaj kënge dhe pikërisht shumëzërrëshin e saj (poli=shumë, foni=zërra).
-Por ama edhe kjo nuk është karakteristikë thelbësore  dhe e veçantë e kësaj kënge, sepse me shumë zërra, si në kuptimin e numërit të këngëtarëve, ashtu edhe në kuptimin e zërrave muzikorë, nuk këndohen vetëm këngët ‘’Polifonike’’popullore. Me shumë zërra këndohen edhe Marshet, (kujto Marshet e Brigatave, Divizioneve partizane).Me shumë zërra këndohen edhe Hymnet kombëtare të shumicës së shteteve të botës, të cilat domosdo këndohen me korre e grupe të mëdha dhe rallë ndonjë hymn që fillon, (ama vetëm fillon) me solon e ndonjë tenori, për tu shoqëruar më pas me korre apo grupe këngëtarësh, me zërin e parë  dhe me zërin e dytë..Nuk është nevoja të citoj këngë festive apo këngë patriotike të cilat gjithashtu këndohen me grupe e korre te fuqishme këngëtarësh, duke përdorur zërrin e parë dhe zërrin e dytë.
- Argumenti se, qoftë hymnet, qoftë edhe këngët e tjera te cituara me sipër mund të këndohen edhe vetëm, nuk qëndron për dy arsye;
a- ato s’janë  krijuar për t’u kënduar vetëm nga një person, pasi janë këngë që kërkojnë tonalitet të lartë, gjë që është e parealizueshme nga një person i vetëm.Plus faktin që të kënduara vetëm nuk e realizojnë dot misionin frymëzues dhe hymnizues për të cilën edhe janë krijuar.Ato kanë nevojë  për kolektivitet.
b- edhe këngët iso-polifonike mund të këndohen vetëm, mund të logaten, por gjithsesi duke imituar  praninë e një grupi.Edhe në hymne e marshe, kur këndohen vetëm, gjithsesi imitohet prania e një kolektiviteti, e një grupi ose korri, imitohet zërei i parë  dhe zëri i dytë. Provojeni të këndoni në  vetmi  këngën, psh ‘’Për Mëmëdhënë’’’’Ato maja rripa rripa’’,Hymnin Kombëtar ose Marshet e Brigatave etj etj. Gjithsesi do përpiqeni ta trashni zërrin, për të larguar vetminë e një zërri të vetëm, të zërrit tuaj. Ndërsa misioni i tyre frymëzues do lejë shumë për të dëshiruar.
-Është i vërtetë fakti se  këngët të quajtura “polifonike”, ndonëse janë vërtet shumë- zërëshe, secili zë ka karakteristikat e tij. P.sh roli i marrësit është i dallueshëm nga roli i  pritësit dhe hedhësit dhe ca më i ndryshëm është dhe roli i mbajtësve të isos..
-Por ama edhe te korret që këndojnë hymne, marshe dhe këngë të tjera, kemi disa zërra të dallueshëm, në disa raste edhe me ritëm e tonalitet të ndryshueshëm dhe kjo s’përbën karakteristikën e këtyre këngëve.
Pra, shumëzërëshi,  të kënduarit nga shumë persona apo nga shumë zëra muzikorë, ’’poli-fonia’’ nuk qënka karakteristike themelore e këngëve tona popullore, të quajtura  “polifonike”.
-Është i vërtetë fakti se emërtimi “polifoni” përfshin brenda edhe “iso-n”, por duke e përfshirë, nuk e evidenton rolin e saj parësor, qoftë si origjinë të këngës dhe të iso-s qoftë dhe si funksion të saj në këngë, por e lë  atë në hije. Madje shpesh herë lihet që të nënkuptohet se roli i “iso-s” është jo i rëndësishëm dhe “iso” mund të mbajë kushdo.
Për të kuptuar bllofin e kësaj teze, mjafton të asistoni në interpretimin e një kënge, nga  një grup  këngës himarjote ose pilurjote, ku do bindeni për funksionin dhe rolin e iso-s.

-Mendojn se nuk është nevoja të shtojmë si argument edhe faktin se, emërtimi  i këngëve popullore me emrin këngë “polifonike”, është emërtim i vonshëm, diku nga vitet 50, marrë nga leksiografia e huaj. Para këtij “pagëzimi”, këngët popullore quheshin “këngë ven(d)çe”, pra këngë të vendit, psh këngë labçe, himarjotëshe, skrapariotëshe, myzeqarshe etj. Madje, duhet të theksojmë se në disa raste quheshin edhe me emra fshati, psh këngë pilurjotëshe, këngë të Bënçës, të Lapardhasë, të Dukatit etj. etj.
-Karakteristika e këngës sonë popullore është “iso-ja”, ai rënkim popullor i ardhur nga vajtimi, që në hershmëri quhej “yso” dhe që është pikërisht “qielli” ku fluturon zogu i këngës,  deti ku ecën ania e këngës sonë,.
-Është më i plotë emërtimi ‘’Këngë me iso’’ose ‘’Këngë iso-polifonike’’ sesa ‘’këngë polifonike’’.Po ç’farë është në vetvete kjo “iso” e famëshme. As më pak e as më shumë por një zë i njëtrajtshëm që zgjatet, herë pa u ndryshuar dhe herë me ndryshim, sipas llojit të këngëve që shoqëron zërin kryesor’’marësin’’ të një këngë. Isoja përftohet  nga një zanore e vetme psh ‘’e’’ e cila në konteks mer formën ‘’e e e e e’’ si një zanore e stërzgjatur. Por në disa raste, sipas llojit të iso-s, kjo përftohet dhe nga zanorja ‘’o’’ në formën ‘’o o o o’’, ose dhe nga dy zanorë që kanë në mes nja bashkëtingëllore si psh ‘’o h o o o’’, ose dy zanore të njëpasnjëshme si psh ‘’o i’. Përgjithësisht, të gjitha zanoret janë funksionale për rolin e isos, si psh  zanorja u,ë,o,a,i. Te disa këngë, si psh këngët pilurjote, të cilat kanë një asambël të tërë mbajtësish të iso-s, me qëllim që  marrësi të ngrihet mbi iso-n, siç është  regulli normal i të kënduarit me qëllim që të dallohet teksti, disa mbajtës së iso-s e mbështesin marësin,  duke e  mbajtur iso-n  në një mënyrë të përafërt me fjalët e këngës ose, që të shprehemi më qartë, fjalët e këngës i shqiptojnë vetëm me zanore  ose me një grup  të caktuar zanoresh, tinguj të cilët janë më afër iso-s sesa tekstit. Isua ndryshe nga disa përcaktime teorike( si psh ne Fjalorin e Gjuhes se Sotme Shqipe fq 730) nuk është një zë që vetëm zgjatet pa ndërprerje, por është një zë që shpesh pëson edhe vibracione, ulje e ngritje, zgjatje e ndërprerje të mënjëherëshme për të rifilluar përsëri me një ritëm dhe tonalitet më të fuqishëm ose dhe më të ulët sipas këngës.Iso-ja në vetvete është si shtrati ku shkon lumi, herë  i ngushtë e herë i gjërë,herë i pjerët e herë i sheshtë. Iso-ja është e pranishme vetëm te këto lloj këngësh dhe nuk tjetërsohet kurrsesi. As nuk mund të hiqet.
-Iso-ja është pashaporta  e identitetit kombëtar të këngës sonë popullore. Ajo është vetë shpirti i këngës, prandaj ajo asnjëherë nuk
-Nuk ka këngë pa iso  në asnjë rast, ndërsa ka iso pa këngë. Psh logatja, më shumë se tekst, është një iso rrënkuese, pas së cilës fluturojnë si  trumba zogjsh rrokjet e fjalëve, gati të padukëshme e të pakuptueshme.
Shpesh herë kur kemi një grup të mirë mbajtësisht të isos, hedhesish  dhe pritësish,roli i marësist  bëhet vetiu sekondar, i dorës së dytë, aqë sa  ai e shpreh vargun në mënyrë recitative e jo duke e kënduar. Kjo ndoshta jo për të gjithë vargjet, por jo dhe për pak vargje. Ama një gjë e tillë nuk ndodh te mbajtësit e isos. Kurfarë recitativi nuk ka në mbajtjen e isos. Përkundrazi, marësi dhe zërat e tjerë bëhën sy e veshë për të mbajtur sa më mirë  e për të  shijuar ison.
-Dikur jam përpjekur të  argumentoj  se edhe kënga e famëshme e Tanës, nuk është gjë tjetër veçse …një tekst i mëvonshëm, hedhur si mantel mbi trupin e një iso-je vajtimtare, të  mëherëshme. Madje, kjo iso ka qënë shumë e herëshmë, ende  pa u shkëputur nga vajtimi.
-Iso-ja është më e vjetër se  kënga. Ajo është fara, nga e cila mbiu lisi i këngës.
Duke i hequr emërtimit të këngës fjalën “iso” është si ti  presësh lisit rrënjët.
Dhe unë ju them se lisit po i preve rrënjët, ai nuk është më lis, por brenda një vere quhet ...dru zjarri…
-Iso-ja dëshmon vjetërsinë (lashtësinë) karakteristike të këngës sonë popullore dhe indirekt  edhe stërlashtësinë e kombit tonë. Duke e hequr këtë element, biem padashur në tezën  se….kënga jonë popullore është “e re” në moshë dhe për pasojë, mund të mos jetë e jona, por …shqiptarët “hajdutë”, kur kanë ardhur në këto troje, do e kenë vjedhur edhe këngën  nga popujt e tjerë, ashtu siç kanë të “vjedhur” edhe Heroin Kombëtar, madje dhe flamurin.
-Iso-ja është vetëm shqiptare dhe asnjë  komb tjetër nuk e këndon dot si ne.
Janë bërë përpjekje nga këngëtarë të vendeve fqinje për të krijuar grupe folklorike të vendeve të tyre, për të kënduar këngët tona iso-polifonike. Kanë marrë  nëpër ato grupe edhe  këngëtarë emigrantë nga  vendi ynë, i kanë përkthyer mjeshtërisht tekstet e këngëve në gjuhën e tyre, por kanë dështuar pikërisht te “përkthimi” i iso-s dhe te  të kënduarit të iso-s.
-Iso-ja  shpesh herë  ka  një funksion më të gjërë edhe në vetë familjen e këngëve “iso-polifonike”. Psh, “iso-ja” e këngës himarjote, shpesh herë luan edhe rolin e refrenit (veç rolit të saj). Kjo duket më së miri të kënga “Vajzë’ e valeve”,”Kush është lule vilajeti”,”Nëntëqint e dhjetë viti” etj, këngë të cilat nuk kanë vargje  që të kryejnë rolin e  refrenit. Këtë rol e kryen vetë iso-ja, duke dëshmuar në këtë mënyrë edhe vjetërsinë e saj dhe të këngës sonë popullore.
-Atëherë pyesim: në qoftë se këngës sonë  i heqim “iso-n”, ç’farë mbetet nga kënga popullore shqiptare. Nuk është teksti apo “polifonia” (shumëzërrëshi) magjia dhe pavdekshmëria e këngës sonë popullore, por është pikërisht ajo, me e lashta, më e pavdekëshmia, nëna e këngës, “iso-ja”. “Iso-ja” është lumi i lotëve që buroi nga sytë e nënave dhe krijoi liqenin-det të këngës.
-Prandaj  dhe  kënga jonë popullore detyrimisht duhet të ketë në emërtimin e saj, emrin  dhe karakteristikën e origjinës. Atë të “iso-s”.
Së dyti:-Pyetjes se pse  Dr Vaso Tole, kur pregatiti dosjen për në UNESCO, nuk  mblodhi gjithë “miletin” për tu marë “leje” apo “dorën”, por e bëri “me kokën e vetë”, e tërci e vërci, unë do ti përgjigjem me një pyetje të thjeshtë:- A s’më thoni, ku do ta ngrini monumentin e këtij biri të popullit, për këtë shërbim të madh që i ka bërë kombit tim?
Ma thoni, ju lutem,  se dua të sjell edhe unë një lule.

Wednesday 13 February 2013

Dallgë ndjenjash mbi oqeanin poetik…



Dallgë ndjenjash mbi oqeanin poetik…

 

Poezia e Fatos Arapit në ciklin “Kur flasim për Artin Jonian” Nga Timo Mërkuri

Sa herë që nis të lexoj poezinë e Fatos Arapit, më duket se po eci  brigjeve të  Jonit. Veç jo një ecje, shëtitjeje pranverore, nëpër bulevardet e qytetit tim bregdetar, veshur me kostum e këpucë llustrafinë. Nuk e di pse ndjehem ndryshe në poezinë e tij, në  një ecje çapkënçe, domosdo zbathur, brigjeve shkëmbore të  Jonit. Ja ku eci lirshëm në një ranishte, ku valët vijnë e më përkëdhelin kërcijtë, pak më tejë  shkoj duke mbledhur gishtrinjtë e këmbës, si për të lehtësuar peshën e trupit mbi shkëmbinjtë e thepisur, me maja  si heshta, latuar nga dallgët. Por unë gjithsesi vrapoj (më saktë, fluturoj si pulëbardhë) mbi këta shkëmbinj.  Herë vrapoj duke u sokëllitur dallgëve me një heheeej  të stërgjatur, si për ti ftuar në një garë vrapimi, herë  ecij ngadalë  duke parë nëpër valë, si një Narcist, pasqyrimin e dritës së syve të mi, të ndezur nga dashuria. Pak më tejë , më mehet fryma, në prag të humnerave. Dhe pak më tejë, tek një qipariz  ulem e qaj me lotë  e ligje pranë një pllake mermeri me emrin e tim vëllai, sime  mëje apo të tim eti. S’më vjen turp të them që qaj, sepse qajnë dhe burrat, vërtet qajnë. Qajnë pikërisht pse janë burra dhe kanë zemër.   
                                         .
1-Floriri poetik i shtratit të lumit të lotëve.

Nëpër shtratin e lumenjve, mes gurriçkave të zallit, ato që ndrijnë tek tuk janë grimca floriri. Janë grimca të vogëla, gati pluhurore, por përsëri grimca floriri janë.
Në shtratin e lumit të lotëve të popullit tim, ndrin floriri i ligjërimeve të nënave, flori i cili na veshi shpirtin në galvanizimin e rritjes sonë, duke mos e lejuar ndryshkun e kohës të depërtojë brenda tij. Kemi kaluar fëmininë, duke u lëkundur si filiza në flladin e  ligjërimeve të nënave tona dhe më pas, të rritur, kemi i logatur vetë këto ligjërime, ashtu si degët e lisit, errën e malit e shndrojnë në muzikë duke e kaluar nëpër fletët e tij. Madje, një muzikë perëndie. A e dini ju, se Zeuzi i pëshpëriste Herës fjalë dashurie me fëshfërimën e gjetheve të lisave të Pilurit?
Kështu u rrit edhe Fatosi, në breg të lumit të lotëve të nënës së tij, (Unë jam ajo kokrizë/që mer rrëkeja e lotëve/dashuria thërmizë/gurgullima e botëve) lotë të cilat i vaditën  ëndrat dhe jetën….Takohemi vetëm në këtë dritë/u bëmë lot qiriri, motra ime…shkruan te poezia “Tek varri i lirisë” për të aritur si në një himn te vargjet e poezisë “Moj e vogëla sa loti”…unë gjysmavdekur ti gjysmagjallë/…në një pikë loti/të dy të vdekur/të dy të gjallë… për të vazhduar më pas…në një pikë loti pa fund pa skaj/mbaj dashurinë/dhe universin tragjik të saj…apo te poezia “Më jepni një emër”me vargjet …Më jepni një emër/ku brenda një bulëze loti/të fluturoj si Ikari..
 Loti i vogël, i rrumbullaktë si globi,  është bota e  ku u rrit poeti. Ky glob i vogël që rrokullisej faqeve të nënës, si vetë planeti ynë nëpër hapësirë, rra me kujë e gjëmë në shpirtin e poetit, duke ja përlotur jetën, por njëkohësisht, duke ja veshur me floririn e shtratit të   tij shpirtin.
Prandaj krijimet e tij kanë atë dritë floriri, atë dhimbje e dhimshuri  dhe dritë  që mbart loti.
Ai u rit mes lotëve, ndaj dhe  gjëja më e bukur që di të bëjë në këtë botë, është të lotojë.
- Ti i vdekur qan/unë i gjallë po qaj/Vëllai im!Vëllai im/Askush se ka parë diellin kështu të qajë/si ne të gjorët…vajtoj dhe unë bashkë me poetin te poezia “Askush se ka parë diellin kështu”… dhe vetiu shtoj një rënkim oi,oi që poeti ka haruar ta shkruajë. Ose nuk e ka parë të nevojëshme ti gdhëndë  gërmat në letër sepse i ka mbjellë si qipariza në shpirt. Dhe mbi çdo varg, këta qipariza  lëshojnë hien e tyre.
Nëna u nis.Pikur/ nga malli për ty, nëna u nis/këtej varrin s’ta gjetëm dot/u nis andej shkruan poeti thjeshtë .Dhe,sikur të mos jetë  vargu…këtej varrin sta gjetëm dot…të duket se poeti lajmëron telegrafisht apo me SMS vëllain, që nëna e tyre u nis me autobus apo me tren për tek shtëpia e tij, për të kaluar muajt e verës, sepse e kishte marë malli . Këtë ndjesi ta përforcojnë vargjet e mëposhtëme…Mos e lerë gjatë, mos e lodh/ duke të kërkuar/Nuk është e re,që e njeh ti/plakë me zemër të sëmurë/ sytë e kanë lënë/ka rënë tepër e trimërohet/e mbahet vetëm për hatrin tënd…
Në fakt, vargu i fundit, diçka të trishtëme të ndjell dhe vetvetiu kthehesh te vargu … këtej varrin sta gjetëm dot…dhe atëherë e kupton se nëna e poetit është nisur për… në atë botë, atje ku kishte shkuar më parë dhe i biri. Iku thjeshtë, për të takuar të birin. Iku si një nënë…pikur nga malli…Asgjëkundi   s’duket  fjala “vdekje”. Diçka flitet për disa  ikona vdekjesh, por ikonat gjithmon kanë qënë, ndërkohë që biri ka ikur diku.
Dhe poeti, me dhimshuri biri, porosit vëllain që, në atë botë ku është ai dhe ku po shkon nëna…Mos e raskapit andej duke të kërkuar/mos e lodh shumë nënën./Dili përpara për ta njohur/…
.Një kanistër të vogël në duar/ku kemi vënë pak bukë/ca kokra ullinj/tre grushte grurë të zier…Këtu ndalon mendimi pakëz i hutuar, gjersa kujtohesh se gruri i zier jipet në ceremonitë mortore, pas varrimit. Dhe për atë që ka ndodhur realisht, ta përforcon vargu i fundit… /tre qirinj të ndezur/ për shpirtin tënd…ku pas leximit të tij, natyrshëm mund të  vajtosh….vëlla, o vëlla… dhe të mos të të vijë turp për këtë shfrim, pa çka se s’bëhet fjalë për vëllain tënd. Sepse vëllezërit janë …vetëm…vëllezër dhe emrat e përveçëm s’kanë rëndësi.
Lexojeni dhe njëherë këtë poezi, ju lutem dhe mos tju vijë turp  nga lotët tuaj që do tju rrjedhin faqeve. Ashtu si mua. As mos u mundoni ti fshini. Sepse të gjithë kemi patur nëna dhe kemi vajtuar për to. Dhe nuk na ka ardhur turp të qajmë mbi varrin apo mbi foton e saj. Me fjalë zemre, që  sot i kemi haruar por që Fatos Arapi i ka përjetësuar në poezi edhe për ne.
A e ndjeni se poezitë e Fatos Arapit kanë brenda tyre ligjërimin e nënave tona, ashtu si deti ka në  thellësitë  e tij  gjëmën e dallgëve dhe jo vetëm lojën e valëve. Shih poezinë …Një grusht dhe mbi varr…Të gjithë po hedhin nga një grusht dhe/Por unë mbi të hedh/dy-tri copa qielli/dy-tri këngë labe/dhe stërkala gjoli/kur përplaset vala nëpër rrënjë ulliri./Këto i donte shumë babai im, i gjori/babai im, i miri… dhe vetiu  buza të dridhet si në një vajtim, për të mos thënë që …edhe mund të fillosh ta logatësh poezinë, duke rënkuar te vargjet …ku përplaset vala nëpër rrënjë ulliri, për tu shndruar në një klithmë te vargu…babai im, i gjori/babai im, i miri…
Dikush do të thotë që  emocionohem së tepërmi nga  kushtëzimi i poezisë te persona konkret. Unë po ju sjell një poezi tjetër, më të përgjithëshme, për konkretizim…
…Unë jam ajo kokrrizë/që e mer rrëkeja e lotëve….Unë jam ajo kokrrizë/që shkon e sdi ku vete/që humb e prapë stretet/që ron veç jo për vete…Nuk di pse duke lexuar këto vargje, mu kujtuan vajtoret e  fshatit tim nëpër gjëma, që duke vajtuar mbi arkivolin e  bijve, flokëçjerrë e faqe gëricur, duke u lëkundur me një ritëm kobzi, gati për të përplasur kokën te ndonjë murr a gurr i afërm, vajtonin edhe  pavlefshmërinë e jetës së tyre apo zezonën e jetës (u’ e zeza, u’/ si guri në rrokullimë). Dhe në rast se dikush do ta kompozonte këtë poezi, asgjë  tjetër s’do ti shkonte më shumë se notat e një ligjërimi mortor.
Shikoni poezinë…Përçartje në Tiranë….që të vargu i parë  nis rënkimi… …Krizantemat shkojnë vetë drejt varreve/dhe një si shpirt atje/…mban ndër duar dy diej të zinj… Po kështu  te poezia…Dielli i vogël…Sa shpejt u çuan lulet mbi varrin e nënës….Është nëna ime/si një diell i vogël/atje/poshtë…(more shokë).
Por këtë vijë melodike e kanë edhe poezitë ku nuk ka vend vdekja, si psh te poezia.. ”Për nënën time”. Lexoni vargjet…Eshtë bërë më e vogël nëna /(oi,oi) më duket/ se do ti ngatërohet këmba/ në rrezet e diellit/që hyjnë nga dritarja/nënës.(oi,oi).
Mund ta gjejmë edhe te poezitë e tipit”Shpresë e çmëndur”….Unë ikja Evropës me sytë nën këmbë/një mall që ther, një shpresë që çmënd… ose te poezia “Vetë tragjedia kishte humbur udhën” me vargjet  e dinim se për ne s’kishte të nesërme/ dhe vetë ishim e ardhmja e saj…
…për të aritur kulmin te poezia “Atdheu” me vargjet …Atdheu është dhimbje,është dhimbje/Një prill i pikëlluar në shpirt… Atdheu është varr i hapur,është varr/një jetë drejt tij shkon me besë që bind/Në një pikë loti mbyt lotin fatvrarë/në një pikë loti lirin e lind… 
Vërtet,se pema e lirisë veç me lot e gjak vaditet, aty në bregun e lumit të jetës.

Vazhdon…

Thursday 7 February 2013

Bungovilet e prera




Bungovilet e prera


I prenë bungovilet* barbarisht. E prej tyre
fluturuan kujtimet e fëmijërisë si harabela të trëmbur.

O po unë gjithmon kam patur nevojë për pak fëmini
që ma jepte lulimi i gjithvitshëm i bungovileve.

Tani luleve s’ua dalloj dot ngjyrat e zogjtë s’vijnë më tek unë
Ndaj më duket vetja si një zgërbonjë ku fryn veç era.


*-Bimë dekorative karakteristike, me lulim të gjitvitshëm.Thuhet se në qytetin e Sarandës e ka sjellur nga vendet arabe poeti Naim Frashëri, në kohën kur punonte në doganë e këtij qyteti.

  
Vetmi në dimër


Do ndërtoj një të dashur prej dëbore
Këtë dimër, kur edhe zjarri mërdhin.

Mdoshta më ngroh pak në këtë të ftohtë
Në këtë vetmi.
   
 Uji që lajmë duart


Pilati lau duart.Por ujin nuk e derdhi.
Me të lanë duart dhe fytyrën shekujve Pilatët e rinj.


Tani uji është nxirë.Mandje bie erë.
                                                         S’flitet më për pastërti.
Po pse dyndemi për duarlarje çdo ditë?

  
Një re më pengon
  
Ah kjo re e bardhë që s’lëviz.Kjo re e vogël e bardhë
Si shami e sime motre
                                  që refuzon të çpaloset në një lamtumirë.


Ah kjo re e bardhë që s’më lë të hipi në skaf e të nisem
Se në cep të saj ndrit ylli i mëngjezit si një lot pikëllimi.

  
Epilogu i lavdisë


Në Janinë. Pranë  kalasë. Për pesë para.
Shpatat e heronjve shiten
                                       në dyqanin e vjetërsirave.
   
Malçan *


Në Malçan, mali qan me dyzetë palë lot.
Era vjen me kuje. Por s’e kuptoj dot
Se ç’thotë në ligje? Për ç’gjëmë? Për ç’mort?
Qan e s’pushon mali dyzet shekuj plot.


Me lotët e malit,me lotët e mia
S’u ngope, o Zot?



*-Malçan- mal në rrethin e Sarandës. Thuhet se emri i tij shpjegohet me togfjalëshin   “ mali qan”, pasi në shpatet e tij janë dyzetë burime me ujë të pastër,si loti..


Hëna e fëminisë sime


Sa e bukur qe hëna e fëminisë sime. Sa e bukur.
Kur loznim mbyllasyza, hipte mbi manin e xha Dhimos
Tundte degët e binin meteorë
E mes gjetheve më shkelte syrin e ma bënte
                                                                kuku, kuku.
O, po qe e bukur hënëza ime.
                                   Unë ëndëroja të martohesha me të
Ose,së paku, të merja një nuse nga hëna.

Mesnatës, kur më përcillte  në shtëpi, ulej te hardhia
                                                                          praën dritares
Ku unë më në fund, e puthja nëpër ëndëra.

Qe vërtet e bukur hëna ime. Tani
Në qiell është një hënë bullafiqe.Plakë mistrece.
                                                              Leshralëshuar përmbi det
Që përgojon gjithë natën vajzat e qytetit.

Ziliqarja e dreqit.