Friday 27 December 2013

Mendime që mërdhijnë



Mendime që mërdhijnë

- Përsiatje mbi vëllimin poetik “Aromë burri” të Fahrie Kllokoqit -


Ndërsa po lexoja poezitë e vëllimit poetik “Aromë burri” të Fahrie Kllokoqit, vetiu mu kujtua nja varg, i një poezie, të një poeteje të mirënjohur, botuar dhjetra vite më parë, i cili më rrënqethi shtatin si një i ftohtë dimri.
Një varg i thjeshtë…ne më pak shkruajmë shkruajmë për ta….i cili ishte antitezë e vargut të mëparshëm….Meshkujt shkruajnë shumë poezi për ne…
 Kanë kaluar disa dhjetvjeçarë që nga leximi i kësaj poezie, por ky varg nuk di pse më ngeli i strukur diku në kujtesë, si një dhimbje plage e fshehur. Vërtet në poezinë shqipe rraporti i poezive lirike kushtuar personave të gjinisë tjetër, deri në fillim të viteve 2000, ka qënë tërësisht në favor të femrave. Poezi e poema, këngë e recitale, romane e tregime shkruar nga autorët meshkuj për femrat. Vetiu më vjen ndër mendjë shprehja e Kadaresë se….Femrat kanë më shumë fat në këngë…Kadare e kishte fjalën kryesisht për këngën popullore, por ja që këtë fat femra shqiptare e kishte jo vetëm në artin popullor por dhe në letërsinë e kultivuar të kohëve më moderne. Veçse ky “fat” dëshmonte faktin e “mungesës së një fati” real shoqëror.
Në periudhën kohore 1960-200, femrat e arsimuara ishin shumë, por femrat e civilizuara ishin shumë më pak se ato të arsimuarat. Kjo shpjegon faktin pse …ne më pak shkruajmë për ta (meshkujt)… Faktorët që ndikonin në këtë pikë janë të shumtë dhe ne nuk kemi marë përsipër analizën e tyre. Por duhej një civilizim i lartë shoqëror, një shkëputje e femrës nga “vargojtë” tradicionalë , që ajo të shpaloste personalitetin e saj edhe në… poezi dhe natyrshëm të shkruante për dashurinë e saj.
Tashmë janë një plejadë poetesh, që jo vetëm shkruajnë këtë poezi, por e shkruajnë plot art e finesë, deri aty, sa na bëjnë të ndalim hapin e të kthjemë shikimin drejt tyre, plot admirim.
Në mes tyre bën pjesë pa dyshim edhe poetja Fahrie Kllokoqi me vargun e saj të guximshëm… …Eja zemër/fërko lehtas çdo pjesë /të trupit tim/ndize flakë ndize si eshkën/këtë dashuri./Mos haro ti marrësh borxh/një bashkëtingëllore alfabetit/se na duhet pastaj/kur do bëjmë duet zanoresh….Eja zemër/ta djegim bashkë këtë natë/dhe Alpet ti avullojë/ngrohtësia e gjatë…
Diku midis vargjeve një emër “Alpet” që të kujton jo vetëm një jetesë kanunore të djeshme, por edhe një ftohtësi akullnajore shumvjeçare, që i përshtatet ndrydhjes së ndjenjave të femrës, vite e vite me rradhë, ndjenja që binin njera mbi tjetrën si borërat e vitpasviti, duke u shndruar në një akullnajë, shkrirja e të cilës ishte gati e pamundur në pranverë. Në qoftë se ska ngrohtësi dielli të shkrijë këtë akullnajë, këtë zjarr e ka dashuria. Dhe këtë dashuri afron poetja. …Mos ma zhvish ëndrën /e netëve të gjata pa gjumë/.Mos ma ndalo këngën….që nuk e këndova dot kurrë/ Eja ngrohu te buzët e mia/jepi udhë lumturisë…Mos ma ndalo ëndrën/lere të lumturohet /me pranverën/kujtimeve mos ua mbyll/derën..
Por poetja është më direkte në ndjenjat dhe vargjet e saj…I shtrenjti im/ato dy fjalë të thjeshta/sa shumë thanë për mua/..I miri im/Unë po atë natë të futa thellë kaltërsive/të syve të mi….
Përgjithësisht , në jetën shqiptare, është djali ai që mer inisiativën për ti thënë vajzës fjalë të ëmbla dashurie. Vajza dëgjon e hesht, i thith këto fjalë si toka e etur shiun e parë, por gjithsesi hesht. Dhe kjo heshtje e trazon dhe e trullos djalin me hamëndësime refuzuese, ndonëse e ndjen se po hapet porta e lumturisë. Por heshtja është shumë e rëndë…Pse sta thotë goja,ç’të thon ata sy…këndon dëshpërimisht djali shqiptar në një këngë.
Ndërsa poezia nis me fjalët e ëmbëla mikluese…I shtrënjti im…I miri im…dhe të vjen të thërasësh me gazmend…Shih se ç’lumturi të pregatit fati o ti fatlumi, që të kam zili. Nxito , se për ty po hapen portat e lumturisë…Sonte nuk të dua të rregullt/…Të dua….si çapkën I pandreqshëm/të më skuqen faqet…nga mjekra jote…
…Mos e fik dritën/është e pabesë nata/…do të prek lehtas/si puhizë mbrëmjëjë/në pranverë….
Është e drejtpërdrejtë poetja…Mos mu lut, nuk iki/Do jesh dashuria ime e përjetëshme/je I tëri vërtetësi fjalësh të bukura/ku errësira ska vënd/Je një vërtetësi e bukur jete…. …Do zë vënd aty te kulla jote/antike/që lind e sdua të perëndojë/puthja….Me ty jam si me zotin.
I lexon këto vargje të bukura dhe thua me vet…Pse koha i privoi shumë djem të dashuruar nga ngrohtësia e tyre, nga muzika magjike lumturidhënëse e tyre.
…Sonte mos vono/u mërzita me këtë pritje/Është ndalur ora/nga dita që andej më ike/Më mungon frymarja/jote e bekuar/ngrysem e gdhihem/nga bota haruar/ Eja zemër…/më shtrëngo e më mer…/
Cdo vajzë e ka përjetuar këtë ndjenjë vetmie, çdo vajzë i ka pëshpëritur këto (afërsisht) vargje në pritje, por cili djalë po ti dëgjonte, nuk do kapërcente male e dete, si zog me krahë a si peshk me hala për tju ndodhur vajzës pranë.
Jeta shqiptare ka humbur shumë nga ndrydhja e zërit të femrës. Arti shqiptar, pa këtë zë, ka qënë si një çifteli me një tel të këputur. Prandaj dhëmbin vargjet vijuese të poetes, vargje të cilat, me gjithë finesën e tyre, më shumë të ngjajnë me thika teh holla, që të futen thellë në shpirt e të lënë plagë të padukëshme e të pashërueshme. …Sot/nuk e shijova diellin/pa ty më drithëroi zemra …thotë poetja thjeshtë. Edhe ne nuk e kemi shijuar diellin plotësisht, por kemi hezituar ta shprehim. …Dikur më ngrohte prania/ jote/tashti,mendimi për ty/mërdhin….Mbeta këngë e pakënduar…Të kërkova në dritë të hënës…Në këtë verë qyqja këndoi/tre ditë e tre net..
A mos vallë është ky fati i femrave kurajoze, që i shoqëron moskuptimi, pjellë e një educate tradicionale. Por ne thamë që do flasim vetëm për poezinë. Analizën sociale do ta bëjmë tjetër herë.
Finesa e vargjeve poetike, kurajua civile që ato mbartin, sinqeriteti dhe origjinaliteti i shprehjes së ndjenjave dhe vargjeve e bëjnë poezinë e Fahrie Kllokoqit të admirueshme dhe të rilexueshme. Si pak vëllime poetike, në këtë ortek botimesh

Wednesday 18 December 2013

Të flasësh për Lefter Çipën



Të flasësh për Lefter Çipën

 Foto: 
Lefter Çipa dhe Timo Mërkuri në veprimtarinë e zhvilluar në Himarë




Të flasësh për Lefter Çipën, aqë më tepër këtu në Himarë, është sa e lehtë po aqë dhe e vështirë.
 Është e lehtë, për vetë faktin, se mund të përmëndësh  lehtësisht titujt e mbi 19 librave poetikë të botuar prej tij, duke e nisur që nga “Bejkë e bardhë”, “Shqipëri moj ballëhapur” e duke vijuar  normalisht te “Kënga që tret lotin”, “Këngët e Akroqeranit”,”Këngët e Ruzanës”, “Për Kosovën prap do ngrihem” “Princi I dashurisë”etj etj. Dhe ajo që  duhet theksuar  për këto vëllime poetike, është fakti se gati të gjitha poezitë  janë  krijuar mbi një shtrat  këngësh, duke  qënë njëkohësisht edhe tekste këngësh., qoftë kjo këngë e mirëfilltë popullore apo dhe e përpunuar, po ashtu edhe të muzikës së lehtë apo korale.
Në këtë drejtim, për Lefter Çipën duhet të theksojmë se ai, si asnjë tjetër, ngriti nivelin artistik të teksteve të  këngëve popullore në nivelin e poezisë më të arirë bashkëkohore, duke  e bërë këngën popullore edhe në këtë drejtim, më fine dhe më jetëgjatë.
 Është e lehtë të flasësh, për vetë faktin, se mund të citosh disa nga mbi 1300 këngët e tij, të interpretuara nga grupe të ndryshme  popullore, duke nisur që nga Grupi i Pilurit, (udhëheqës artistik i të cilit ka qënë mbi 40 vjet) e duke vijuar me grupet  e Himarës, Bënçës, Gjirokastrës , Vlorës e Lapardhasë e deri te Asambli Shtetëror i Këngëve dhe Valleve.
Dhe gjithmon  kanë qënë këngë të suksesëshme e jetëgjatë..Edhe sot këndohem plot passion këngët “Bejk e bardhë”, ‘Nga kjo balt e kësaj toke”, “More Naim Shqipëria”, “Vito pëllumbesha”,”O shokë vdeksha nga kënga”,”Në të marça manushaqe” etj etj dhe haron se data e krijimit të tyre shënon disa dhjetvjeçarë.
 Krijimi i variantit të këngës pilurjote, vija e saj melodike dhe struktura e grupit, novacioni i shoqërimit të këngës me fyell etj, është një nga sukseset më të  mëdha të  këngës popullore shqiptare. Ky sukses ka firmën e autorësisë së Lefter  Çipës. Jehona e madhe   mbarëkombëtare dhe jetëgjatësia e saj janë dëshmitarë të këtij suksesi, që në vitet  ’70 ishte shndruar në një triumf të vërtetë artistik. Kjo bëri që, kur përmëndim emrin e  Lefter Çipës, vetvetiu fjalët na  dalin nga buzët  si këngë.
 Mund të përmëndim lehtësisht faktin, se ka qënë pjesmarës me grupin dhe krijimet e tij në shumë festivale folklorike kombëtare, prej të cilave gjithmon është kthyer me çmim.
Mund të shtojmë edhe faktin se ende vazhdon të shkruajë tëkste këngësh, të  botojë ,  të mbledhe  krijimtarinë popullore e ta pregatisë për botim.
Mund të përmëndim gjithashtu edhe vlerësimet e shumë personaliteteve  të artit dhe kulturës që nga Dritëro Agolli, Xhevahir Spahiu, Anastas Kondo, Irini Qirjako,  Dalan Shapllo,Shaban Sinani etj etj.
 Mund të flasim shumë për Lefter  Çipën e prapë të ndjejmë se si kemi thënë të tëra.
 Por këtu në Himarë është edhe e vështirë të flasësh për Leftër Çipën dhe ca më tepër për këngën popullore.
 Sepse bisedën duhet ta nisësh patjetër nga legjenda e këngës himarjote, nga Neço Muko Himarjoti dhe grupi i tij, të vazhdosh  për Dhimitër Varfin, madhështor e të heshtur, si një monument, të admirosh grupin e vajzave të Dhërmiut, të bukura si lulja “mos më harro” për të mbritur të grupi i Pilurit, si një ortek këngësh me Lefter Çipën në ballë, e për të ecur më tejë te grupi i ri i Himarës. “Ç’shokë pate o Lefter”.
 Janë disa male, të lidhura në një vargmal, dhe që nga kjo sallë, ne e kemi të vështirë të dallojmë se cila është maja më e lartë. Të gjitha majat arijnë te yjet dhe rretë e harimit ndërojnë rrugë para tyre. E kemi të vështirë të dallojmë se te cili mal janë më të fortë e më të dëndur lisat e këngëve apo në valet e  cilit ka më shumë lule. Për ne janë të gjithë të bukur e të dashur, sepse janë tanët, janë himarjotë. Sepse  kënduan për ne,  për Himarën e për Shqipërinë, duke i dëshmuar botës nëpërmjet këngës, shpirtin  artistik, progresist dhe europian të kombit tonë dhe njëkohësisht duke i treguar popullit rrugën e artit për në europë.
 Prandaj është e vështirë të flasësh veçmas për Lefter Çipën, malin në vargmalin e këngës, yllin në kostelacionin e yjeve të artit popullor, njeriun e thjeshtë që asgjë se dallon nga  pjesmarësit e tjerë në këtë sallë.
 Por tejë  dilemës së mësipërme, vëshirësisë  apo lehtësisë për të folur për të, unë ju them, se është nder  për Himarën dhe Bashkinë e Himarës që të nderojë me titull nderi këta kolosë të artit popullor, të cilët kanë nderuar në vite dhe për jetë Himarën dhe Shqipërinë.
 Edhe për mua, gjithashtu, është nder të flas  për Leftër Çipën në këtë ceremoni nderimi dhe vlerësimi dhe ta ftoj të marë titullin e nderit që populli i jep.
 Dhe ti them: Kur të vlerëson vendi yt, fshati dhe krahina jote, atëherë ke arritur majën.
 Më tejë …janë vetëm perënditë.
 Ta gëzosh titullin e merituar, të nderit, o Lefter Çipa!
 Himare, me 14.12.2013
 *Fjala ime ne paraqitjen e Lefter Çipës në momentin e dhënies së titullirt “Nderi I Himarës”,  në aktivitetin e organizuar nga  Bashkia Himarë, me rastin e dhënies së titujve të nderit disa personaliteteve dhe grupeve të artit.

Thursday 12 December 2013

Një vlerë mbi vlerat poetike



Një vlerë mbi vlerat poetike
(Libri “Kur flasim për Artin Jonian” i Timo Mërkurit)

Nga Dr. Zejnepe Alili REXHEPI


Të pranosh mahnitjen, gjatë leximit të librit “Kur flasim për Artin Jonian…”, është e pamjaftueshme ndoshta, përderisa në të, gjenë një formë rrëfimore të mrekullueshme, në të cilën spikat urtia e dijeve të thella të Timo Mërkurit. E përgëzoj autorin, për stilin e veçantë narrativ, të sjellur si një mozaik kujtimesh, dialogjesh e vargjesh…, ku reflekton shpirti i një poeti, për të nxjerrë në pah artin e më shumë poetëve bashkëvendas. Kur, në saje të “Triremës Poetike Joniane” - Sarandë, 2013, bëhej dhe përurimi i librit “Kur flasim për Artin Jonian…”, erdhi edhe njohja më për së afërmi, me autorin e librit, T. Mërkuri, e veçmas natyra e tij e çiltër, të bënte të ndihesh, ashtu siç ndihesh me një mik që njeh prej vitesh.
Libri i Mërkurit, një tip monografie do thosha, vjen me një narracion të ngjeshur ngjarjesh e stilizimesh gjuhësore! Të lë mbresën e një kronike, përmes së cilës, poeti sjell rrjedhën e një krijimtarie, të vargëzuar mbi kulturën sarandiote dhe përvijimet jetësore të miqve e kolegëve të tij - poetë. E bukura e këtij libri, është mënyra se si është sjellur rrëfimi! Narrator është vetë poeti e miqtë e tij bashkëpoetë, vijnë përmes dialogjesh e rrëfimesh si prurje mahnitëse, pasi poetët Jonianë janë unikë dhe këtë e reflekton vargu i tyre me frymë polifonike. Megjithëse, Mërkuri i quan një grup spontan poetësh, më saktë miqësh, ata janë një shkollë më vete, që bashkëveprojnë në emër të artit të Sarandës - vendlindjes së tyre të bukur, me histori të lashtë. Në të vërtetë, ata janë zëri unikal i poezisë Joniane.
Ngjarje të shumta jetësore e krijuese, si një thesar brenda këtij libri, të krijojnë përshtypjen e një kronike, monografie a ditari, të gërshetuara artistikisht, meqë autori, me devotshmëri arrinë të vërë në spikamë më të bukurën e kësaj krijimtarie, duke vënë në përdorim “vetëdijen historizuese”, përmes një trajtimi të arrirë artistik. Teksa shfleton fletët e librit dhe lexon vargjet, e imagjinon veten se si bredh nëpër Sarandë, duke e fiksuar atë si një kështjellë ëndrrimtare, ku jeta ka formën e një idile plot nuanca të ylberta. Po ç’e do, kur kjo ndjenjë zvetënohet nga aktualiteti shoqëror, nga shqetësimet e përditëshme, të cilat janë dallgë të pandalura që e rrahin këtë fortesë, si shkëmbinjtë bregorë gjatë furtunash?!
E një ndjesi e bukur të kaplon, derisa e lexon “ Kur flasim për Artin Jonian”, sikur pushtohesh në detin magjik të artit. Leximi i këtij libri, vë në pah mjeshtërinë e përshkrimeve mërkuriane, që zënë fill e degdisen tej përgjatë kufijve hapësirorë dhe kohorë të Jonit, ku si një perlë vendoset qyteti i Sarandës, që të zgjon mijëra imazhe përsiatjesh të admirueshme. Kjo shpjegon se, krijuesit sarandiotë e kanë mbajtur të pashkëputur linjën e raportit individual me përvojën universale njerëzore, qoftë edhe përmes afreskash narrative të legjendave.
Këtë libër e përmbushin autorë dhe krijime të përzgjedhura, arti i të cilëve ngrihet mbi botën e luhatur ekzistenciale, për t’u shndërruar në margaritar, vlera e të cilit do t’u mbijetojë kohërave. Në të, vjen një prezantim i denjë për autorin e vëllimeve “Jashtë eklipsit” dhe “Fundo”, Agim Maton, sipas të cilit, në “Artin Jonian rrinë lirshëm legjendat e djeshme dhe marrëzitë e dashuritë e sotme”(13). Poezitë e A. Matos, kanë vlerë jetike, andaj “Të kultivosh Artin Jonian do të thotë t’i ngresh hymn jetës në mes të mortit, t‘i japësh frymë paqes në zgrip të luftës, të ngjyrosish me kaltërsinë e detit shpirtin e njerëzve, të mbjellësh në jetët e tyre një... ulli, pavarësisht se prej tyre mund të kesh hequr... të zitë e ullirit”. Atëherë, a thua vallë, mund të zërë fill këtu edhe shprehja “Sa pak det paska në poezinë time”?!
I trishtë përkah tematika, por i bukur për nga vargëzimi metaforik, vjen vëllimi “Mos e shiko fundin e detit”, i Andrea Zarballës, kur fati i hidhur deshi që ai, në vend që t’i botonte poezitë, i groposte ato pranë një rrënje ulliri në vendlindje - Llazat, të Sarandës, për të pritur kohë më të mira. E ai nuk dorëzohet, pret…, ka durim dhe shkruan: …Ullinjë tanë nuk janë pemë / janë gjyshërit tanë / të rrudhosur / shekullorë. Nuk kanë ndërmënd të ikin nga kjo jetë…(48). Dhe shumë krijues të tjerë më pas, përshkohen nga e njëjta ndjeshmëri, si: Kristo Çipa dhe “Këmbana e dashurisë”, Spiro Llajo me “Një grusht det” dhe “Motiv Jugor”, Kiço Papa me “Lirikat e Jonit”, në të cilën nuk vuri ndonjë fotografi heroi, por vuri shpirtin e tij, pastaj poeti Petraq Dhima, i cili u shpreh me sinqeritet: Dhe do shikojmë ndonjë dramë / Ndonjë koncert a komedi / Por ne e dimë, e para çfaqje / ka qenë e jona dashuri... (130). Natyrisht, pa harruar këtu, edhe krijuesit: Niko Kacalidha, Thanas Dino, Odise Kote…, krijimtarinë e të cilëve e përvijon një varg tejet domethënës i Mërkurit: “Dhimbja është banore e qytetit tim”! Me këtë, nënkuptohet një tëhuajësim ideor e kulturor, pre e të cilit bëheshin shpesh poetët.
Këtij vargani poetësh nuk i shihet lehtë fundi! Aty njihesh me krijuesit: Edmond Llaçi e Drita Lushi, të cilës “…dashuria për njeriun dhe dashuria për jetën më shumë se krahë fantazie, i jep guxim…”. Gjithashtu, Aqif Hysa prezantohet me “Poema e ikjes”, e si i mbetur “Peng midis Ekuinoksesh” është Ymer Nurka, me “Atdhe tjetër” reshtohet Faruk Myrta…, e të tjerë, të cilët vijnë me subtilitet e delikatëse në nismë, e më pas përthyhen përballë vrullit të mesazhit poetik, gjithmonë me ngjyrime të thekshme. Plotënia shpirtërore e këtyre poetëve shfaqet mjaft sensitive, andaj herë - herë, vargu i tyre jep mesazhe udhëzuese dhe përjetohet njësoj prej lexuesit. Po në to, qartazi del në pah përvoja moderne e ligjërimit artistik të vetë krijuesve, si dhe shija përzgjedhëse e autorit të këtij libri.
Prirja personale e Mërkurit, si e drejtë individuale, për të përkapur përsiatjet poetike të më shumë poetëve sarandiotë dhe më gjerë, e shtrirë në një kuadër diskursesh tërësore, sajon një vepër estetike. Kuvendimi me miqtë poetë, i një rrafshi ligjërimor modest e madhështor, në të njëjtën kohë ..., “është një botë e bukur, gati magjike, bota e Artit Jonian”! (20). Me këtë, fryma e individit (autorit) merr tiparet e një baritjeje shpirtërore që përshkon harkun kohor, nën portretizimin e lirikës joniane. Pata fatin dhe unë, që të njihem me këta poetë, e të pasuroj ëndjet e mia poetike nga vëllimet e tyre, të dhuruara miqësisht. E si mund të harrohen poetët: Dashamir Malo, Bardhyl Maliqi, Andriana Dhrami, Irena Gjoni, Vangjel Zafirati, Lediona Braho… Sa do të doja të mos kemë harruar asnjë poet, vargjet e të cilëve përmbajnë diell dhe det…, e ata, a nuk janë vetë jeta jonë!?
Imagjinatë  e poetit apo gjurmim mbi arkitekturën poetike të Sarandës
Të dish të vrojtosh vëmendshëm detin dhe thesarin në të, nënkupton të njohësh atë botë të tërë legjendash që të përcjellin imazhe ëndrrash e realitetesh, teksa ndodhesh në Sarandë! Deti është hapësira e pafund që i lag brigjet e këtij vendbanimi dhe fortesat e gurta janë harku më i natyrshëm i ndërlidhjeve kulturore e qytetërimeve, pasi ato kanë të njëjtin “shtrat lindjeje” - Jonin. Për këtë, Timo Mërkuri, përvijon: “Te zemra jonë fillon deti”, lajtmotiv ky, që e përcakton metaforën unikale të Artit Jonian.
Më duhet të pohoj se, me shumë interesim e vëmendje, i lexoja vargjet e poetëve të përfshirë në librin “ Kur flasim për Artin Jonian”, jo pse për herë të parë ndeshesha me detin, valët, buzëqeshjen diellore, legjendat… që shumë herë dhe shumë kohë më parë i pata bërë pjesë të vargut tim, madje edhe: nimfat, guacat, pulëbardhat…, por pse aty e ndjeja vetë frymëmarrjen e poetëve, jetën e tyre midis sfidash. Çuditërisht, ata me forcën e tyre, ditën që këtë ta kthejnë në art. Vargjet e tyre na rikujtojnë se këto nota poetike kanë tingëlluar si metafizikë, duke synuar që përmes vargjesh të shpjegojnë natyrën e qenies dhe realitetin e hidhur. Kjo sfidë krijuese është si një “pina”, që deri në vetmohim i joshte krijuesit. Me këtë rast, Mërkuri dhimbshëm veçon: “Ndërmend kam vargun e poetit A. Mato “Mea Culpa” ku dëshmon se tridhjetë vjet poeti i privuar nga botimi, rriste në shpirt perlat e tija poetike, nën një pamje të ashpër indiference publike”, por që vetë poeti këtë mohim e shpreh me një varg të butë në dukje “Heshta si bilbili në degë”, por gjithsesi një “varg tronditës artistikisht” (41). E këtillë, me një histori nga më të pazakonshmet, vjen poezia e A. Zarballas, e cila mbijetoi edhe në kohë stuhish. Ishte një traditë e patjetërsueshme kjo, që i përndiqte poetët e mesazheve të mëdha.
T. Mërkuri, në librin “Kur flasim për Artin Jonian”, me nostalgji i rikujton shëtitjet pranverore, nëpër bulevardet e vendlindjes, qytetit bregdetar…, për të cilin vargje pakrahasueshëm të bukura, shkroi edhe poeti nga Vlora, Fatos Arapi. I frymëzuar kësisoj, për Arapin shkruan: “Nëpër shtratin e lumenjve, në vrapin e tyre drejt detit, mes gurriçkave të zallit, ato që ndrrijnë tek-tuk janë grimca floriri. Grimca të vogëla, gati pluhurore, por përsëri grimca floriri janë. Në shtratin e lumit të lotëve të popullit tim, ndrrin floriri i ligjërimeve të nënave, flori i cili na veshi shpirtin në galvanizimin e rritjes sonë, duke mos e lejuar ndryshkun e kohës të depërtojë brenda tij.”
Ca fleta më pas, në libër, me një pleksje tematike e mesazh therrës, analizohet edhe poezia “Borxh ajrit” (119), e Fatmir Terziut, një mik i autorit, apo më mirë të thosha, një mik gati i të gjithë krijuesve të botës shqiptare dhe më gjerë. I ndërgjegjshëm për mesazhin “Qenka e thënë të iki borxhli” që përçon vëllimi “Lum Lumi” i Ali Podrimes, F. Terziu përçon mallin që kaherë poetët i bën borxhli ndaj Atdheut. “…Poetët e duan Atdheun, sepse i japin dashuri dhe shpresojnë që, pikërisht tek Atdheu, të rriten e lulëzojnë dashuritë e tyre” (120). Madje, T. Mërkuri, po në këtë linjë, e rikujton edhe Ismail Kadarenë, i cili ndonëse “lindi në Gjirokastër, por ai tash nuk është më i Gjirokastrës. Ai është i gjithë Shqipërisë, për mos me thënë që është i gjithë Europës e më tej”.
Tendenca e bashkëveprimit poetik midis krijuesish, të së njëjtës trevë, feks me ca ndryshime të Mërkurit, që do të rendnin tok me shpirtin e poetit, për të prekur lartësinë që ai synonte. Dhe më duhet të përsëris, se dilema e poetit vazhdon…! Dikur, ai konstatoi dhembshëm: “Sa pak det paska në poezinë time”!
Kjo klithmë, jo vetëm për liri vetjake e Timo Mërkurit, sikur bëhet inspirim që nuk resht së yshturi secilin poet…, që të ndrydhin dhembjen e kohëve të shkuara e më pas, me butësi e ngrohtësi të thuret vargu poetik i një grupi të madh poetësh sarandiotë, të mbledhur në Klubin Jonian. Kështu, vargu i tyre jetësohet…, dhe deti e pulëbardhat e Jonit, nuk e sjellin pranë vetëm brishtësinë dhe ngrohtësinë e vargut poetik, por një pleksje të pafundësisë qiellore dhe kaltërsisë ujore, midis të cilave fluturon ky shpend, që sfidon hapësira e josh shpirtëra poetësh, këtu e gjetiu në botë, për t’i lënë fillikat përpara legjendave e Perëndive. Mërkuri paralajmërues, thotë: “Duhet patur kujdes në Sarandë, miqtë e mi! Po të lëvizësh një gur, nën të zgjohet një legjendë, po të mënjanosh një shkurre në breg, mund të sodisësh një nimfë, sirenë a ndoshta vetë Afërditën”.
Poezia Joniane sajohet si një përsiatje mbi “fluturime ëndërrash e pulëbardhash”, prandaj forma poetike joniane, nuk është vetëm dhunti e përdorimit të vargut të shkurtër e fin, që lirshëm përthyhet…, por fat, fat i të qenurit poet bregdetas, sepse atëherë mund të përshkruash relieve që ngrihen nga valët e detit, bashkë me puhizën erake të mbrëmjeve në këtë qytet dhe shndërrohen në rrezengrohtësi për lexuesin, teksa ajo njelmësi e detit kthehet në ëmbëlsi për vetë ata. Yllësia metaforike të hap vizione paqesore e me fluiditetin e vet të bën të pyesësh: prej nga kjo filozofi në poezi? E të duket sikur përgjigjen e gjenë në vargun e A. Matos: “Gjithë ditën fjalosemi me detin” e më pas i vetëdijshëm për ndryshimin e dukshëm, shkruan: “valët u ngjirën duke folur”! (15). Në të vërtetë, ai këtu i rreket një sinqeriteti përvijues të situatës: “Kjo s’e ka penguar faktin që, tej klimës së acartë ndërshtetërore, nga të dy anët e piramidave, të çelnin dhe aromatizonin ajrin të njëjtët trëndafila, apo që në mes të luftanijeve, që e shihnin njëra-tjetrën me grykësynë e topave, të fluturonin pulëbardhat krahëndërr e ngjyrëpaqe”.
Po e tërë kjo, vjen si një kujtesë kulturore e shtresuar ndër vite, që nga pasuria kulturore e Pilurit, prej ku autori i librit e ka dhe origjinën, deri tek hapësira më të gjera që e përfshijnë tërë kulturën e Sarandës. Pra, këtë s’e ka penguar fakti që kontaktet me me njëri-tjetrin, t’i afrojnë edhe më shumë poetët Jonikë. Deti Jon është hapësira e pafund që i lag brigjet e këtyre vendeve: “Shqipërinë Jugore, Italinë Jugore dhe Kalabrinë në veçanti, si dhe Greqinë Veriperëndimore dhe Qipron”. E kalatë e gurta të qyteteve fortesa janë lidhja më e mirë, e natyrshme e ndërlidhjeve kulturore, qytetërimeve, madje ata kanë të njëjtin “shtrat lindjeje” - Jonin. “Fjala poetike e Artit Jonian është si një pulëbardhë, që me lojën e saj nëpër e mbi vale, tërheq shikimin e meditimin, qoftë të një djaloshi të dëshpëruar në fundbotë, nga dhimbja e refuzimit të dashurisë së parë, qoftë edhe e luftëtarit që shkon e vjen nga lufta. Kësaj pulëbardhe i ka hije të fluturojë mbi kryet e …lavdisë me një degë ulliri në sqep. Dhe në qoftë se nuk mban degë a gjethe ulliri, atëherë ne i ofrojmë një varg poetik, të kaltër si qielli dhe si shpirti ynë, të bukur si ëndrra jonë, të patjetërsueshëm si ne vetë” (11).
Klubi Jonian shërben si urë miqësie e poetëve të më shumë viseve, sepse poezia e tyre reflekton një botë shpirtërore ku dallgëzon deti dhe trazon aromën e ullinjëve e të mbush frymë e sy me nuanca portokalli të portokajve që i sheh gjithandej këtij qyteti. Vetë Joni është misteri i një shtegëtimi heroik, romancash virgjiliane, danteske “fryt i një frymëzimi jonian, që na shpie tek legjendat”. Është jetike thënia e Timos “Të kultivosh Artin Jonian”, duhet të jesh i madh sa bota joniane…, megjithëse nganjëherë duhet që zhgënjimin jetësor dhe marshimin para sfidave, ta sajojnë me një tjetër ndjenjë, me një pleksje të vargëzimit erotik.
Sajimi i formës poetike joniane, nuk është vetëm dhunti e përdorimit të vargut të shkurtër e fin, që lirshëm përthyhet…, por fat, fat i të qenurit poet bregdetas, sepse atëherë mund të përshkruash relieve që ngrihen nga valët e detit bashkë me puhizën erake të mbrëmjeve në këtë qytet dhe shndërrohen në rrezengrohtësi për lexuesin, teksa ajo njelmësi e detit kthehet në ëmbëlsi për lexuesit. Yllësia metaforike të hap vizione paqësore e me fluiditetin e vet të bën të pyesësh: prej nga kjo ngrohtësi në poezi? Madje…, edhe atëherë, kur “Gjithë ditën fjalosemi për detin” (15).
Vargjet autoktone, të gjallëruara përmes figuracionit, tani më, të ambalazhuara me maturi të re artistike, janë motivuese, jo vetëm për besueshmërinë ndaj artit të vetë poetëve Jonianë, por edhe të atyre që ndikohen e frymëzohen nën peshën e këtyre krijuesve. Ky libër realizohet këndshëm, është mbresëlënës, me një dritëmagji legjendash e shpërthimesh të bukura emocionale, që vijnë si rigjetje para lexuesit. Besoj, në një të nesërme të qëndrueshme, ku vargëzuar do të mbetet, një përvijim legjendash nga e kaluara, me një realitet të ri poetik, mjaft të fuqishëm e të mirëpritur nga lexuesit e vëmendshëm.


Lule mbi këngë



 LULE MBI KENGE

Intervistë me poetin dhe studiuesin e iso-polifonisë Timo Mërkuri

Nga Agron Mema

Pyetje:- Z Timo! Bashkia dhe Këshilli Bashkiak i Himarës, me propozim të një grupi intelektualësh të pavarur, kanë vendosur që një nga korifejtë e polifonisë bregdetare dhe një nga ikonat e kulturës shqiptare, Neço Muko, të nderohet me titullin “Nderi i Himarës”. Si e shikoni ju këtë vendim dhe  çmund të na thoni për Neç Mukon dhe pjestarët e tjerë të grupit të tij .

Përgjigje:E përshëndes nxehtësisht këtë vendim të Këshillit Bashkiak të Himarës, Kryetarin e Bashkisë dhe grupin e intelektualëve të pavarur për këtë nismë dhe vendim, që nderon në radhë të parë propozuesit dhe vendimmarësit dhe e konsideroj jo vetëm të drejtë e të denjë, por edhe pak të vonuar.
Me këtë rast më lejoni të risjell në vëmëndjen e lexuesve tuaj faktin se po ky grup intelektualësh të pavarur, kjo Bashki dhe po ky Këshill Bashkiak propozuan dhe vendosën nderimin me titullin “Nderi i Himarës” edhe kolosin e letrave shqipe, Petro Markon, titull që ju akordua  me një ceremoni prekëse në vendlindjen e tij, Dhërmi në 100 vjetorin e lindjes. Me këtë rast u nderuan me titull nderi edhe figura të tjera të artit si Andrea Varfi, Aleks Çaçi, Robert Ndrenika etj. Kjo do të thotë se një stinë pranvereore vlerësimi për njerzit e  kulturës dhe artit mbizotëron sot në Himarë.
Unë do të uroja që kjo klimë të mbizotërojë edhe në njësitë e tjera vendore, të cilat kanë detyrën e vlerësimit të bijve të tyre, që kanë punuar pa u lodhur për artin dhe kulturën, shpesh edhe duke sakrifikuar apo martirizuar për të.
Neço Muko dhe pjestarët e grupit të tij famoz ( si dhe vazhduesit nëpër vite të  veprës së tij, të cilët gjithashtu do të  nderohen dhe vlerësohen me tituj në këtë evendiment) e nderuan Himarën dhe shpirtin e saj artistik. Çuan në Europë artin shqiptar dhe sollën në jetën shqiptare europën.  Është nderi i Himarës tu kthejë “borxhin” këtyre  artistëve, autorë të monumentit  “Kënga Himariote”.
Realisht, Neço Muko dhe antarët e  grupit të  tij,    nuk u vlerësuan nga regjimi monist.
Asnjë monument nuk u ngrit për këtë kolos të artit shqiptar. Por ndërkohë këngët e tij këndoheshin nga çdo himarjot e me tejë. Në çdo stan e mal, në çdo shtëpi e breg, çdo dasëm a festë familjare apo më gjërë, në çdo zemër e buzë këngët e Neço Mukos ishin, jo vetëm të pranishme por ishin lezeti dhe bukuria e çastit. Kënga e Neço Mukos u bë pjesë organike e jetës shqiptare. Në këtë mënyrë emri i Neço Muko dhe grupit të  tij u identifikuan me këngën iso-polifonik.
Kjo çertifikatë nderimi që i jep Himara është një lule shpirti e vendosur mbi këtë këngën e tij .
Në realitet, ata qenë nëntë veta, dhe nëse dikush nuk i di emrat e tyre, kjo ka ndodhur se ata në kujtesën e kombit kanë hyrë me një emër të përbashkët, gjithsesi duke i lënë vendin e nderit prijësit të tyre, Neço Muko Himarjotit. Ata kanë hyrë në histori me emrin e përbashkët “Grupi i Neço Mukos”, ndonëse secili kishte portretin dhe profilin e tij. Këto portrete do përpiqemi tju paraqesim, me aqë sa mundemi.
Por le tu prezantojmë me autorët e monumentit dhe origjinën e tyre

1-Neço Muko Himarjoti   Nga Himara     
2-Koço Çakalli                  Nga Piluri..
3-Pano  Kokaveshi            Nga Himara     
4-Andrea Bala                   Nga Piluri
dhe të cilët do të nderohen me të njëtin titull nderi nga  Bashkia e Himarës, pa përjashtuar këtu kontributin, kryesisht në muzikën e lehtë, të artistëve dhe tenorëve të talentuar profesionistë si:

1-Dhimitër  Rrumbo        Nga Stegopulli (Lunxhëri)
2-Tefta Tashko Koço        Nga Korça
3-Llambi Turtulli              Nga Korça                 
4-Tula Paleologu               Nga Stambolli
5-Kleo Georgas                 Greke

Le të flasim shkurtimisht për secilin prej pjestarëve të grupit polifonik, për ata djem të rinj që e ngritën në majat më të larta të artit këngën aqë të bukur himarjote:
a-Neço Muko  (Nestor Muko) lindur më 1898 në Himarë dhe vdes  në vitin 1934. Largohet shpejt nga Himara (15 vjeç)dhe shkon në Pire ku mbaron shkollën e mesme të mbrëmjes për mekanik,pas punës së lodhëshme. Kthehet në Atdhe në moshën 24 vjeçare vendoset në Sarandë. Këtu së bashku më  Koco Cakallin, Andrea Balën, Pano Kokaveshin krijojnë grupin artistik ku fillon ajo veprimtari e ethëshme artistike dhe krijuese, me cfaqje estrade, parody, botime reviste (revista Pif-Paf) duke e shndruar këtë qytet të vogël në një teatër kulture. Por ajo që ka rëndësi është fakti se  këtu krijon atë që hyri në historinë e polifonisë me emrin “avazi himarjot”, variantin himarjot të këngës iso-polifonike, atë që më të drejtë mund ta quajmë “Margaritari i kuorës” së këngës sonë popullore.  Vdes beqar dhe, mqse  vëllai i tij, ishte ish ministri kuinslig Koço Muka , gjatë diktaturës  nuk ju përmënd asnjëherë emri zyrtarisht, ndonëse  këngët e tij u bënë pjesë organike e kulturës bregdetare. Me këtë rast duhet të theksojmë se të gjithë antarët e këtij grupi dhe familjet e tyre, pësuan persekucione nga regjimet e kohës.
b-Koço Çakalli  i lindur në Pilur më 1897, me një fëmijëri të zakonëshme fshati, ku gjithsesi do dallohej në mes të shokëve për vokalitetin e zërit të tij. Zbret në Sarandë për të mësuar zanatin e rrobaqepësit nëpër kurset e asaj kohe. Këtu miqësohet me Neço Mukon dhe bëhet pjestar aktiv i grupit të tij teatror dhe interpretues i parodive. Është marës i grupit famoz të Neço Mukos  dhe si i tillë, edhe pjesmarës aktiv në  krijimin e vijës melodike të këngëve të këtij grupi ose siç quhet rëndom, të “avazit himarjot”.
Tenor amator, me zërin e tij të fuqishëm inçizoi  qysh në pllakën e parë te Disku nr 44001 këngën hymn “Shqipëria” si dhe “Hymnin e Flamurit”. Është ndër të parat inçizime të Hymnit  të Flamurit që njohim dhe që pati përhapje,jehonë dhe pëlqim mbarëpopullor.
Ai, ndërsa ishte marës te pothuaj të gjitha këngët  iso-polifonike, ndërsa është tenor te hymnet si “Shqipëria”, Hymni i Flamurit”, këndon me lehtësi me këngëtaret famoze Tefta Tashko Koço, me Tula Paleologun  dhe Dhimitër Rumbon.
Po kaqë madhështor paraqitet edhe te këngët gazmore apo paroditë që, jo vetëm janë luajtur ne  skenat e improvizuara në Sarandë, por edhe janë fiksuar te disqet e inçizuara te firma PATHE në Paris, si psh “Autobuzi dhe pasagjerët”,”Karnavali i Sarandës 29”, Hurrah,  dëfrim”  etj etj.  Vdes në moshën 40 vjeçare.
c- Andrea Bala lindi në 1902  dhe vdiq në vitin 1937 në  Pilur. Shkoi në Francë për të studiuar për  financë-kontabilitet, profesion të cilin nuk e ushtroi asnjëherë në administratën shtetërore. Duke qënë I zgjedhur edhe kryeplak në Pilur, me shpenzimet e tij ndërtoi rrugën Vumlo-Pilur, të cilën për arsye të vdekjes së parakohëshme, nuk e përfundoi dot, duke e lënë në kilometrin e fundit. Sot, e përfunduar dhe asfaltuar. Rruga e Pilurit quhet “Rruga Andrea Bala”.
Kontriboi financiarisht për udhëtimin e  parë të grupit të Neço Muko Himarjotit në Francë.
Në Sarandë, bashkë me Neço Mukon, sajojnë një dyqan në breg të detit. dhe aty ngritën skenën teatrale të  grupit. Aty luheshin skeçet, këndoheshin këngët lirike, paroditë dhe këngët iso-polifonike. Duke qënë tip gazmor dhe i shoqërueshëm, Andrea ishte shpirti i skeçeve dhe parodive të grupit. Po aty  shtypej edhe revista e parë “Pif-Paf” e grupit  të quajtur “ Miqtë e dëfrimit”. Bëhet inisiator për këngën kushtuar Sarandës, Konispolitja, Stambollitja etj.
Vdekja e tij ishte më se aksidentale, duke lënë  djalin e porsalindur 6 muajsh dhe katër vajza në moshë fëmijërie, jeta e mëvonëshme e të cilëve kaloi të gjitha persekucionet e regjimit Italian, gjerman dhe komunist. Neço Muko i ka kushtuar këngën “Rinia” Andrea Balës.
ç- Pano Kokaveshi, i lindur më 1907 në Himarë dhe vdekur në vitet 80, ishte një djalë i ri 23 vjeç kur u aktivizua në grupin e Neço Mukos në Sarandë, ku kishte shkuar të mësonte zanatin e kepucarit. Pati një jetë të gjatë dhe plot peripeci, sepse dajua i tij ishte vëllai i Neço Mukos, ish prefekti zogist i Gjirokastrës dhe ish Ministri i Brendshëm i viteve të pushtimit Italian, Koço Muka, por edhe për faktin se , në vitet gjashtëdhjetë një nga  tre djemtë e tij, që kryente shërbimin ushtarak në Durrës, tentoi aratisjen, tentativë që i kushtoi jetën.
Pas vdekjes së këtij të fundit, punoi e jetoi në heshtje në Himarë.
U afrua me  Dhimitër Varfin në grupin e Himarës, i cili këndonte këngët e grupit të Neços. Ndryshe nga Koço Çakalli shumëdimensional, Pano Kokaveshi këndonte vetëm në këngët iso-polifonike….
Kjo është një biografi e shkurtër e këtyre artistëve të mëdhenj popullor që  i dhanë vendit nje kryevepër, këngën iso-polifonike himarjote, këtë monument të gjallë arti.
Pyetje: Duke qënë se jini marë me studimin e iso-polifonisë  në tërësi dhe të asaj himarjote në  veçanti, mund të na thoni se ku konsiston kontributi i Neço Mukos në krijimin e variantit himarjot të këngës iso-polifonike dhe ku qëndron karakteristika e  këtij varianti?

Përgjigje: Të kemi parasysh se kënga iso-polifonike shqiptare, e lindur nga vajtimi, është një këngë shumëshekullore, fillesat e të cilës datojnë me jetën e njeriut shqiptar. Ajo u rrit bashkë me  krijiomin e identitetit shqiptar, duke u bërë pjesë organike e AND të kombit tonë.  Por  në kohën që doli në skenë Neço Muko, mënyra e të kënduarit të kësaj kënge ishte e tipit…o shokë more…, gati e njëjtë në të gjithë trevën iso-polifonike. Por Himara ka karakteristikat e saj të të jetuarit dhe të perceptuarit të jetës, kështu që ky variant kënge nuk i përshtatej shumë. Këtu fillon novacioni i Neço Mukos. Në qoftë se ariti sukses dhe ngeli i pavdekshëm Neço Muko Himarjoti, mbeti pikërisht për  rolin që i dha  zërit të tretë, ‘’hedhësit’”, duke e veçuar atë dhe duke e bërë më funksional dhe duke i dhënë kështu këngës himarjote , jo vetëm atë forcë të re që e dallon, por duke e bërë edhe më të zhdërvjellët. Pikërisht ky rol i ri i këtij zëri e ndryshoi drejtimin e këngës himarjote duke e shkëputur atë dallueshëm nga kënga labçe e gjirokastrite.

Dikush do thotë që ky zë ka egzistuar me kohë dhe se këtë zë nuk e futi në polifoni Neço Muko. Kjo është e vërtetë, ky zë ka egzistuar, por pa atë funksion që i dha Neço Muko te kënga himarjote.
Të krijohet një teknike e re polifonike është shumë e vështirë dhe duhen shekuj,por ama të veçosh një zë të polifonisë dhe ti japish atij një rol të ri duke i rritur tonalitetin dhe muzikalitetin, kjo po, është plotësisht e mundëshme dhe e pranueshme kur bëhet me mjeshtëri. Këtë bëri Neço Muko dhe jo vetëm që u pranua, por novacioni mori emrin e tij. Mandje sot themi këngët e Neço Mukos shpesh  në vend që të themi këngët himarjote ose anasjelltas.
Duhet të pranojmë se kjo ishte një punë viganësh, ishte si  të gdhëndje një mal stëralli dhe prej tij të nxirje një Afërditë magjike. E tillë është kënga himarjote , për nga bukuria, finesa dhe emocioni që të shkakton me bukurinë e saj.
Pasi përpunoi këtë zë, bashkë me shokët e tij të Sarandës niset për në Paris më 1929, ku në rethet studentore dhe artistike gjen dhe angazhon për incizim edhe Dhimitër Rumbo,Llambi Turtulli,Kleo Jorgji,Tefta Tashko e Tula Paleologu. Dhe kështu  te firma ‘’Pathe’’ kryhen inçizimet e para  në historine e polifonisë shqiptare. Kështu përjetësohen këngët ‘’Vajzë e valeve’’ ,’’Doli hëna’’,’’Llaj çoban’’,’’910 viti’’,’’Moj Katina nina nina’’ “Kënga e Ismail Qemalit”,Shqipëria, Kënga e Çerçiz Topullit,etj etj.
Këto këngë i kemi dëgjuar,kënduar e admiruar  dhe në heshtje i kemi shprehu  mirënjohjen autorit të tyre dhe grupit të tij famëmadh.  Kënga iso-polifonike e njohur nga UNESCO si kryevepër e njerëzimit në 25 nëntor 2005 ka Brenda saj edhe kontributin e Neço Mukos si nismëtar dhe autor I krijimit të variantit himarjot të kësaj kënge. Sepse vetëm pas  suksesit të variantit himarjot, filluan të dalin edhe variante të tjera , si ai i Dukatit, Gjirokastrës, Pilurit etj, ashtu siç dalin filizat e rinj të degëve në trungun e një rrapi shekullor kur klima është e përshtatëshme.
Të mos harojmë novatorizmin e shoqërimit të kësaj kënge (himarjote) edhe me istrumenta, si kënga ‘’Llaj çoban’’,novacion të cilin do ta çonte më tejë në këngën pilurjote në ditët e sotme Lefter Çipa.
Por ajo që dua të theksoj këtë herë është  një fakt që pothuaj kalohet në heshtje kur flitet për Neço Mukon;Ai është pioneri i këngës së lehtë qytetare  në Shqipëri.
Këngët “O moj korçare”, Saranditja, Konispolatja, Tirana, Shkodra etj mbanë firmën artistike të Neço Mukos.
Por nuk mbaron me kaqë kontributi i Neço Mukos  në historinë e këngës.Më sipër kemi thënë se ai krijoi në Sarandë një grup estrade që bënte të qeshte gjithë qyteti, por dhe në këtë rast , pra në inçizimin e pllakave , ai nuk haroi të inçizonte parodi e dialogje humoristiko-satirike, duke u bërë kështu i pari në historinë e  muzikës shqiptare në këtë fushë.
Dhe të mos harojmë edhe kontributin e tij si poet, krijues i teksteve të këngëve, skeçeve dhe parodive, ku gati 80% e tyre kanë autor Neç Mukon. Niveli i lartë artistik i këtyre krijimeve ka bërë që ato ti rezistojnë “harimit”.
Pyetje:Kini thënë se… të këndosh këngën labe nuk është e lehtë, por të këndosh këngën himarjote duhet të kesh dy palë mushkëri. Pse thoni këtë?
Përgjigje: Sepse jo kushdo mund të këndojë këngë himarjote, për vetë mekanizmin e të kënduarit. A e kini vënë re që isua e këngës himarjote i ngjan një plumbi që ngrihet e ngrihet lart dhe thua me vete se s’do mbarojë kurrë kjo ngritje. Duhet të keshë mushkëri të forta ta mbashë këtë iso, deri në momentin që prerësi ta presë këngën. A e kini vënë re, psh që kënga “Vajzë e valëve” nuk ka refren? Kjo ndodh për arsyen e thjeshtë se edhe rolin e refrenit e ka marë iso-ja.
Nisja e këngës himarjote është shumë e thjeshtë, marësi  këndon një varg (vajz’ e valëve, psh). Pastaj futen gjithë pjestarët e grupit me iso, për ta mbajtur dhe ngritur lart këtë këngë. Pa ison e saj të fuqishme dhe fine, kënga himarjote nuk do egzistonte.
Thashë që marësi citon një varg dhe jua le vendin pjestarëve të tjerë ta mbushin botën me ison e tyre. Kjo teknikë e të kënduarit, ku marësi citon vetëm një varg, dëshmon lashtësinë e këngës iso-polifonike, ku më shumë se evidentimit të rolit të marësit, i kushtohej rëndësi  isos kolektive (bashkë të kënduarit).
Duke e dëgjuar këngën himarjote, thua me vete: Më madhështore nuk e bën dot njeriu. Krijime të tilla janë vepra viganësh,viganë nga shpirti,viganë nga diapazoni pamor.
Të tillë ishin pjestarët e grupit të Neço Muko Himarjotit, por edhe vazhduesit e mëvonshëm, pjestarët e grupit të Dhimitër Varfit dhe Lefter Çipës, të cilët me të drejtë i nderon sot jo vetëm Himara.
Prandaj ju ftoj edhe juve   që ti nderojmë, qoftë thjeshtë me pjesmarjen tonë në këtë ceremoni në datën 14 dhjetor në Himarë.
Faleminderit!