Saturday 15 March 2014

Shpërthimi poetik i Fatmir Terziut



SHPËRTHIMI POETIK I FATMIR TERZIUT


Nga Timo Mërkuri




Ka ca kohë që mbi  portalin “Fjala e Lirë”   ndrijnë një seri  poezish të Fatmir Terziut që kanë tërhequr vëmëndjen, jo vetëm të lexuesve por edhe të krijuesve dhe studiuesve të letërsisë..
1-Përgjithësisht Fatmir Terziu e ka përdorur portalin “Fjala e Lirë”  si një aerodrom, ku uleshin  krijimet e autorëve mbarëshqiptarë, ashtu siç ulen  në raste urgjence avionët nga një qiell me furtunë. Të gjithë ishin të mirëpritur në këtë portal, të gjithëve ju afrohej ndihmë e përkrahje, “riparim difektesh e karburant” për tu ringritur përsëri  në fluturim. Këtë fakt më së miri e ka shprehur poetikisht  Agim Mato te poezia e tij “Të gjesh një Terzi” dhe unë s’kam pse të zgjatem me tej. Ndoshta dhe për këtë arsye  të gjithë krijuesit shqiptarë  që kanë  “bujtur “ një herë në këtë portal , kanë ndjerë, jo vetëm detyrimin moral të mirënjohjes, por dhe dëshirën  për tu rikthyer te ky (aerodrom)portal me bindjen e sigurisë te  pistat e tij të fluturimit. Dhe në prag të rinisjeve, Fatmir Terziu, si përgjegjës i kullës së vrojtimit, i ka përshëndetur, jo  duke tundur një shami, shpalosur në një  lamtumirë, por duke i shoqëruar me një shkrim analize inkurajuese, si një avion ruajtës.  Niseshin krijuesit në “rifluturim” duke parë me bisht të syrit shkrimin-avionruajtës të Fatmirit dhe u shtohej besimi në vetvete. Dhe u pëlqente të riktheheshin përsëri, edhe si për të thënë që e kishin justifikuar atë besim dhe atë “ruajtje” që u ishte afruar te ky aerodrom.
Kjo është dhe arsyeja e një dendësie  shkrimesh dhe autorësh në këtë portal, sa që nuk arin ti  lexosh me vëmëndjen e duhur të gjithë dhe ndjehesh gjithnjë borxhli.
2-Por ka ca kohë që një bum meteorësh poetik me siglën Fatmir Terziu  ndrijnë në qiellin e këtij portali. Thua se  ka ndodhur një shpërthim kozmik dhe copat e meteorëve kanë mbuluar gjithë  hapësirën artistike.
Gjithmon Fatmir Terziu ka  patur një dëndësi shkrimesh, kryesisht në analiza e studime, gjë që dëshmohet edhe nga botimet e tij të shumta në këtë drejtim. Por këtë herë, ndonëse vijojnë shkrimet kritike e studimore, përpërësi kanë poezitë. Jo vetëm si numër, jo vetëm si tema por  në radhë të parë si art poezie. Aq sa ka ngjallur admirim jo  të pakët (nuk e kam fjalën vetëm te komentet e botuara), aq sa ka ndezur dhe debate, e pse jo, ngjallur edhe xhelozi. Por  në thelb, tej këtyre admirimeve dhe debateve duhet të themi se është bukur të jesh pranë kësaj hapësire artistike, mbushur plot meteorë poetikë.
3-Ky është vërtet një shpërthim, ashtu siç shpërthen edhe vullkani nga trysnia e magmës në brendësi të malit , duke  hedhur shkëmbinj të zjarrtë në të katër anët, para se të nisë të rrjedhë  shpateve llava  e ndezur.
Duhet të keshë zjarr në zemër që të ndezësh vargjet.
Duhet të keshë forcë në shpirt që të hedhësh copa zemre si meteorë në qiellin poetik.
Duhet të ketë një zjarr të madh dashurie poeti në shpirt, që të shpërthejnë krijimet  si llavë  apo të fluturojnë si shkëmbinj të ndezur vullkani në mënyrë gati të përditëshme.
Duhet të jetë djegur e përvëluar  shpirti i tij nga dhimbja që të flakë shkëmbinj e llavë dashurie në mënyrë kaq ritmike. Pa çka se kjo llavë është derdhur në formën e vargjeve.  Zjarri të djeg  njësojë edhe kur të vjen si flakë zjari edhe kur e shkel, si mbi prush të ndezur.
4-Të “ecësh” mbi këto krijime poetike të Fatmir Terziut është si  të ecësh në lëndinat e e rrethinave të Elbasanit në një ditë që ka shpërthyer pranvera luleshumë. Këtu një manushaqe të buzëqesh, aty një margarita të tund kokën. Zogjtë mblidhen e festojnë në korr…, e  kënga  e kumurive të mban në vend, ti hapësh rrugë pranverës që …nis nga Elbasani….
Sepse poeti edhe kur shkruan për Londrën, e sheh atë nga Elbasani. Edhe kur futet në arkivat europiane, niset nga Kalaja e Elbasanit. Hajket vajtojnë në Elbasan, sepse …ky qytet…ka puthjen e ëmbël të së dashurës..
I bukur ky shpërthim poetik i Fatmir Terziut.
Si të shpërthejnë njëherësh gjithë lulet e pranverës në udhëkalimin tonë.
Kaq shumë ëndra dhe dashuri ka patur në shpirt dhe na i hidhte  në portal, për të na pranveruar  ditët e dimrit.
Për ti marë me vete nga Fatmir Terzi Elbasanliu ashtu siç rimorëm nga Elbasani festën e Ditës së Verës
Për ti zbukuruar dhe ditët tona si Ditën e Verës në Elbasan.
Gëzuar Ditën e Verës Fatmir Terziu dhe faleminderit që na e bëre më të bukur.