Tuesday 4 June 2013

E lënë në mes



Nga Fatmir Terziu

E LËNË NË MES
Bisedë me Timo Mërkurin

Pritet të zihet Hëna
nga palmat që u thanë me dy derte:
që nuk i panë lodrat,
dhe që nuk shohin më dete...
Shkarpë majë mendimit
kështu paralajmëruan Yjet.
“Shenjtëria e Isos” ende bën alarmin
mbiu “Anatomia e Lotit”
motiv pa qiell,
as bimë, as qumësht, as zogj
hije pa diell,
yje me neon.
Koha që flet për brezat
shtrihet si vello e grisur mbi Jon.
Hëna e trembur pyet:
‘Kush do ti rikthejë yjet’?

Monday 3 June 2013

Ndoshta vjen të hënën…



NDOSHTA VJEN TË HËNËN…


Një emër

Kur dëgjoj këtë emër vajze, dridhem
e  kam frikë.

Më duket se do të tradhëtohem sërish.


Ndoshta vjen të hënën…


Si erdhi kjo e shtunë që nuk është e shtunë?
E heshtur.
Dhe heshtja është hymn i vetmisë.

Akrepat e orës
ngjajnë si kërcuj shkurresh, të djegura në shpat mali.
Luhaten nga era.Po prapë mbeten në vend.

Duhet patjetër të kaloj të dielën,
si një djerrinë të përcëlluar
                                       plot thëngjij e afsh shkrumbi,
e të mbrij tek e hëna,
ku më prêt buzëqeshja e një trëndafili të porsaçelur
që valëvitet si flamur në kiçin e tragetit.

Dhe s’dua të mendoj
                                 që e hëna mund të vijë dhe vetëm.
Po qe kështu, lere, të mos vijë.


Sy vajze në trotuar

Qerpikët lyer me rimel e zgjatur si qipariza
u bëjnë hie ëndrave të vdekura
                                              varosur në parcelat e syve.


Sa shumë varre,
sa shumë kryqe
 paska brenda tyre.