Friday 30 October 2015

Atdheu i mbartur në këngë… ose Atdheu i shpëtuar.



Atdheu i mbartur në këngë… ose Atdheu i shpëtuar.

Përsiatje mbi librin “Rapsodi të një poeme arbëreshë”


       
Nga Timo Mërkuri.

1-Mbi librin “Rapsodi e një poeme arbëreshe” , me krijime popullore të mbledhura në kolonitë e Arbëreshëve të Italisë nga Jeronim De Rada dhe  kthyer në shqipen e sotme nga poeti Agim Mato, pata shkruar  në qershor të vitit 2012 shkrimin “Deti në ekzil”, të përfshirë në librin tim “Kur flasim për Artin Jonian” (Milosao, 2013). Në këtë shkrim, këndvështrimi im mbi këtë libër, ishte nga  dritarja e Artit Jonian. Por ja që   arti  ka shumë dritare, ku i mbështetur në parvazët e tyre mund të sodisësh kohën kur lindën, vendin ku lindën dhe u rritën këto këngë, ashtu siç  sodisnin gjyshet nga dritarja e shtëpisë vashëzat e vogëla, tek luajnë në obor me shilarëse. Dhe po nga ajo dritare i shohnin pak më von, kur nisen nuse, për ti riparë kur kthehen për vizitë te prindërit, me fëmijët e tyre përdore. Koha ecën shumë shpejt dhe bashkë me dëborën dimërore që shkrin në pranverë e rrjedh nëpër përrenj, shkrijnë dhe  ngjarjet e kujtimet, duke rrjedhur në lumin e harimit. Por nqse përenjve malorë populli u ngre prita me gurë e drurë, me qëllim që  erozioni të mos “tretë” dheun, duke lënë shpateve vetëm skeletet e gurta, harimit i ka ngritur “prita” arti, ku ngjarjet mblidhen siç mblidhet uji i përenjve  në ujëmbledhës, për tu përdorur në kohë thatësire.

Një “ujëmbledhës” ose më saktë , një “këngëmbëledhës” ka krijuar Jeronim De Rada te “Rapsodi e një poeme arbëreshe”, të cilën  poeti Agim Mato e ka kthyer në shqipen e sotme aqë mjeshtërisht, sa që të krijohet përshtypja se ngjarjet  e kënduara paskan ndodhur në ditët e sotme, në fshatin tënd. Madje edhe personazhet të  duket se i ke takuar në rrugët e fshatit, madje dhe ke biseduar me ta.

2-Rapsodi të një poeme …. e quan De Rada përmbledhjen e tij të këngëve popullore dhe mendoj se jo më kot. Të gjitha këngët e përmbledhura në tre libra, me tema  të ndryshme, kanë në fakt një kryetemë… Arbërinë .

Për këtë Arbëri lindën e u ritën, dashuruan e luftuan, madje dhe u vranë, e prapë u ngritën. Për këtë Arbëri ikën nëpër det, për tu rikthyer përsëri. Me këtë Arbëri në zemër e në mëndje ngritën fshatra arbëreshe në dheun e ri, duke u përpjekur të rikrijonin Arbërinë e tyre në dhe të huaj. E pse jo? Fshatrat i quajtën me emrat që kishin fshatrat e tyre në Arbëri, shtëpitë i ngritën  tamam si shtëpitë në fshatin e tyre  në Arbëri,  me po ato dyer, dritare e çati. Vetëm kopështet i kishin pak më të vogëla, se më e vogël ishte dhe toka ku i ndërtuan shtëpitë. Madje edhe horizontet këtu ishin më të ngushta, vetëm nga lindja, ku matanë detit ishte Arbëria, sytë hapeshin më shumë duke zhbiruar  horizontin e kaltër.

Në qoftë se në Arbëri kishin një kështjellë ku jetonin luftën të gjithë bashkë, fisnikë e luftëtarë të thjeshtë, këtu kishin disa shtëpi të veçanta, të vogëla. Vërtet të ndërtuara si kështjella, shpesh  ngjitur me njëra tjetrën, por gjithsesi shtëpi të veçanta.

Te njëra shtëpi bëhej dasëm, të tjetra lëngonte një trim nga plagët e luftës. Pak më tejë, në ajodhimë ngrihej  Kostandini, se kishte një besë për të mbajtur. Ndërkohë që Skënderbeu bisedonte me vdekjen, një vashë, bijë e hënës, puthej me trimin. Ndërsa te një obor plot lule  bisedonin dy të ra, për fëmijët motakë, që kur do rriteshin, do vidhnin zemrën e njeri tjetrit.

Të gjitha këto  ndodhnin në një …poemë (fshat) arbëreshe.

Të gjitha këto janë ngjarje  madhore, që nga puthja e asaj vashës, që një ditë më parë… lozte më një mollë e hidhte lart dhe e priste në gji…, kur del e bukura në derë , tek  amanetet e Dedi Skurës e Pal Golemit, te besa e “Kostandinit të vogëlth” e gjer te Vdekja e Skënderbeut.

Të gjitha këto janë  rapsodi, njëra më e bukur se tjetra.

Si të tilla, janë të denja për tu kënduar me lahutë apo vënçe, me iso, në odën e burrave të Arbërisë, në netët e dimrit. Veç e veçë,  nëpër netë të ndryshme apo të tëra bashkë, në një natë të gjatë ekzili.

Të gjitha këto këngë kanë një lidhje organike, aqë sa  të duken se janë vazhdim i njera tjetrës .Duke parë këtë lidhje organike mes këngëve si edhe faktin se janë një dëshmie e pakundërshtueshme shpirtërore e  arbëreshëve për një të  shkuar të lavdishme e fisnike, De Rada i grupoi nën titullin kuptimplotë…Rapsodi e një poeme....

3-Ikën Arbërit  nëpër det…por me vehte morën  Arbërinë.

Sepse atdheu janë njerzit, lufta dhe jeta, këngët dhe vallet, legjendat dhe vajet, ëndërat e shpresat e tyre.

Po malet, do pyesë dikush? Po ja pra, ata burra të heshtur në kuvertë ishin  vetë  malet e  Arbërisë. Shtëpitë që do ndërtonin janë kështjellat.

Fushat janë gratë e tyre, lumenjtë janë lotët që derdhën  dhe detet e liqenet janë shpresat që ata kanë për një të ardhme.

a-Ikën arbërit nëpër det….Dhe duke ikur këndonin vajin (apo vajtonin këngën)…O lamtumirë dheu im/të përshëndes se po  të lë/e të të shoh s’do mundem më…

b-Në kiç e në bash të anieve që çanin dallgët drejt perëndimit, në këmbë, të veshur me  parzmore lufte, me dorën të mbështetur te shpata a te heshta, të heshtur qëndronin luftëtarët. Në vitet që do vinin, në mëndje e në zemrat e tyre do gjëmonin brirët e luftës dhe thirrjet e kryezotit, Skënderbeut, në betejë ….O ti zoti Dukagjin/veç krahët ti më ruaj/të luftoj me këtë qën/të shohë shpatën si e luaj/flamurin si e valëvis/Bëri kryq e u lëshua… 

 -U kujtohej çdo  detaj i jetës  së Skënderbeut, dhe tani që ai s’ishte më, ua kuptonin  domethënien disa fjalëve e disa veprave të tij.  Edhe tani u kujtohej fjala e tij për nusen që do mirte, ku përkundër propozimeve të shumta për nuse të huaj, me tituj e prona, ai tha:…Unë…vajzën e dua arbërore/për nga gjuha  dhe zakonet…prandaj …dërgoni fjalë zonjës/Donikë Marinëza. Sepse ai e kishte kuptuar që turku, së pari  do përpiqej të shprishte gjakun e arbërit. Ndaj në çdo dasëm arbëreshe do këndohej kjo këngë,  si një amanet, si një porosi.

c-U kujtohej si tani ajo ditë kur…u hap në qiell/libri i të vdekurve/dhe papritur e zezë e ftohtë/diçka si vello…/u ul e ra  mbi kryet e…tij. U kujtohet të gjithëve , fjalë për fjalë porosia që i dha të birit, duke i thënë…si të mbrish ti para ikjes/në zll të detit/atje është një qiparis/atje lidh ti kalin tim/mbi kalin, në erë të detit/hapeni flamurin tim/dhe në mes të flamurit/lidheni shpatën time/Kur të fryjë tramudana/gjogu do hingëllijë/flamuri do të valëvijë/dhe shpata do tringëllijë/turku ta dëgjojë e të trëmbet/duke kujtuar vdekjen/që fle tek shpata ime/dhe mos dije nga të shkojë…

Ndaj  kur u nisën, flamurin e Skënderbeut,  e shpalosëën në direkët të galerave, për tu parë nga larg, për tu njohur kush ishin. Dhe kështu, shpalosur, do ta mbanin gjithmon në  fshatrat e tyre të reja që do ndërtonin, në shtëpitë e tyre, sepse një ditë do fluturonin bashkë me shqiponjën e tij drejt dheut amë. Ai flamur do tu kujtonte…se të huaj ishin në këtë dhe…ku po shkonin dhe se …Arbëria matan detit na kujton…dhe na prêt që të kthehemi.

Qeni turk do të përpiqej që të harohej flamuri i Skënderbeut në Arbëri,.  por  luftëtarët e tij, të ikur në ekzil dhe bijtë e tyre më von, do ta risillnin në Shqipëri  flamurin e Arbërit.

ç- Në atë heshtje ikjeje  dëgjoheshin amanetet e të plagosurve, në agoninë e vdekjes…Ecni shokë, ju me shëndet/po ju lutem, atje poshtë/të më merni kalin/dhe tja çoni birit tim/se ritet e rrëmben shpatën/e i hipën ai kalit/te lufta të ma çojë….

Ata e morën amanetin e Dedi Skurës dhe me vete, morën dhe të birin e tij, që të ritej, të burrërohej e të rikthehej në ato sheshbeteja, për të marë hakun e të jatit dhe të atdheut.

Dhe amanetin e kthyen në këngë, ta këndonin mbrëmjeve pranë vatrës a të dielave në shesh të kishës, që mos ta haronin kurrë.

d-Në atë anije ishte edhe Kostandini, me flokë të përbaltur, dhe s’po e zinte vendi, as atë dhe as kalin e tij, sepse udhëtimi i tyre nuk mbaronte aty ku do ankorohej anija. Aty do niste  një tjetër udhëtim turravrap nëpër  re e nëpër botëra, me ditë natë e me mote, udhëtim që ende vazhdon edhe sot, nën këngën e zogjve…ciu,ciu/kini parë a skini parë/shkon i vdekuri me të gjallë/hipur në të njëjtin kalë…  

Se  ka një besë të  dhënë, ka dhënë një fjalë që duhet mbajtur, ndajë ka tre vjet që  nuk e tret dheu.

e-Në një cep të kuvertës një plakë po u tregonte fëmijëve legjendën e “Kostandinit të vogëlth” duke  bërë që të riteshin sa ora, dhe nga fëmijë, të bëheshin burra luftëtarë, trima dhe të besës, duke ëndëruar për të bukurat  e tyre të ardhëshme ardhëshme, veshur  me …dritën për cilon/ylberin për brez/yjet e marë te qielli.

ë-dhe pak më tejë, një nuse e re përkundëte të birin  në ninulla…biri im , një copë borë/ është i vogël e do në dorë…dhe, pas një pushimi të shkurtër, vazhdon përsëri…Fryn, fryn një erë, një erëzë/ fryn e hollë dhe vorbullon/…/këtu, këtu biri im/ u la vallja e vjen  jot ëmë/ të jep sisë, të vë në gjumë…

f- dy vajza të vogla, zënë dorë për dorë vraponin (apo vallzonin) në kuvertë dhe qeshnin me stërkalat që, duke u shkëputur nga dallgët, u binin në fytyrë. Dhe thoshnin me vehte se ato … janë yje, që do tua hedhin përsëri mbi vello,  ditën e dasmës, kur të riten…
 
4-Këngët edhe vallet e Arbërit u kënduan dhe u kërcyen në vendin e ri, vërtet me një tis të hollë malli përsipër, por përsëri me finesë dhe elegancën që kishin patur.

Atdheu i ri u rezervoi arbërve një klimë të ngrohtë ekonomiko-shoqërore, edhe kjo falë bëmave dhe traktateve të Skënderbeut. 

Por ecja e tyre në jetë, qoftë dhe në këtë klimë të ngrohtë, ishte në radhë të parë meritë e vetë tyre. Ishte përvoja e origjinës së tyre,  baza  e ngritjes në jetë, qoftë në hierarkinë shoqërore qoftë në atë ekonomike.

Por atdheu i ri u rezervoi një “klimë të ngrohtë”  edhe këngëve, valleve, legjendave dhe balladave  të arbërve. Po të lexosh krijimet popullore të kësaj përmbledhjeje befasohesh me  finesën e vargjeve dhe nivelin e tyre të lartë artistik. Ëmbëlsia e vargjeve është e ngjashme me një  psherëtimë dashurie. Lexojeni ju lutem, jo për të më dhënë të drejtë mua, në këtë konstatim, sesa për ndjesinë e ngrohtë që do tju japë. Do përjetoni vërtet një mrekulli.

Në këtë kontekst, mund të lindë ideja e ndikimit të romantizmit europian në kulturën popullore arbëreshe, fakti që sot kemi edhe një vepër kaqë të arirë artistikisht.

Këtu duhet të pohojmë se, krijimtaria popullore i bën rezistencë çdo gjëje të re, të papranueshme për origjinën e saj.

Krijimtaria popullore shqiptare i bëri një rezistencë madhore krijimtarisë së bejtexhinjve, nuk e pranoi atë në asnjë pjesë të tij, ndonëse ajo erdhi me  forcën dhe autoritetin shtetëror të pushtuesve. Arsyeja është shumë e thjeshtë, këto dy krijimtari ishin diametralisht të kundërta në të gjithë elementët e tyre, qofshin elementë artistikë  apo shoqërorë.

Krijimtaria popullore arbëreshe, ka marë një tis të hollë romantizmi europian në vendin e ri, por  kjo ka ndodhur për arsyen se, ajo vetë, në origjinë ishte krijimtari  europiane. Shqipëria ishte pjesë e pandarë e  Europës, qoftë në mardhënie ekonomike qoftë në ato shoqërore e kulturore. Europa kishte kontë, vikontë, baronë, kalorës. Të tillë kontë, vikontë, baronë dhe kalorës kishte dhe Arbëria. (Bejlerët dhe agallarët  dhe bota e tyre erdhën më von, bashkë me pushtuesin.).

Obore aristokrate kishte  në Europë, të tilla kishin dhe fisnikët Arbër, me një jetë aristokratike tepër aktive. Këtu, veç të tjerash kultivohej një  art e kulturë që nuk ngelej larg asaj europiane, madje në disa raste edhe i konkuronte, për të mos thënë që i paraprinte.

Kështu pra,  në vendin e ri,  ishte tepër i pranueshëm për artin tonë popullor, pranimi i një tisi romantizmi europian në këngët popullore, si një element progresi. Kjo do të kishte ndodhur edhe po të  krijoheshin në Arbëri këto këngë, legjenda e ballada, po të mos kishte  egzistuar ekzili dhe pushtimi turk.

Por ama thelbi i krijimtarisë popullore arbëreshe te këto krijime, ndonëse në vend të huaj,  ishte dhe mbeti arbëror.

Dhe po ti shtosh këtij fakti edhe temën e kësaj krijimtarie, konkluzioni është kategorik.

E kam theksuar se,jo më kot Lamartini, duke përshëndetur De Radën për poemën e tij magjike “Milosao” i specifikonte se “Poezia duhet të kthehet në ato brigje ku ka pasë lindur”.

Si konkluzion mund të themi se këngët popullore dhe balladat arbëreshe të përfshira në këtë  “këngëmbledhës” të De Radës, janë thjeshtë këngë dhe ballada shqiptare, të cilat, duke  u mbartur në  vendin e ri, u shpëtuan nga shkatërimi i pushtuesit, “qenit turk”.

5-Por nuk u shpëtuan vetëm këto këngë e ballada. E parë në këtë kontekst mund të themi se  u shpëtua gjithë Arbëria.

Arbërit jetonin në jug të Italisë por bënin jetën e Arbërisë.

Në këtë Arbëri të re vijonin të kultivoheshin të gjithë ato vlera shpirtërore dhe artistike të kombit tonë, të cilat i kishte ndërprerë në mes lufta  me …qenin turk.

Në kushte të një pune intensive për të siguruar jetesë dhe mirëqënie, për të rifilluar  jetën e ndërprerë në mes, atë jetë plot finesë aristokratike dhe krenare, u thirën përsëri në ndihmë kodet zakonore të vendit, këngët  dhe legjendat , vallet dhe veshjet tradicionale, aqë fine, sa që edhe sot na mahnitin me elegancën e tyre.

Trimat e rënë në luftë u ngritën në këngë, si nëpër bedena kalaje dhe Skënderbeu u printe bashkëatdhetarëve të tij, në vallet popullore te sheshi i fshatit, duke valëvitur flamurin  me shqiponjën dykrenore.

Një këngë e kënduar shqip, ishte si  të shpëtoje në sheshbetejë një bashkëluftëtar të plagosur.

Një valle e kërcyer në shesh të fshatit, ashtu sup më sup me njeri-tjetrin, ishte si  të shpëtoje një fshat të tërë nga masakrimi dhe nga djegia e pushtuesit.

Një dasëm plot me valle e  këngë shqipe ishte si një betejë e fituar me …qenin turk.

Një vajzë e bukur, veshur me rroba popullore, aty në shesh të fshatit, ishte si e Bukura e Dheut dhe e vlente të luftoje me shpatë në dorë  për ‘të, që ta fitoje. 

Shqipëria qe e pushtuar, por Arbëria ishte e lirë.

E parë në këtë konteks, Arbëria e re po shpëtonte Shqipërinë.

Kjo Arbëri do të ruante pikërisht atë, që pushtuesi do përpiqej ti zhbënte në vendin e pushtuar, kujtesën identitare dhe historike të kombit.

Kjo Arbëri e re do ta  ruante dhe prej saj do shpërndaheshin nëpër Europë dëshmitë e identitetit europian të kombit shqiptar dhe historia heroike e tij, e cila shpëtoi edhe Europën.

Një dëshmi e tillë është kjo përmbledhje  e De Radës.


Sarandë, më 25.10.2015

Friday 23 October 2015

Ku hardhia pikon ... vetëm vesë?!



Ku hardhia pikon ... vetëm vesë?!

Nga Fatmir Terziu
                                    
 Abstrakt

Ku hardhia pikon vesë’ (Mërkuri, 2010) është një model. Model me të cilin ne rizgjohemi. Rizgjohemi nga timbri, asosacioni me të cilin ky timbër kumton kohërave. Kohërave që vijnë pas rrëmimeve kulturore të Manol Mërkurit, të cilat i biri Timo, poeti që vë në shenjë çdo germë të lidhur me këngën, vajet e bejtet piluriote, ‘padashje’ i bën dhe i qëmton me estetikën e tij, të mbesin elementë për gërmime shkencore. Dhe si gjithmonë dyert e “Milosao”-s së Matos, hapen për vlera të tilla. Vlera që nuk janë thjesht ‘rrëmime’, apo prurje, por vlera që na zgjojnë të thekim kulturën tonë të begatë, kulturën e gjerë joniane. Vlera që na japin gëzim dhe uratë nga fjala e trashëguar. Uratë që vjen nga urtia dhe transferohet në gjuhë dhe shkencë. Shkencë e ardhur në disa raste nga zhargone, nga rrëfenja, sajesa rasti, apo edhe krijime të thekuna ngeshëm dhe me rëndësi të shfaqjes. Gjuha jonë në kuptimin e saj zhargon, fjalën ‘rrëmoj’ e cilëson ndryshe nga kuptimi ynë në këtë rast. Ajo është një fjalë që ka sjellë në skenë fjalën ‘gërmoj’. Dhe dihet kur gërmohet toka, bereqeti varet nga shërbimi ndaj saj. Kësisoj shumë fjalë që i vardisen ‘rrëmimit’ edhe pse kanë kuptime të tjera të mirëfillta, kanë premisa të tjera në aspektualitetin kulturor. Po aq edhe në spektrin shkencor të gjuhës dhe semantikës. Ato, pra fjalët vetë-rrëmojnë të sjellin module të reja, pasuri të reja. Këtë e bën edhe ‘Ku hardhia pikon vesë’. Kështu që si mjaft fjalë që kanë kohë që janë larg zhargonizmit, si ‘shpif’, ‘mortajë prej rëre’ etj, tani janë një arsye më shumë të kalojnë së pari në requem për atë që i solli në jetë, e më pas të arsyetohen ashtu siç vetë këngët, vajet dhe bejtet piluriote bëjnë thesarin kulturor më vete. Pra nga zhargonizëm kulturor apo semantik, kemi joformalitetin e duhur të arsyetimit mbi bazë të prurjeve e mbledhjeve adekuate të folk-traditës së këtij lloji. Prurësi gojor, ose ana joformale e teksteve, ‘nuk ishte poet’, ose ashtu siç vetë autori, i biri i tij, Timo Mërkuri shprehet: “nuk ishte as poet dhe as rapsod dhe ajo që është më kryesorja, as ai vetë nuk ka pretenduar ndonjëherë, por as edhe unë nuk pretendoj ta prezantoj të tillë” (Mërkuri, 2010: 3). Por dy fletoret me shënime, rileximi i tyre, nuk janë arsye të thjeshta në ‘vetë-zënkën’ metaforike të autorit të ‘Ku hardhia pikon vesë’ me fatin e njeriut që rrëmoi viteve dhe na solli vlerat kulturore, por ‘kaplime të dyanshme’. Të tilla se ‘ato janë kujtime të shkruara në vargje’, dikur vetëm për të birin, tashmë për një masë të gjerë, dhe së dyti se ato janë vetë pasqyra me të cilën kultura ka rifrazuar veten, pra të njohura edhe për autorin-bir, të ‘Ku hardhia pikon vesë’.

Leximi në kohë, hapësirë dhe vend

Shkrimtari austriak Martin Auer, autor i gati dyzetë librave me temë paqen, shkruan më së shumti rreth asaj që ai e quan ‘kulturë të paqes’. Pra rreth asaj që ky shkrimtar e quan paqe me shpirtin, me vetveten. Kjo pikë duket disi interesante kur lexon memon për Manol Mërkurin. Autori i  Ku hardhia pikon vesë’, na vjen në ndihmë: “ çdo të diel kur ai dilte nga shtëpia, mund të nisej për kudo, por hapi e shpinte vetvetiu në varreza”. (fq. 4). Varrezat dhe dhimbja e lidhur me to ishin dhe janë edhe ajo pikëlidhje me të cilën shkrimtari Auer sedërton filozofinë e tij në tregime dhimbjeje. Tek tregimi i tij “Arobanai” ai shkruan: “Burrat dhe gratë ndalën vajtimet e tyre në mënyrë që të mos të zgjonin nga gjumi ... Vajet dhe të qarat nuk pushonin sepse Balekimito nuk do të zgjohej më. ...”. një dhimbje që lidhet me vajin. E lidhur me fatin e një ikjeje. Dhe kështu edhe ikja e djalit të Manol Mërkurit, ikja me rroben e ushtarit, grimon me fatin e luftës në të cilën rrëfen përshpirt-paqja filozofike e vajeve të Auer. Dhe ndërsa Auer na mëson historinë e vdekjes apo ikjes nga kjo jetë të Balekimitos, vajet e nxehta prush të Mërkurit na sqarojnë edhe sot siç u sqaruan ushtarëve vdekjen dhe historinë e djalit të tij. Aty ata mësonin adresat në Delvinë e në Krujë, aty ata mësonin edhe vendin e plagët apo edhe llojin e armës që u shkrep, apo edhe kohën dhe orën e vdekjes.
Kështu leximi në kohë, hapësirë dhe vend është disi funksional dhe filozofik edhe në këto tekste apo materiale të shprushta gojore. Përshpirtja e tyre është talent. Dhe si e tillë ajo meriton vëmendje edhe në hapësirën, vendin dhe kohën që emeton. Leximi i vajtimeve në një kohë tjetër duket një ringjallje, jo thjesht të kujtesës, por edhe të krijimit të një vizualiteti ndjesor për atë të cilin vaji rrëfen apo emeton. Kështu mes vargut, mes leximit në strukturë të gjallë semantike, lexuesi skedon veshjen, ngjyrën, sjelljen, dashurinë dhe dhimbjen. Dhe kështu hapësira, koha dhe vendi na ndihmojmë të mbesim më të interesuar në këtë tekst të rrëndësishëm.

Rëndësia e tekstit dhe fjala

Teksa rilexoja para disa kohësh tekstin e Volterit për Skënderbeun, Shqipërinë dhe shqiptarët, sillja ndërmend edhe rëndësinë e tekstit dhe fjalës, në mjaft aspekte. Pyetjes në këtë rast të lidhur me tekstin e Timo Mërkurit, po aq edhe me tekstet e materialet e të Atit, i garon vetëm thelbi se ai “nuk ishte poet!?”, por në anën tjetër ajo që shihet në tekstin e Fransua Mari Arue, me pseudonim Volter, përfaqësuesin më në zë të iluminizmit francez (1789-1794) nënshkruhet me thënien e tij: “gjithshka që shoh hedh farën e një revolucioni...”. A është ‘revolucion’ ardhja e teksteve interesante të Mërkurit në ditët tona? A duhen ato parë si tekste të ngushta familjare, shoqërore, fisnore apo zonale? Nëse nisemi ngushtë dhe datojmë ato ajo që vjen është lidhja me tekstin dhe fjalën dhe pastaj me tematikën dhe njohjen. Për shembull, për Skënderbeun, Volteri flet relativisht gjatë në veprën e tij të vëllimshme “Skicë mbi doket dhe frymën e kombeve”. Thelbi i këtij teksti është ky: ‘kombet e ndryshme kanë doke të ndryshme, ato të mirat krijojnë njerëz të mirë dhe anasjelltas’. Pra zonat e ndryshme në leximin e teksteve të Mërkurit krijojnë kulturat e veta, dhe më tej a nuk duhet të paktën të krijojmë këtë vlerë të mirë të njeriut modest dhe të mirë, që na la më shumë se sa duhej gërmuar apo rrëmuar në histori? Këtë e meriton nga vetë rëndësia e tekstit dhe fjalës. Vajtimet e Manol Mërkurit vijnë në ardhën e tyre tektonike dhe kulturore si arsye dhe jo si detajime, ndaj ato shihen në kontekst me zonën përreth Pilurit dhe më tej ku thuhet se ‘Po ashtu vajet e Himarës janë të dëgjuara në tërë Shqipërinë e Jugut’ apo edhe kur vajet krijojnë trokama jete si ato të Çamërisë dhe detajohen si ‘Në tërë Paramithinë dëgjoheshin kujet dhe vajet rrënqethës, të pleqve” e më tej kur sikleti vinte nga kohërat e zymta dhe “ku lindnin vajet e nënshtrimit dhe të shkurtonte jetën shati e lopata, ..... prej Qafës së Botës e me radhë në tërë Shqipërinë e Jugut, ku kalonte udha e lotit zihej vaji...”. Diku Manoli do të linte shenjat e veta:
“O Enver e o Enver
O enver
Na jep buk’ e mo’ na therr
O Enver
Për një copë paranike
O Enver
Vate dhe shkolla unike
O Enver.”
Këtu sipas autorit dhe shënimeve të tij teksti dhe fjala marrin më shumë se frymë. Paranikja, ajo copë e bukës së misrit, e cila gatuhej në shtëpi dhe piqej e mbuluar me një saç sipër të cilit hidhej prush e hi, ai tip kulaçi i misërt, ishte kafshata në fyt e lidhur me një emër. Dhe emri dihej. Guximi nuk imagjinohet. Ja pra teksti i këtyre perlave e bën atë më të shtrenjtë me fjalën më të gjallë e më të vlefshme në kohë, hapësirë e vend.
Ishte pra kjo këngë vaj e dhënë nga G. Kolagji, dhe e kënduar nga një grup fëmijësh nga Piluri ndërsa ktheheshin për në fshat nga Himara, ajo që na sjell mornica në trup dhe na dikton vëmendje ndaj këtyre prurjeve tejet të rrëndësishme dhe interesante për identitetin tonë kombëtar dhe atë kulturor.

Fjalëformimi tipik, arsye më vete

Semantika e këtyre teksteve duket si ajo gdhendja domethënëse në ‘katërshore’. Mjafton të citojmë teksvendosjen në faqen 82 të ‘Ku hardhia pikon vesë’ ku ‘Gushtovjeshta trembëdhjetë’ mbetet një fakt dhe më tej fjala e përbërë dhe e sedërtuar logjikshëm dhe me asonacion e timbër na bën të kuptojmë talentin dhe mjeshtërinë e Mërkurit. Fjala është e thjeshtë dhe e bukur: ‘Gushtovjeshta’ dhe ‘trembëdhjetë’ është një qepje tipike, pra edhe fjalëformimi tipik, është një arsye tjetër më vete në ndërrmarjen e një studimi të detajuar. Morali i fabulës në këtë tekst është se një vajzë e bukur duhej nga një djalë, por i ati këmbëngulte që ta martonte aty ku e kishte lidhur fjalën që në fëmini. Atëherë ajo nga dëshpërimi vari veten. Pra një dhimbje që lexon mes dhimbjes dhe bukurisë së fjalëformimit. Edhe në rastin e tekstit ‘Pleqërinë s’ma rrëfeve’ është ashtu si vetë Timo citon: “katër rreshta që thonë më shumë edhe se një poemë”. Të tilla janë edhe tekste të tjera si “Shejtan e turispinaq”; “O moj gushëbardhë” etj. 
Tematika e teksteve, tipologjia e tyre, edhe pse ndonjë rast jashtë fjalëformimit tipik, si tek teksti “Halim Xhelo Tërbaçi” na jep forcë në arsyetimin tonë, pasi aspektualiteti mbetet parësor. Edhe më shënimet e tjera nga fletorja e Manol Mërkurit si “Kur të zë gripi në pleqëri” apo “Syri të hapi qederë” kuptohet qartë se nga ‘hardhia’ nuk del vetëm loti, as vetëm vesa, por edhe ai lëngu jetik që përjeton edhe vdekjen.

Në vend të mbylljes

Si i tillë ky lëng i hardhisë, ky lëng i ADN-së kulturore të Mërkurit, na jep arsyen të themi me plot gojën se duhet të vendoset në këndin e tij kulturor. Studiuesit e sotëm, më së shumti të rrinjtë duhet të kenë konsideratë dhe të formëzojnë arsyen me vlerën e prurjeve të tilla në ditët tona. Sakaq a nuk do të meritonte të paktën një emër rruge në Sarandë për këtë figurë të përkujdesjes kulturore, apo edhe dhënia e një nderi qytetar? Ndoshta nuk e teprojmë kur duhet të rekomandojmë edhe Institucionet kulturore të drejtojnë vëmendjen e duhur dhe imediate.

Tuesday 13 October 2015

Vellimi poetik Anatomia e lotit.



Timo Mërkuri

ANATOMIA E LOTIT


Dhimbja

Dhimbja është banore e qytetit tim,
në lagjen time e ka shtëpinë,

në jetën tonë hyri pa trokitur.
Oh, ç'bujtëse e përzishme, e zymtë.

Tani bisedat na ngjajnë me përshpirtje
dhe lulet në ballkon kanë aromë thimjani.

Po kur do të ikë prapë në punë të saj
e trëndafili të bjerë era dashuri.


Bulevardi i dhimbjes


Unë nuk mund të shëtis
në bulevardin "1 Maji" në Sarandë
ku dielli shkëlqen ftohtë
si një pllakë përkujtimore
dhe. neonet ndrijnë mbi qepallat e mbrëmjes
si lotët në sytë e nënës së Hysen Açakos.


Në këtë Bulevard,
ku në skaj të pranverës
kortezhit të luleve u prijnë dy pëllumba të gurtë
që kanëparcelizuar jetën në trembëdhjetë vjet
këtu dhimbja ka një emër fëmije
dhe vdekja ka emrin shtet.


Përkujtimore


Sa të pikëlluara janë përkujtimoret
ndanë rrugëve. Sa të pikëlluara
e të zymta. Si policë në kohë shtetrrethimi
që të ftohin zemrën
e të thonë në çdo çast:
Këtej kaloi vdekja, ndalohet gëzimi!

Pranë tyre njerëzit ecin ngadalë
e të heshtur. Sikur shkelin mbi plagë
të pambyllura. Sikur zgjojnë dhimbjet
te buzëqeshja e murosur
në porcelan, që dëshmon
se lumturisë i janë mbyllur shumë shtigje.

Përkujtimoret ndanë rrugëve,
si qirinj të porsandezur në një varrezë.
Para tyre ditët tona kalojnë si kortezh.





Vajzat kanë mërguar

... e te pragu i shtëpisë sime
një trëndafil i bardhë nusëron.

Mëngjeseve kur nisem për rrugë
më përcjell me dënesa e lot.

E diç më thotë mes psherëtimave.

Por unë s'mund ta këpus
se  s'kam kujt t'ia dhuroj.


Shtëpia e refugjatit të humbur

Është një shtëpi aty në Jug,
e vogël. Si shtëpia e kukullës.
Me dritaret mbuluar nga qerpikët e pjergullës
e me manin te pragu,
që iu thanë pëllëmbët e gjetheve në degë
pa e thënë urimin "Mirëseerdhe, bir".

Është një shtëpi aty në jug,
e heshtur. Si një plakë e braktisur.
E një vijë uji që kalon te pragu, si vija e fatit
në një pellg, në pëllëmbë tëoborrit mbledh gjithë yjet,
por nuk ia zbardh dot ditët vetmisë.

O, kjo shtëpi e vogël në Jug,
si një pikë loti nën qepallë,
që është nga pak shtëpia e ne të gjithëve...

Çast

Bunacë e lehtë
dhe një shi që rigon.

Është vjeshtë vërtet
apo vendlindja ime,
me shaminë e natës ulur mbi ballë, vajton.

Kostandini

Kostandini është nisur të sjellë Doruntinën,
motrën, që s'i erdlii në nëntë morte
se i shoqi e kishte nxjerrë trotuareve prostitutë.

Patjetër do ta sjellë. Ndaj e braktisi varrin
që nëna të mos qajë të gjallë për të vdekurit
e të mos mallkojë të vdekurit për të gjallët
që rrojnë me turp.



Ditë e trishtuar

Sot nuk u vra njeri
e megjithatë kjo ditë cje e trishtuar.

S'ia ktheva përshëndetjen yllit të mhrëmjes
dhe as trëndafilit s'i fola
rrugës për në shtëpi.
Se kjo ditë më iku kot e s'kam ku e gjej më.
Më iku pa një puthje,
pa një dashuri.


Plakat e Vurgut


Të trishtuara janë plakat e Vurgut,
të trishtuara. Ndryshku i vetmisë
bren ditët e tyre.

Mëngjeseve dalin në prag të shtëpive
duke mbajtur në prehër heshtjen,
duke. mërmëritur përralla qës'u treguan kurrë
për nipërit e mbesat lindur në mërgim.

Pastaj nisin e flasin me të vdekurit
për motet e shkuara. U tregojnë të rejat
e dhimbshme. Dhe në mbrëmje,
pasi shtrojnë krevatet ku nuk fle askush,
ndezin një qiri.
I luten Shën Spiridhonit
të mos i harrojë më. T'i marrë atje lart
se u janë shterur lotët.


Zanafilla

E para ishte fjala!
... dhe fjalë e parë  është "vdekje".


Kështu u lexua ungjilli këtë pranverë
në qytetin tim.

Pranverë e hidhur...
Ungjill i trishtë...

Por do të shkruaj ungjillin e dashurisë..

Viti ‘97

M'u kërrusën supet
nga pesha e arkivoleve.
M'u thinjën flokët brenda një dite
nga lemeria që më panë sytë.

Kështu eci drejt Golgotës së jetës
Duke mbajtur peshën e këtij viti
si një kryq mbi shpinë.

Skafi

Skafi po çan detin
drejt bregut të largët.

Moj flutur e puthjes
seç t'u lagën krahët.

Skafi ikën, ikën,
lë pas veç një emër.

Qiparis i dhimbjes
ç'm'u rrite në zemër.

Njoftim i zakonshëm

Mos i mblidhni guaskat brigjeve të Jonit,

këta arkivolë të vegjël
të bardhë.
Brenda tyre nuk do të gjeni perla
dhe as shtëpinë e Afërditës.

Dhe po t'i vini pranë veshit
zhurma që do dëgjoni
nuk është këng' e sirenave,
ju siguroj unë.

Por është klithma e fundit
e refugjatëve të mbytur,
që s'arriti dot gjer në shtëpi,
por u struk këtu.

Mos i mblidhni guaskat brigjeve të Jonit
që u ndrin te koka kandili i detit.



Trishtim në Ksamil


Më zë trishtimi në Ksamil
e dhimbja shket mbi valë.
Portokallet e prera
ngjajnë në muzg
si kryqet përmbi varre.

Një ëndërr e vrarë
nën një limon,
një këngë pa krah
nën një ulli...

Dhe një dritë hëne përmbi to
që tretet si qiri.

Pranvera që nuk erdhi

Në qytetin tim
pranvera sivjet nuk erdhi.

Lulet rrinë të tulatura
mos i bëjnë kurora mortore
e zogjtë heshtin. Vetëm prilli
borë hedh mbi flokët e nënave
ulur në prag të vetmisë
me sytë nga deti.

Nuk erdhi pranvera dhe sivjet!
Nuk erdhi.


Zgjerimi i varrezave të qytetit

U shtuan të vdekurit
s'ka më vend rië varreza,
për djemtë e porsavrarë u prish muri rrethues,

u prenë bungovilet, agaviet,
limoni që kuvemionte me detin
Te hyrja ka mbetur veç një qiparis.

Tani Bashkia diskuton
për varreza të reja.
Në kodrat e Volloderit apo një Berdenesh.
Pse mos t'i bëjmë varrezat
në mes të qytetit,
ç'ndryshim kanë të vdekurit prej nesh?

Të vrarë ata, të vdekur ne.


Fshati që vdes

Ky fshat po vdes
e përmbi të hëna
fshin lot yjesh
me shamin' e reve.

Te parvazet e dritareve
të mbështetura ferrat
sodisin në oda
zbrazëtinë e djepeve.

Rrugët i mbuloi bari
u hap rrug’ e mërgimit
prej nga iku jeta
me hallet
dashuritë.
E trishtuar hardhia
në oborrin e shkretuar
mbështet pëllëmbën e gjetheve
në tëmthat e çatisë.

Ditë marsi, ora tetë

Kjo ditë  Marsi dhemb
si plagë e porsaftohur.

Lulet që çelin, më kot
e mbështjellin si fasho,

se ora tetë i mbeti
si plumb i mbetur rië brinjë.

Ndaj dhemb kjo ditë, kjo orë
kur skuqi trëndafilin gjaku.


Ode për këtë liri


Liria më goditi si tokmak në kokë
e më la në mëdyshje më keq se diktatura.

Vërtet pas këtij shtegu s'më kanë zënë pritë
që të ma ngrijnë emrin mbi një pllakë mermeri
dhe kjo e përpjetë a s'është Golgota ime
ku do më kryqëzojnë shpresën a dashurinë?

Ku i kam shokët. e miqtë, apo u bënë armiq
apo unë u bëra armiku i miqve.?

***

Vërtet nuk është një ëndërr që ikën bashkë me agimin
kjo liri që më ngujoi në dyshim e dhimbje?!


Kisha një mbesë që më thoshte

Polinës së vogël

... se yjet janë trëndafila të bardhë
çelur në lëndinat e qiellit

dhe meteorët jarië karafila
që zoti ua hedh njerëzve që do.
Po mblidhëm ti për Barbin një tufë yje
ose. së paku tre-katër meteorë...

***
Kisha një mbesë të vogël që s'e kam më...
Te cili yll, vallë ta kërkoj?

Dreka

Sot për drekë kisha kokën e një miku të vjetër.

***
Sa mirë dimë t'ia hamë kokën njëri-tjetrit.



Këngë e arrestuar

Mbrëmë policia arrestoi një këngë dashurie
në bulevardin qendror të prostitutave.

Urgjentisht sot filloi çështja penale
ndaj kësaj shkelëseje të moralit të kohës.

Trëndafili i ëndrrës

Ndonëse ti s'më deshe
unë s'mund të të urrej.

Emrin tënd ua dhashë ëndrrave të mia,
 si njëfidan trëndafili që e mbjell në shkurt.

Vjen marsi e lëshon sythe,
vjen prilli e gonxhet çelin
si një buzëqeshje që të pikon në zemër.

Janë të bukur trëndafilat
dhe kur çelin në ëndërr.

Fjalë dashurie

... si petale trëndafili më mbulojnë
dhe ma bënë jetën prill e maj.

Ç'trëndafilishte rrit për mua në zemër
 pafund edhe pa anë.


Lypësat në Sarandë

Lypësat, si trëndafila të tharë
rrugëve të qytetit tim.

S'të besohet që ka lypësa ky qytet,
që duhej të kishte vetëm dashuri.




As sot s’erdhën djemtë nga kurbeti. As nesër s’vijnë.
 Nga lotët e derdhur është hidhëruar deti.

Loti i detit
2003


Sofra

E varfër sofra jonë, një fetë bukë
lyer me dritë hëne
dhe rreth saj
një trumbë fëmijësh që çukisin përralla.

Shkojnë shpejt të flenë, që të përqafojnë babanë
duke shaluar ëndrrat si një kalë me flatra.


Eh, Shqipëria ime
                        atdheu i refugjatëve.


Deti i hidhëruar

Qyteti i trishtuar, ulur në prag të shtëpive
dhe një hënë e dëshpëruar që tenton të mbytet.

As sot s'erdhën djemtë nga kurbeti. As nesër s'vijnë.
Nga lotët e derdhur është hidhëruar deti.


Edhe këtë vjeshtë...

.. .fushave të Vurgut plugu s'ra.
Heshtja leson dhimbjen. Dhe në muzg
ferrat nxijnë mbi të si dregëza mbi plagë.


Triptik

Nitës!
I

Ky park ku ti shëtit shkujdesur është zernra ime
Dhe këto lule që ti ledhaton, ëndrrat e mia janë.
Tani që të njoha ty
dua të rroj e të vdes si trëndafili në maj.

II

Ky stol ku ti je ulur është veç një gur
që dikur zemrës ia pata vënë.


Mos u habit,
në zemrën time do gjesh gërmadha dashurish
që mund t'i soditësh si rrënoja antike.

III

Unë, jetim si ylli i mëngjesit. I heshtur si ai,
kam qiellin tim e dashurinë time.

A e ke vënë re, buzëqeshja ime
ka më shumë ylbere se gjithë pranvera
dhe këngën time kori i yjeve e shoqëron
duke bërë të hedhë valle Arusha e Madhe?

Unë pra, po të jap zemrën time
me ylbere mbi rrënoja e ansamblin e ëndrrave
që këndojnë himnin e dashurisë.

Unë nuk e di ku e ka  shtëpinë. pranvera,
por buzët e tua  janë për mua  portat e lumturisë.


 Pulëbardhë në zhytje...

.. .apo ësht'ë vajzë, kaq shumë e dëshpëruar
saqë kërkon të mbytet?

Ditë e zakonshme

Ditë e zakonshme. Bisedat
si lumenj derdhen në digën e dhimbjes
e në sytë tanë vezullon trishtimi.

Kemi harruar të qeshim. Mbrëmjeve
teksa rrimë në boshësi dhe heshtje
shohim se dhe yjet po ikin drejt mërgimit.

Vallë asnjë yll s'do ndrijë mbi qytet
dhe asnjë djalë s'do fërshëllejë në rrugicë?

Vjeshtë e përdhunuar

S'e kuptuam kur erdhi vjeshta. Veç kur pamë
gjethet e rëna, si copëra fustani grisur me dhunë
dhe bajamen e vogël, që dridhej në erë
si një vajzë e përdhunuar.

Atëherë vumë re
se gjimnazistet shkonin rrugës të menduara.

Ndoshta vjen të hënën

Si erdhi kjo e shtunë që nuk është e shtunë?
E heshtur.
Dhe heshtja është himn i vetmisë.

Akrepat e orës
ngjajnë si kërcunj shkurresh të djegura në shpat mali. Luhaten nga era. Por prapë mbeten në vend.

Duhet patjetër të kaloj të dielën,
si një djerrinë të përcëlluar
plot thëngjij e afsh shkrumbi,
e të mbërrij tek e hëna,
ku mëpret buzëqeshja e një trëndafili të porsaçelur,
që valvitet si flamur në kiçin e tragetit.

Dhe s'dua të mendoj se e hëna mund të vijë vetëm. Ndryshe, le të mos vijë.

***

Mbrëmë, pas mesnate,
deti përpiu një skaf me refugjatë.
e sot i qetë
po tret ushqimin i shtrirë në brigje.

 Në fshatin e refugjatëve

Tani këtu këngët lindin si fëmijë të vdekur,
dhe për më keq akoma nuk ka kush i varros.

Loti i detit

Po vij drejt jush si një dallgë deti.
Valët
janë rrudhat e ballit tim. E kreshtat e tyre të bardha thinjat e mia të parakohshme janë.

Ju dërgova pulëbardhat si kartolina për Krishtlindje,
a i morët vallë?

Po vij drejt jush e prapë do kthehem me zbaticën
se kam dhe një mort tjetër.

Një dert e kam. E një dhimbje që s'e rnbaj dot.
Dhimbjen time e vajton dhe deti.

Me lot stërkalash e suferinat ligje,
moj botë e vogël, pse ke kaq shumë dhimbje?

Pragmbrëmje në bregdet

Ah ky det, ky det që nis te zemra ime
dhe këto pulëbardha që zhtyten
e kërkojnë refugjatët e mbytur.

Ëndrrat më ikën me skaf dhe stërkalat
janë lule të bardha
lidhur në një tufë mortore, hedhur në det.

Kush i hodhi pas kësaj ikjeje vallë?

Hëna hesht. S'pa gjë. Atë çast s'kishte dalë.

Sy vajze në trotuar

Qerpikët lyer me rimel e zgjatur si qiparisa
u bëjnë hije ëndrrave të vdekura,
varrosur në parcelat e syve.

Sa shumë varre,
sa shumë kryqe
paska brenda tyre!



Mëmë Kania dhe trëndafilat


Mëmë Kania, e vetmuar në fshat,
ka mbjellë në oborr të shtëpisë njëmbëdhjetë trëndafila.

I ka vënë secilit një emër fëmije,
i ujit, i plehëron sikur të konte nipërit e mbesat,
u këndon ninulla e përralla u tregon me lezet.

Trembet mëmë Kania,
se mos i ftohen trëndafilat-fëmijë në vjeshtë.

Se këtë dimër, e di mëmë Kania, që s'do e kalojë dot
dhe i dhemb që s'do t'u shohë buzëqeshjen
njëmbëdhjetë nipërve e mbesave
te petalet e porsaçelura në pranverë.

Pleqtë i vdes malli i fëmijëve,
pleqtë tanë të mbetur vetëm.


Vrasje

E vrava armikun tim. Tani
nëna e tij veshur me të zeza po qan me ligje.
Po pse kaq shumë i ngjan nënës sime?





Shelgjet lotues

Mos i mbillni në parkun e qytetit këta shelgje lotues,
me degë të lëshuara si flokët e vajtoreve në mort,
këta shelgje që duket se të ftojnë të vajtosh me ligje.

A s'mjaftuan vallë, lotët që derdhëm këto vite?
 

Pragmbrëmje lundrimi në Otranto

Ecim duke u lëkundur mbi kuvertë
si kortezhi rrugës për në varrezë.

Kjo erë që fryn me ulërimë,
mos është klithmë njerëzish që kërkojnë ndihmë?

Dhe dallgët që hidhen mbi kiç e mbi bash
Ngjajnë me duar të zgjatura fëmijësh e grash.

Ja, dielli mbyllet nga qepallat e horizontit
si një sy i skuqur nga lotët e mortit.

Dhe ecim duke u lëkundur mbi kuvertë,
si kortezhi rrugës për në varrezë.

Të dielat e Marsit

O, këto të dielat e Marsit
Këto të dielat e Marsit. Dhe të Prillit.
Këto të diela përkujtimoresh,
që shkojnë rrugëve të qytetit tim,
veshur me të zeza.

Këto të diela, kam frikë
mos hyjnë në jetën time si plakat e Marsit
dhe ma ngrijnë pranverën përjetësisht.

O, po, i kam frikë të dielat e Marsit. I kam frikë.


Në varrezat e qytetit tim

Shkoi dhe kjo ditë, me lot e ligjërime
e me rënkime deti.
- Pse ndodhi kështu?

Tani erdhi mbrëmja. Flini, more djem,
se rrinë zgjuar e treten
nënat për ju.


Vajzat e qytetit tim


Sa shumë vajza,
o, sa shumë vajza të bukura ka në qytetin tim,
që në heshtje kuvendojnë me vetminë!

Kush vallë ua ka vrarë dashurinë?




Endërr e pafat

Do ta vras gjelin e komshiut, do ta vras
se më zgjoi
porsa ti më erdhe në ëndërr
dhe nuk munda të të puth, nuk munda të të flas.

Sa pafat që jam unë i ziu!
Dhe në ëndrra qenkam i pafat.

Do ta vras gjelin e komshiut, do ta vras.


Hëna e gushtit

Ah kjo hën’ e gushtit, ah kjo hënë
që më la pa gjumë! Po më çmend
kur vrapon mbi valë e ndjekur nga yjet,
siç më ike ti e ndjekur nga ëndrrat.
Ah kjo hën’ e gushtit sa më tremb!

Si vajzat me skafe, kur ikën me ngut,
trembem se mos hëna bëhet prostitutë.


Ditën e Pashkës së Madhe

Minës, me shumë mall

Kjo grua me të zeza te porta e kishës
nuk është Shën Mëria. Është motra ime
që pret të ringjallet im vëlla i vrarë.
O njerëz, nuk e ndihmoni dot,
lëreni të qetë në dhimbjen e saj.

Se zemra e saj prej motre s'mund të pranojë
që për të varfërit ringjallje s'ka.


* * *

Në qytetin tim
mos e kërkoni.

Dashuria vjen e të gjen vetë.

Të vjen si valë e si valë. të shket.


Mos u ktheni në qytetin tim këtë pranverë, se do t’ju ngurtësojmë mbi përkujtimore.

Klithma e pulëbardhës
2004


Ky qytet


Ky qytet
nuk ka thjesht formën e zemrës sime.
Ky qytet është vetë zemra ime e shtrirë në brigje.


Kur vjen prilli

Sa herë që vjen prilli, o, po, sa herë që vjen
prilli
Në lagjen time pranvera struket e trembur
në rrugica.

Zogjtë heshtin. Ne ndalim hapin.
Trëndafilat ulin kokën
Dhe një nënë zë e vajton me ligje të birin
e vetëm.

Ninulla e fundit

Kjo zhaurimë e valës mbi ranishte.
Kjo zhaurimë e ëmbël e valës mbi ranishte.
O, kjo zhaurimë e valës, ju betohem
është ninulla e fundit e nënës sime

që e këndoi për mua ndërsa ikte.


Vajza i punon në Milano...

... dhe ai ndërtoi në qytet një shtëpi të re.
Të bukur.
Vetëm dritaret i ka pak të vogla. Si sy
të ulur nga turpi.




Pranvera e plagosur

E qëlluan me një plumb e po zvarritet
nëpër luginë
duke pikuar lulëkuqet nga plaga
e ngrohtë.

O, po, e qëlluan, more, mu në prag të prillit
e luleshqerrat kanë ulur kokën, në pritje,
si vajtore.

Për pranverën

Sikur të kthehej dhe një herë dimri i '96
do të preferonim të zgjaste sa më shumë.
Ndoshta shumë më shumë. Me më tepër
të ftohtë e ngricë.

Vetëm pranvera të mos vinte hipur
mbi makinën e zezë të varrimit
duke përcjellë lulet për në varreza.

Po të vinte edhe një herë ai dimër, po të vinte.









Fustani që nuk u vesh

Ky fustan i bardhë nusërie qepur me
                                                            ëndrra të rubinta
që mbeti palosur në një kuti kartoni
                                                            si i vrari në arkivol.

O, ky kfustan i bardhë nusërie që po nxihej
                                                            nga dhimbja
seç na e mbushi shtëpinë me zezonën
                                                            e tij.


E zeza Muzinë

sipas një motivi popullor

I

Ti pranverë nga je?
Nga këndon thëllëza.

Këndon vetëm-o
Këndon apo qan
Se s'e dëgjon kush
 Se nuk ka njeri

E shkreta Muzinë.




II


Ti dimër nga je?
Nga e zeza Muzinë.

Ulur në çdo prag
Strukur në çdo vatër
Dimër në çdo stinë
Si nuk u dëgjua
Një ninullë fëmije.

E gjora Muzinë.

Vajzat e shtëpive tona

Shtëpitë e vogla, si guaska të hapura
në breg
dhe vajzat që dalin prej tyre, të bukura
si Afërdita.

Mos më flisni për dashurinë, se më vjen
të qaj
kur i shoh të treten me shikimin nga deti.


Fund vjeshte

Det i shqetësuar. Dhe pulëbardhat që
vërtiten mbi të
si shpirtrat e paprehur të refugjatëve
të mbytur.
Mos i shih dallgët kur thyhen mbi
shkëmbinj, se stërkalat
më ngjajnë me thinjat e nënave tona që
vajtojnë te bregu.


 I vetëm

Jam vetëm. Vetëm-o
Pa një mik. Pa një ëndërr. Pa një shpresë.
Më i vetëm se vetmia - nënë moj.


Bija ime

Bija ime e vogël,
gjumi im i prishur,
gazi im i fshehur,
dhe pëllëmbë e ngrohtë
që më fshiu lotin.
Ti përherë e vogël
bijëzo.


Pilur

Në këtë majë mali u ka hije
të bëjnë kuvend a të këndojnë
vetëm poetët dhe perënditë.

Këtu i kemi ne shtëpitë.

Natë gushti

Sa e ftohtë kjo natë.
Sa ftohtë ka lypësi kur numëron paratë.
Sa pak që janë. Sa pak më dhanë.

O zot,
Mos vallë banorët e qytetit janë të varfër si
lypsarë?!


Im atë

I  rrudhur si ulli shekullor. I thinjur gjer në
mendime
Me siguri që është profeti i fundit mbi dhe.


Kthimi

Zhulit, me dhembshuri

I

Sa i dashur më është ky gur te pragu i
shtëpisë sime
Sa i dashur. Dhe sa i rëndë.
Si loti i sime motre kur u nisa.

II

Sot yjet janë çmendur. Vallëzojnë rreth
meje
Dhe hëna më pëshpërit fjalë të ëmbla
si motër e përmallur.


Kol Mërkuri, legjenda e fisit

Kol Mërkuri i staneve,
lot i nxehtë i vajeve.

Krahu i tribunëve,
varg i parë i këngëve.

Portë e hapur e miqësisë,
legjendë e hidhur në lis.


Restaurimi i kalasë së vjetër

Nuk e kam hallin pse i ngritën prapë këto
bedena
Por trembem  mos dëgjoj në agim bririn e
luftës mbi to.









Vija e gjelbër

Një mik duke më folur për vijën e gjelbër të Qipros e quajti atë vija e zezë. Dhe mua m'u kujtua shiriti i zisë që lidhi në krahë im atë kur m'u vra vëllai.

Jo vijë e gjelbër, por shirit i zi.
Shirit i zisë
që një vend i tërë e mba në krah.

Qytetet e mbajnë te parku i të dashurnarve
Një lumë e ka lidhur te ura.
Poeti te një varg.
Qielli te një yll.
Pranvera e ka lidhur te ylberët dhe nënat
 me këtë shirit të zi
zemrën kanë mbështjellë.


Ura e Artës
Ashtu si dridhem unë në mur
Ashtu u dridhtë dhe kjo urë.
Populli

Urë, moj, e shkreta urë, o moj urë e Artës.
Ke shekuj që dridhesh, por s'të ka rënë
asnjë gur.

Unë am ai fëmija që u rrit nën harqet
e tua
po pse dridhem kështu sa herë kaloj te ty?
Shtëpia ime në breg të detit

... e vogël, si një pikë lot. Era
sjell kuje skafesh e dallgët përplasin te
pragu i saj
trupat pa jetë të shpresave të mbytura.

Shtëpia ime në mes të pjergullave. E
fshehur si dashuria e parë.
Këtu trishtimi si një qukapik troket në
trungjet e ëndrrave
të mia, që nuk lulëzuan kurrë.

O, po dua ta shemb këtë shtëpi
mureplasaritur
se më shkoi jeta me ankthe, pafjetur një
natë gjumë.

TRIPTIK

1.
Kur ma shlyen borxhin

Njerëz të verbër më prinë në rininë time
E unë tani s'di t'i gëzohem rrezes së diellit.

Kush ma ka borxh agimin vallë? E  borxhin
kur ma lan?

  


2.
Trëndafil i vonuar

Ky trëndafil pse çeli në shtator? Ç'do të
më kujtojë?
Çfarë kam harruar apo s'e kam vënë re?

Dhe kjo ngjyrë. Ah kjo ngjyrë, kjo ngjyrë
e petaleve.
As e kuqe tavmm, por një e kuqe në të
verdhë.

3.
Bukuri e lodhshme

Mos u habisni po më patë krah për krah
me Dean
Më lodhi bukuri e përsosur e Afërditës.  


DlPTIK PËR NJË EMËR

Nitës!
I.
U deha

Tek emri yt është kacavjerrë si hardhi
dashuria ime.,
mbushur me ëndrra si vile rrushi.

Po unë si u deha pa ardhur as gushti?!

II
Emrin ta shqiptoj si këngë

Tek emri yt e kanë bërë folenë
zogjtë e ëndrrave të mia,
që nisin e këndojnë në kor
kur të flas a kur për ty mendoj.

Emri yt është kënga e këngëve që këndoj.


Skicë-portret i hallë Sofisë

Veshur rrobën e zisë mbi vellon e nusërisë
jetën qysh e ka branisë orëzeza ditë pisë.


Poetët

Te pragu i shtëpisë sime si një kalë gjunjëzohej
deti. Po s'qe i imi.
S'mund t'i shaloja valët.
Veç t'u përkëdhelja kreshtat si jelet
dhe të shihja tutje vijën e horizontit që
nxinte si vija e kufirit
e të mendoja: Me klon janë ndarë dhe qiejt
e detet.

Pse poetët kanë lindur të gjithë pas
një kloni
Apo klonet i ngritën aty ku janë poetët?!


Çast

Shikimi im
u ul mbi flokët e tua  si një flutur.
Mos u tremb, të lutem. Është kaq bukur...


 Sarandë .

Agimet si një puthje dhe mbrëmjet si
dashuria vetë.
Unë midis agimit dhe mbrëmjes
a thua do më mjaftojë një jetë?!


Ditë me sherr


U rrahën djemtë e lagjes për ty.

Dita iku, me diellin e zmadhuar në ballë
të horizontit
si një sy i enjtur nga goditja.

Djemtë ëndërrojnë, e janë gati të rrihen
nesër përsëri.






Prill

Vesa mbi lulet e shkelura
Është lot' i ëndrrave të mia;
Në prill, më besoni, dhe shqiponja
Qan nga dashuria.


Vetmi në dimër


Do ndërtoj një të dashur prej dëbore
Këtë dimër, kur edhe zjarri mërdhin.

Ndoshta më ngroh pak në këtë të ftohtë,
Në këtë vetmi.


Uji që lajmë duart

Pilati lau duart. Por ujin nuk e derdhi.
Me të lanë duart dhe fytyrën shekujve  Pilatët e rinj.

Tani uji është nxirë. Madje bie erë. S'flitet më
për pastërti.

Po pse. po dyndemi për duarlarje çdo ditë?




Një re më pengon

Ah, kjo re e bardhë që s'lëviz. Kjo re e vogël e bardhë
Si shami e sime motre që refuzon të shpaloset në
një lamtumirë.

Ah kjo re e bardhë që s'më lë të hipi në skafe të nisem
Se në cep të saj ndrit yll' i mëngjesit si një lot pikëllimi.

Malçan[*]

 Malçan mali qan me dyzet palë lot,
Era vjen me kuje. Po s'e kuptoj dot
Se ç'thotë në ligje. Për ç'gjëmë. Për ç'mort
Qan e s'pushon mali dyzet shekuj plot.

Me lotët e malit, me lotët e mi
 S'u ngope, o zot?


Qafë Botë

Kodra e shtrirë si një i vrarë. Dhe piramida
si thikë e ngulur në shpinë të tij.

Vjeshta është kthyer si i penduari te vendi i krimit
e zverdhur nga makthet. Era dënes e lot.

O, po hqeni këtë thikë nga shpina e kodrës.
Hiqeni ju lutem. Për atë zot.

Epilogu i lavdisë

Në Janinë. Pranë kalasë. Për pesë para
Shpatat e heronjve shiten në dyqanin
e vjetërsirave.

Janinë, më 2 nëntor 2004

Në Janinë mbërrita i lodhur...

... e s'm'u kujtua fare Ali Pashë lavdia.
Por te një vajzë që shëtiste e trishtuar buzë liqenit
S'di pse kërkova zonjën Frosinë.

Eh, sa i lodhur që mbërrita në Janinë.


Pranverë e kryqëzuar

Tono Mërkurit

E krycjëzuan pranverën në vendlindjen time
Dhe nënat u veshën me të zeza,  si Shën Mëria.
Po, pra. Krishti u kryqëzua në Sarandë, në kodrën
e Manastirit.
E bashkë me të u kryqëzua dhe dashuria.
Atë ditë kishte dhënë puthjen e parë,
Ndaj i kishte rënë një nur si bir perëndie.
Që atëherë seç ka një bukuri në atë vend,
Siç ka qielli dritën e një ylli që është shuar.
Por në jetën tonë java ka vetëm të premte
Dhe viti ka vetëm një stinë, dhe atë të kryqëzuar.

Tani dielli lind i ftohtë,  si një foshnjë e vdekur.


Hëna e fëminisë sime

Sa e bukur qe hëna e fëminisë sime. Sa e bukur.
Kur loznim mbyllasyza, hipte mbi manin
e xha Dhimos,
Tundte degët e binin meteorë
 E mes gjetheve. rnë shkelte  syrin e ma bënte:
kuku, kuku.
O, po, qe e. bukur hënëza ime. Unë ëndërroja të
martohesha me të.
Ose, së paku, të merrja një nuse nga hëna.

Mesnatës, kur më përcillte në shtëpi, ulej te hardhia
pranë dritares.
Ku unë, më në fund,  e puthja nëpër ëndrra.

Qe vërtet e bukur hëna ime. Tani
Në qiell është një hënë bullafiqe. Plakë mistrece
Leshralëshuar përmbi det
Që përgojon gjithë natën vajzat e qytetit.
Ziliqarja e dreqit.






Ylli që po fle


Heshtni pak, ju lutem. Ky yllth' i vogël
Po fle mbështetur te këngët e mia
Ëndrrat e tij me siguri po lozin
Me ëndrrat e tim biri.


Tim biri

Në këtë ngjitje, o bir,
e shoh që të pengon hapi im i rëndë e i ngadaltë.
Por ti mos mendo të. më ndihmosh duke mëpritur.
Asnjë pritje nuk të çon përpara.

Pra, lërmë mua, të përcjell ditët e mia.
Ti vetëm ecë  të mbërrish
aty ku unë ëndërrova të arrij
Aty nise hapin tënd. S'do jeshë vetëm. Aty
të pret buzëqeshur të të bëhet bashkudhëtare
ëndrra ime, o bir.


Një tutor prostitutash fërshëllen melodi...

... e mua s'di pse më ftoh, s'di pse më ngjeth
s'di ç'më kujton kjo fërshëllimë
Por mos e lini, ju lutem, të kafshojë këngët e
dashurisë.


Në Butrint

E bukur është Artemisa[†], shumë e bukur
Po ç'fatkeqësi. U plak
Me buzë të paputhura.

Bungovilet e prera 

I prenë bungovilet barbarisht. E prej tyre
fluturuan kujtimet e fëminisë si harabela të trembur.

O, po, unë gjithmonë kam patur nevojë për pak fëmini Që ma jepte lulimi i gjithëvitshëm i. bungovileve.

Tani luleve s'ua dalloj dot ngjyrat e zogjtë  s'vijnë tek unë Ndaj më duket vetja si një zgërbonjë ku fryn veç era.

Emri i lotit tim

Një pikë loti struket nën qepallë.
Si te porta e kishës
Fëmija jetim.

Kosovë është emri i lotit tim.

Sarandë, më 1999





Mëria e monumenteve

Gjeneralë sllavë. Rilindasit tanë përballë
Në dy brigjet e Drinit të Zi.

Njerëz që flasin me mirëseardhje
dhe monumentet që shihen me mëri.

Strugë, më 29 Nëntor 2007


[*] Mal në rrethin e Sarandës, emri i të cilit do të thotë “Mali qan”, në shpatet e tij janë syzetë burime uji.
[†] Artemisa, perëndesha e gjuetisë. Përjetësisht e virgjër.