Tuesday 29 October 2013

Tekstualja në vështrimet kritike dhe gjykimi estetik





Tekstualja në vështrimet kritike
dhe gjykimi estetik

Vladimir Muça Poet - studiues
              
       Një vështrim analizues mbi librin e Timo Mërkurit “Kur flasim për artin Jonian”


     Që kur lindi arti i të  folurit dhe i të shkruarit, sidomos kur bëhet fjalë për letërsinë , është një domosdoshmëri  e zhvillimit, që filli i saj  të lidhet me mendimin kritik , me krahasimin e vlerave estetike që dallon veprat letrare.
    Nuk është rastësi që në lindjen e filozofisë të artit të të shkruarit , lindi dhe lulëzoi dhe mendimi kritik në botën e letrave. Kritika e ka  suportuar gjithnjë krijimin letrar. Jo më kot mendimi kritik i Bjelinskit të madh në Rusi u shoqërua  me krijues gjigandë si Çehov, Dostojevski , Gogol . Sot në kritikën tonë letrare vihen re me shqetësim të madh që vlerat i marrin antivlerat e të ashtuquajturve përfaqësues të një letërsie “bestseller “. Siç janë librat e karakterit monografik e politik të Blendi Fevziut, Edi Ramës, Ben Blushit e shumë e shumë monografistëve të porositur .
   Kritika e sotme  po kalon krizën e saj të dithirambeve , nuk po del dot nga qerthulli nga ku e ka futur klientielizmi  dhe kjo ekonomi e mbrapshtë librare e tregut.
   Eshtë një ogur i mirë që krahas botimeve estetike për Migjenin e  madh  nga Dr . Moikom Zeqo , i cili e evidenton Migjenin si prurësin e parë të koncepteve të një estetike moderne, në vitet 1930- 1935, botimit të mendimeve kritike të Adriatik Kallullit , Dr. Fatmir Terziut krahas mendimeve kritike të përkthyera të Umberto Ekos ,të Bodlerit, Luis Borgesit , në atë lëmin tonë , në atë ‘magmë jonike’ , të kemi   midis nesh mendime kritike mbi produktet  letrare të bash miqve e shokëve shkrimtarë si Timo Mërkuri.
  Në këtë vepër studimore ,Timo ngulmues në punën e tij, vjen disi i vecantë, disi natyral në konceptet studimore. Ai e ka flak tutje konceptin ”bestseller “,  evidenton vlerat  me kontekste kohore e vendore duke sjellë para lexuesve karakterin natyralizues të veprave letrare duke sjellë bukurinë , brishtësinë, zhurmërinë e dallgëve të bregdetit jonian , atë athtësinë e kripësinë  që u jep jo vetëm habitatit por dhe njerëzve dhe veprave letrare.
   Konceptin kritik Timo Mërkuri e shtrin në tre metodika kritiko- analizuese:
Vështrim reçensional në studime mbi disa vepra të Spiro Llojit, Kristo Cipës, Dr. Fatmir Terziut, Ymer Nurkës.
Vështrime kritike në nxjerrjen e vlerave e të veçorive autoriale siç janë vështrimet për Fatos Arapin, Andrea Zarballën, Kiço Papës.
Kritikë tekstuale, krahasuese, ku prioritet vështrimor merr ajo ç’ka është në tekst , duke krahasuar  debitet e  prurjeve të reja ( kjo si mënyrë efikase me suportet që jep në zhvillimin e një letërsie të vërtetë). Në këtë kategori hynë vështrimet mbi Agim Maton , Dr. Fatmir Terziun për romanin “ Kojrrillat” , Aqif Hysën  për  “ Poema e ikjes” .
   Ashtu sikundër për Umberto Ekon , kjo mënyrë është themeli i studimeve të estetikave në zhvillimet letrare ; edhe për Timo Mërkurin  kjo përbën shuminë studimore. Autori i harron autorët e vargjeve, prozave që merren në analizë dhe merret me ekstraktet e domethënies, nënshtresat mendimore e qëllimore, merret me toponiminë , onomanistikën, fonemat e reja që i japin dritë kësaj letërsie si në konceptin e kohës  kur ajo është shkruar, por edhe kohën që ajo pretendon të përfaqësojë.
    Autori ngulmon në natyralitetin ku ajo ka lindur dhe po rritet me atë modernitetin , me atë “ magmën Jonike” apo me “ Valët u ngjirën duke folur” të Agim Matos. Autori sikundër gjithë krijuesit bregdetas ,që si djep lindje të veprave kanë këtë det e këtë bregdet, sa të magjishëm aq dhe kapidan në konceptet studimore e kritike.
   Ai nuk i len pa nanurisur në këtë djep , në këto dallgë, në këto shpella pëllumbash , piratësh ku zëri gjëmimtar i Bubulinës gjëndet në çdo rresht apo varg. Në këtë gjëmimtari qytetarie të Artit Jonian si krijues ai po përfiton qytetarinë edhe në aspektin e mirëfilltë eseistiko – studimor, ku me një transparencë evidentohen vlerat krahasimtare të këtij arti  si në kohë dhe në hapësirë , pa kufij gjeografikë. 
    Autori e ka kapërcyer me sukses provincionalizmin sundues , duke reflektuar me eseistikën e vështrimoret e tij konceptet globalizuese në artin e studimit, duke evidentuar lidhjet e ndërsjellta gjeografike, duke mos e kufizuar hapësirën jetike të artit në vijat kufitare shtetërore.
    Bindshëm , autori shprehet: “ Piramidat , klonet ndajnë shtetet, pengojnë njerëzit , kontaktet fizike , por nuk i ndajnë dot kulturat dhe artet, aq më tepër kur ata kanë një shtrat – lindjeje.” Autori aludon për atë shtrat – lindjeje që shumë pak studjues ,përjashtuar Dr. Moikom Zeqon dhe Dr. Fatmir Terziun , e proklamojnë në studimet e tyre.
   Me të drejtë Timo ngulmon në këtë shtrat kulturor që është globalizues e me thellësi kohore, duke evidentuar që andej vlerat e vërteta të lëna trashëgim ndër shekuj. Ashtu sikundër krijuesit Dr. Fatmir Terziu , Fatos Arapi , Andrea Zarballa , Agim Mato, Bardhyl Maliqi , Irena Gjoni, Spiro Lloja , Kristo Cipa, Ymer Nurka, Kiço Papa edhe  studjuesi  Timo Mërkuri  nuk i largohet në interpretimet stilistike e eseistike nga djep- lindja e këtyre produkteve, ai vjen si  një lindje e dytë e tyre. Vepra letrare kur shoqërohet nga vështrime të tilla kritike , merr frutet e një lindjeje të dytë , drejt një materie të re librare, në kontekste pavdekësie.
     Vepra dhe kritika gjejnë njëra tjetrën  në të njejtin habitat , në një kaltërsi plot yllësi metaforike , plot njelmësi detare , ku lexuesi e kupton lehtas e ndjellet nga vjen kjo ngrohtësi  në këto poezi , në këto proza  apo pikturale natyrore.
    Në këto vëzhgime kritike Timo Mërkuri kërkon me ngulm ato “ sinore” , kopshtije riviere, thepa shkëmborë, sy të kaltërt , ato shpella pëllumbash  të egër , ato dallge joniane kreshtashkumbë , ato natyralitete ku moderniteti e ndjen veten si ajo perla në guackën shekullore, si ajo “ magma jonike”  e cila ka filluar t’i japë nxehtësinë e jetësinë kësaj toke.
   Në këto kontekste mendimi estetik vlerësues  i vlerave letrare vjen si domosdoshmëri  për të analizuar me “ këmbë në tokë “ e për të bërë  interpretimin e vlerave  krijuese. Sidomos këto vite të një stanjacioni letrar , ku mendimi  kritik ka marrë shumë molisje , ka stepje , është në një dilemë “ të rrosh apo të mos rrosh” .
      Hera herës  në panaire e konkurime mediatike  të një letërsie biznesi ( vetëm me qëllime fitimprurëse ) monografiko – politike kritika dhe mendimi estetik ka qenë gati – gati  ana e errët e shprishur , tendecioze , imponuese gjer në përmasa shkatërruese për artin e të shkruarit dhe shkencën që merret  me interpretimin e veprave artistike.
      Abuzimi duke bërë krahasimtari të disa “ bablokëve shkrimtarë “ , si “ gjeni “ të letrave, e krahasimtarë me Bodlerin , Borgesin , Eliotin e Xhojsin është e keqja më e madhe klienteliste me shpërblimin e mundshëm financiar në kuadrin e një joçensurimi letrar , jo estetik, jo profesional  por bazuar në tekat porositëse.
   Ndaj dhe kritika si shumë e shumë krijuesve, të lëna në mënjaninë e këtij biznesi  letraresk  jetojnë me rrezikun të mbeten ‘ pa kek e pa lek ‘ , siç thonë me humor tiranasit. Në këtë aspekt gjen veten thënia e famshme se “ Arti lind nga kufizimet dhe vdes nga liritë”.
    Duke lexuar këto refleksione të përqasura aq shumë me realitetin që përjetojmë , krijuesit  , por dhe vetë autorët , më erdhi në mendje një urtësi e Umberto Ekos : “ …e vetmja forcë që ve në lëvizje intelektin filozofues është e vërteta.”
    Siç duket Timo Mërkurin, urtësia e Ekos e ndjek hap pas hapi me të vërtetat gjatë gjithë librit. Gjatë analizave vëzhgimore , autori , një rëndësi të veçantë  i kushton hapësirës të shprehjes dhe hapësirës së përmbajtjes. Ai ngulmon shumë në raportet ndërvepruese , bashkërendimit ndërmjet shprehjes dhe përmbajtjes , duke shmangur prioritete që ka sot rendja në të shumtën pas formës së shprehjes , kozmofonisë se sa thelbësores të problemit , idesë e qëllimit të një vepre letrare.
   Krijuesi ulet , lodh trurin , jo vetëm që të sjellë  një relaks shpirtëror , por në bazë të krijimit të mjeshtrave të mëdhej , është qëllimi , idea përse duhet shkruar një produkt letrar. E kjo sentencë është e pluguar mirë e thellë nga Timo Mërkuri në këto vëzhgime. Ndaj  autori në këto produkte eseistiko – kritike nuk rend pas emrave gjoja të mëdhej, por merr në vlerësim ato  prurje letrare që për të përbëjnë risi  dhe që sjellin një frymë të re, me taban në këto treva Joniane.
    Në gjininë e romanit ai sjell sfidat romaneske të Dr. Fatmir Terziut, me ndodhi të kaherëshme por në novitete  të reja moderniste .
    Në prozën e shkurtër  të Edmond Llaçit ai sjell kuptueshmërinë e shumëfishtë , me dëndësinë e mendimit dhe të qëllimit në një individualitet dhe estetikë të re me nocione e pasazhe poetike me amalgama lojcake , një dukuri kjo thelbësore në modernitetin e prozës të shkurtër.
    Në veprat poetike të Agim Matos , Fatmir Terziut, Andrea Zarballës , Kristo Cipos, Spiro Llajos, Kiço Papas, ai evidenton një soj të ri të lirizmit me nocione epiko- balaidike që aq shumë i shkon për shtat truallit ku përdita autori kuvendon me këta brigje e dallgë duke u ngopur me kripësinë Joniane, aromën e portokajve e të limonave , duke ngopur shpirtin me ato kolazhe poetike të Kiço Papës apo shpirtin rrebel e fundos të Agim Matos.
    Nga kjo vjen dhe skalitet dhe portreti estet i Timos. Në tërësinë estetike e analitike ai nuk na përqaset si  një kritik skolastik i veprave të krijuesve Jonianë  e të mëpertejmë.
Ai vjen me një diapazon kërkesash  e interpretesh ,që përkojnë me zhvillimet e sotme letrare në kuadrin global, të hulumtimit të vlerave  dhe dukurive letrae në aranzhim me zhvillimet shoqërore. Ai evidenton si  një domosdoshmëri në artin e të shkruarit , veçoritë e Artit Jonian që është:  “ mbështetja tek tradita e pasur popullore.”
    Kjo , ngulmon autori , është arritur duke qenë krijuesit, njohës të thellë  të artit popullor, duke ngulmuar , ashtu siç na mëson Umberto Eko në përdorimin gjërësisht  të ekstraktit popullor si një “ mballomë artistike” e cila rrit dukshëm vlerat e një krijimi.
   Leximi toponomanistik dhe onomanistik , veshja me vlerat e tyre e bën Mërkurin të jetë një vëzhgues e krijues i mirfilltë Jonian , një shpërfillës i kufijve gjeografikë të ekzistencës. Ky është dhe thelbi i natyralitetit që thirmon autori në personifikimin e Fatos Arapit e të Agim Matos.
   Në këtë libër të gjithë esetë sikundër eseja “ Sa pak det paska në poezinë shqipe “ janë në funksion të analizave kritike , ku perla ‘ vajza e valëve’ dhe simotrat e saj janë apotheoza  dhe burimore nga ku veshin gëzofin e ri natyraliteti i këtij moderniteti. Në këtë modernitet rrinë lirshëm legjendat e djeshme, epet si dhe marrëzitë e sotme , rrinë ekstrakti  i kristaladave popullore.
    Lirizmi atdhetar, shpirti i gjerë lirik  me vlera të rralla estetike noton lirshëm në nocionet balaidike dhe epike në kontekste të reja , risi këto të evidentuara nga krijimtaria e Agim Matos, Dr. Fatmir Terziut , Kristo Cipës, Andrea Zarballës si  një dukuri  e re. Kjo është një nga tiparet themelore në poezinë bregase , është një nga ekselencat për estetikat e reja pas soc -  realiste, estetika pa kurrfarë kufizimi por me një marzh shtrirjeje të palimituar.
    Nëpërmjet poetit Kiço Papa në post – mortumin e tij , Timo sjell ato elementë ekzistencialë të poezisë që tentonin në vitet 70 – 80 të çanin pancirin e soc- realizmit  për të cilin shumë poetë nga ai brez si Fatos Arapi, Agim Mato , Thanas Dino, Niko Kacalidha, Spiro Llajo përfituan  persekucionin ideor e kulturor gjer në përmasa të një gijotine klasore.
    Në librin “ Kur flasim për artin Jonian” , Timo Mërkuri me anë të vështrimeve realiste në kohë dhe në hapësirë, portretizon profilet e shumë autorëve më në zë që kanë shkruar dhe përtej bregut jonian.Këto portrete krijuesish ai i jep me një sqimë e besnikëri atje ku i ka rënë këmba duke nxjerrë veçoritë e talentit të tyre.
     Por duke u marrë me një shumi portretesh , ai njëkohësisht profilizon dhe portetin e vet krijues sa origjinal aq dhe të spikatur në modernitetin e tij të natyralizuar në proçesin krijues.
     Me një pasion të dyfishtë ; të krijuesit dhe të analistit ai plazmon artin e fjalës. Pa asnjë qasje në mëdyshje pas një stanjacioni njëzet vjeçar , Timo Mërkuri  i bashkëngjitet veprave studimore të Dr. Moikom Zeqos, Dr. Fatmir Terziut, Adriatik Kallullit, Gjekë Marinajt, eseistit Fatmir Minguli.
     Libri “ Kur flasim për artin Jonian “ , me konceptualitetet që shtron dhe refleksionet estetike është një kontribut  për ripërtritjen e gjinisë analitike dhe të kritikës; në instituticionalizimin e saj si një domosdoshmëri e zhvillimeve kohore.
    Urime Timo Mërkurit! Urime!
Dyrrah 16 – 17. 10. 2013  
Vladimir Muça
Poet - studiues