Monday 23 November 2015

Një shkrim i dëshpëruar…



Një  shkrim i dëshpëruar…



Nga Timo Mërkuri


Artikulli “Respektojmë krijimtarinë popullore dhe jo “Iso-polifoninë” me autor Fitim Çaushin, botuar te  Gazeta Telegraf e datës  21 Nëntor 2015, , ngjason më shumë me një klithmë dëshpërimi se sa me një analizë kritike vizionare. Ky shkrim , po  ta shohësh hollësisht është thjeshtë ripërsëritje e tezave të hedhura në  shumë shkrime të tjera të këtij autori si dhe të  trajtuara gjërësisht në librin  e tij “Tjetërsimi i polifonisë shqiptare”, ku  në çdo rast ka marë dhe përgjigjen e duhur.

 Por ajo që është e re në këtë shkrim, është doza e madhe e dëshpërimit me të cilën është shkruar, dëshpërim që e ka çuar autorin në ripërsëritje akuzash, ngatërim tezash si dhe epitete jashtë çdo etike qytetare.

Ky dëshpërim e ka burimin  te  afrimi dhe organizimi festiv i 10 vjetorit të njohjes nga UNESCO të Iso-polifonisë, si kryevepër e njerëzimit dhe çertifikimin të  Akademikut Vaso Tole si “Qytetar Nderi” i qytetit të Gjirokastrës në datën 25 Nëntor 2015.

Të dya këto evendimente janë   burim frymëzimi dhe angazhimi për njerëzit e fushës së artit popullor dhe miq të Vaso Toles dhe si  të tilla priten me gëzim.

Artikullshkruesi, dukë mos qënë dakort me asnjë nga këto evente, dhe duke parë  te këto festime për 10 vjetorin e  njohjes nga UNESCO të Iso-polifonisë si Kryevepër e njerëzimit dhe te vlerësimi i   Vaso Toles me titull qytetar, pikërisht nga një qytet elitar në sferën intelektuale, në përgjithësi dhe të artit popullor, në  veçanti, pra duke parë te këto dy evente një përgjigje për sulmet e vazhdueshme të tij ndaj Iso_polifonisë dhe Akademikut Vaso Tole, në vënd që të respektojë, duke heshtur, gëzimin kombëtar për 10 vjetorin e Iso-polifonisë dhe gëzimin e një pjese të madhe artdashësish e lëvruesisht të folkartit popullor shqiptar, i dëshpëruar kalon në  deklarime jo etike, kur shkruan….Futja në UNESCO e këtij tjetërsimi (Iso-polifoni në vënd të polifoni) fetishizohet nga disa …laro të Toles .

E pyesim artikullshkruesin  se kush është…laro…?

a-UNESCO…., që e shpalli Iso-Polifoninsë si Kryevepër të njerëzimit, duke fetishizuar (në fakt vlerësuar) krijimtarinë popullore shqiptare

b-Këshilli Bashkiak i Qytetit të Gjirokastrës…., që i akordon Akademikut titullin e lartë “Qytetar Nderi”, duke fetishizuar (në fakt vlerësuar objektivisht) kontributin e tij.

c-Populli shqiptar…., që me të drejtë krenohet se ka  katër kryevepra të njerëzimit, një nga të cilat është Iso-polifonia dhe me birin e tij Vaso Tolen.

ç-Ata dhjetra mijra  artdashës e artlëvrues…., që u gëzohen të dy këtyre eventeve dhe e festojnë  25 Nëntorin si datë të shënjtë.

Mjafton ta shikojë në këtë këndvështrim problemin artikullshkruesi dhe ja jep vetë vetes  përgjigjen, duke u kërkuar edhe një ndjesë publike lexuesve.

Ndërsa unë do ta ftoja të bëhej pjesë e këtij gëzimi mbarëpopullor, në jubileun e Iso-polifonisë, dhe qytetarisht të uronte Akademikun e nderuar për titullin e lartë të akorduar nga  qyteti i Gjirokastrës.

Dhe unë e siguroj, se qyteti i Gjirokastrës, të peshon e të mat mirë para se të të japë edhe një…fjalë lavdërimi, e jo më një titull Qytetar Nderi.

Këtë titull Vaso Tole e ka merituar.

Duke e marë nga qyteti i Gjirokastrës ai është i nderuar dhe vlerësuar dhe bashkë me të, ndjehen të vlerësuar e të nderuar edhe ata dhjetra mijra artdashës e artlëvrues të artit gojor  popullor.

Qyteti i Gjirokastrës  tregoi  edhe njëherë  se është vërtet Kryeqyteti (I pashpallur) I kulturës, dijes dhe qytetarisë.


Sarandë, më  22 Nëntor 2015

Wednesday 18 November 2015

Studimi që kishte munguar….



Studimi që kishte munguar….

Përsiatje mbi librin “Joni Poetik  2” të Fatmir Terziut.


Nga Timo Mërkuri


Në qoftë se do më duhej të perifrazoja fjalët e poetes britanike Uendy Cope …Poetët e mirë lexojnë shumë…, cituar nga F.Terziu te “Liçenca poetike” duke ja përshtatur këtë konkluzion studimeve kritike, do të thoshja pa mëdyshjen më të vogël se…studiuesit dhe kritikët e mirë duhet të lexojnë shumë më shumë se poetët, dhe sidomos kur analizojnë e studiojnë poezinë.

1-Shkrimi i studimeve kritike i ngjan  punës së ar-kërkuesve në perëndimin e egër, të cilët, të paisur me një kazëm, një lopatë dhe një sitë, sitnin një mal të tërë rëre për të nxjerrë një gram flori. Vërtet një gram flori nxirnin nga një mal rëre  këta ar-kërkues të palodhur, por ky gram flori ishte shtysa e ndërtimit të qytezave të reja në rëzë të malit, të cilat shumë shpejt ktheheshin në qytete që riteshin çdo ditë. Ishte shtysa e hapjes së bankave në këtë qytet, e ndërtimit të shkollave, spitaleve, e ndërtimit të rrugëve dhe hekurudhave që të çonin nëpër metropole etj etj.

Ky gram flori ishte shtysa dhe rruga drejt progresit.

Ky gram floriri aty, në zemër të malit ka qënë shekuj të tërë. Puna është kush e nxjerr nga thellësia e malit, dhe ajo që është më e rëndësishmja, ta vëjë në shërbim të bashkëkombasve të tij.

2-Jo një gram flori, por një thesar të tërë, “situr” me mundim nga male të tëra…literature shqipe dhe botërore, na ka dhënë Fatmir Terziu te “Joni Poetik-2”.

Tërësia e referencave, konkluzionet shkencore, diapazoni i shikimit të fenomeneve letrare dhe trajektorja e rrugëtimit të tyre, karakteristika individuale e çdo krijuesi, e parë në tërësinë letrare të kohës, shtoi këtyre edhe një krijimtari fine e të pasur poetike e proze, që përfaqsohet nga disa vëllime poetike, novela, tregime e romane, flasin për një puntor të palodhur e cilësor të letrave shqipe.

Një  itensitet të tillë krijimi dhe nivel të lartë krijimtarie, në letrat shqipe, vetëm Sami Frashëri e ka dëshmuar.


3-Ky libër nis me studimin  shkencor mbi Artin Jonian, me temën…”Art Jonian? Po, mbi baza shkencore”, i cili është jo vetëm befasues por që tërheq vëmëndjen për nga thellësia e zhbirimit dhe hapërsira që çpalos.

Në kohën kur ne, një grup relativisht i vogël krijuesisht sarandiotë nisëm të shkruanim e të  flisnim me njeri tjetrin për “Artin Jonian”,... në fakt ne flisnim për veten tonë, për shkrimet tona, për artin tone dhe nuk pretendonim të  themelonim teori dhe shkolla, sepse ne e konsideronim vehten tonë ende si nxënës që mësojmë, zbulojmë dhe pasqyrojmë artistikisht ditë  për ditë botën e madhe magjike të Artit Jonian.

Nuk e krijuam ne Artin Jonian, ndonëse kemi folur me tingëllimën joniane, e pa krahasueshme me asnjë tjetër në botë. 

Ne nisëm të flisnim për Artin Jonian, si për  një botë apo qytetërim arti që  nuk ishte pjellë e fantazisë sonë, por  llogjikisht dhe  detyrimisht ka egzistuar, sepse reliket  e saj rrezëllijnë aty këtu.

Pak a shumë siç fliste me vete Ugolini për egzistencën e qytetit të Butrintit, para se ta zbulonte atë. (Citime nga libri im “Kur flasim për Artin Jonian”).

Pra, ndërsa ne, me entusiazëm flisnim dhe shkruanim për Artin Jonian, pati dhe  mendime e reagime se…Nuk ka Art Jonian…

Ne dëshmuam me botimet tona, egzistencën dhe finesën e Artit Jonian, por nuk hulumtuam për bazën teorike të tij.

Dhe deri në botimin e  librave “Joni Poetik” dhe “Joni Poetik 2” askush nuk kishte folur për këtë  risi letrare.

Kjo mungesë, ndoshta e ka burimin te kufizimet e socartit, apo gjethkë, por fakti është që …mungonte një studim për Artin Jonian…

Kritika letrare shqiptare nuk u muar me këtë risi letrare, duke e dënuar me heshtje, në kohën që ajo ka shekuj që jeton e krijon.  Duke “refuzuar” Artin Jonian, kritika letrare shqiptare i mohoi lexuesit shqiptar shijimin e një prej risive letrare më brilante dhe më të herëshme të kulturës shqiptare. Ndërkohë krijuesit jonianë  vijonin të krijonin perla artistike të disa gjinive, të cilat studiuesit dhe kritika i “birësonin” në familjen e socrealizmit, ndonëse ata, vetëm me socrealizmin s’kishin  përqasje.

Poezia Joniane nuk ka poezi entusiazte, të tipit të socrealizmit. Aty mbizotëron poezia e dhimbjes shpirtërore. Kjo jo si antitezë e bukurisë natyrore por si rrjedhim llogjik i origjinës së saj.

Poezia joniane është nga më të lashtat në brigjet tona.

Ajo, ashtu si ullinjtë shekullorë,  me trungun zgërbonjë (hekzametrike), bërë nga shekujt, me gjelbërimin e saj gjithëvjetor, inspiron paqen në brigjet e furtunave.

Në Manifestimet tona poetike, aty ku shekujt flasin nën ndikimin e të shkuarës në Triremën Joniane, Agim Mato hedh spirancën ideore kur thotë se …Emërtimi i këtij manifestimi është një qasje ndaj poezisë antike që është lëvruar dhe deklamuar  midis këtyre brigjeve (fq xxi).

4-Qysh në fillim të studimit autori  të befason me gjetjet reale të egzistencës së Artit Jonian. Namik Resuli në vitet 1940 flet për shkrimtarët e vjetër të jugës …që i kanë gjithmon sytë nga perëndimi … dhe tregon se…ajo që i lidhte me perëndimin këta “jugas” …ishte tek komunikimet gojore apo oratoria e trasmetimit kulturor a ndërkulturor...duke na dhënë në këtë mënyrë fillesat e poezisë joniane te këngët popullore. Ne ende theksojmë se kënga iso-polifonike himarjote (e bregut himarjot) është pjesë e çmuar e poezisë joniane.

Format heksametrike të krijimeve poetike antike,  konkludon autori janë dhe arsyet që pikëtakojnë Artin Jonian të trashëguar gojarisht në forma të ndryshme…ardhur deri në ditët tona.

Autori argumenton se në tërësinë e konceptit të trashëgimisë poetike joniane, mes kulturave që e mbartën atë në ditët tona është edhe thelbi i gjetjes të bazuar shkencërisht…dhe duke cituar Jacques thekson se…tërë bregdeti i Jonit ishte i banuar nga pelazgët dhe se ata kishin stilin e tyre poetikduke dëshmuar në këtë mënyrë se Arti Jonian nuk është …product i importuar. Jo vetëm kaqë, por ajo edhe frymëzon…si fakti që sjell  autori nga Robert D. Denham në studimin e tij “Poezia e herëshme e Charles Ëright”.

Analiza e ndryshimit fonetik është analiza e një karakteristike të Artit Jonian e konstatuar edhe në takimet tona vjetore të Triremës Joniane, por të pazbërthyer deri më sot, analizë që shoqërohet më pas me pasqyrimin e Arkitekturës joniane dhe mjedisit dhe ndikimi I tyre  në krijimtari.

Analiza e Mitit, si pjesë e arkitekturës letrare joniane është një nga pjesët më elegante të këtij studimi ndërsa …muzikaliteti në artin jonian dhe studimi i tij, është vërtet një gjetje  thelbësore në këtë art, gjetje dhe analizë që dëshmon aftësinë vëzhguese dhe konkluduese të autorit. Poezitë Joniane janë lehtësisht të këndueshmë. Ato skanë nevojë …tu vëshë muzikë…, ato e kanë muzikën brenda tyre. Kompozitori mjafton të “afrojë veshin” që të dëgjojë muzikën brenda vargjeve dhe pastaj këtë muzikë të dëgjuar ta hedhë në pentagram.

Hyrja në këtë studim na sjell hapësirën kilometrike mes poezisë…shënon autori, duke evidentuar një nga karakteristikat e këtij arti dhe pikërisht ..hapësirën që ai ka nëpër vargje, qoftë kjo hapësirë qiellore, detare, ëndëre apo mendimi. Hapësirë, ndoshta e trashëguar nga artfolklori jonian nëpër shekuj.

Ndalesa te roli i detit në kulturën njerëzore, gjatë analizës së  librit “Lundrime” të A.Matos e çon autorin, si një Odise modern, nga një zbulim në tjetrin në arqipelagun e Artit Jonian.

…aty ai gjën arsyen pse vargu jonian…thith dhe jep ajër mes lundrimit detar…( sepse vargu jonian nuk është varg static por  në…lundrim).

…deti, në poezinë joniane ka edhe një funksion tjetër. Ajo bashkon dhe ribashkon filozofikisht kulturat (e popujve dhe kohërave të ndryshme).

…gjeografikja rrjedhe e nxehtë në hapërsirën që krijohet si tipologji midis formës dhe strukturës…

Dhe konkluzioni befasues dhe i saktë se…Tek Agim Mato, ashtu si dhe në rastin e poetëve të mëdhenj, talenti ka ardhur nga mirësia e tij, përkujdesja e ndjeshme shpirtërore dhe ndjesia e organizuar në mënyrë të ndjeshme,gjithashtu, luhatëse...

5-Analiza e krijimtarisë së poetëve dhe prozatorëve të ndryshëm të ky libër, është specifike për secilin prej tyre, por e parë në mënyrë të pazgjidhëshme me tërësinë bashkëkohore të krijimtarisë letrare, me klimën letrare të kohës kur u shkrua, të kohës për të cilën shkruan dhe më kryesorja, duke analizuar  burimet  lëndore dhe teorike europiane dhe botrore të cilat  kanë qënë pjesë e “ylberit” krijues të secilit autor.

Shkrimi i këtyre analizave, është si të shoqërosh me shikimin tënd një vale deti, duke e specifikuar atë në morinë e valëve të shkaktuara nga era dhe tjua adresosh pulëbardhave për tu ulur mbi të, duke ju garantuar siguri.

Është si të ndjekësh  një dallgë deti në rrugëtimin  e saj, që nga momenti i krijimit deri në momentin e përplasjes së saj në breg , duke na dhënë kurbën e ulje-ngritjeve të saj, konfiguracionin e krijuar gjatë rrugëtimit,  flurudhën e stërkalave madje  dhe  fuqinë e saj në momentin e përplasjes.

Është si të  ndjesh te një tërmet nënujor, diku në mes të oqeanit dhe të dallosh tek ai  cunamin e frikshëm, që do rafshojë brigjet.

Dhe studiuesi, qoftë valëve, qoftë dallgëve tu tregojë edhe shkëmbinjtë nënujor që do hasin përpara.

Këto shkrime dhe analiza lexuesi i ka lexuar, veç librit, edhe te portali “Fjala e Lirë” dhe unë nuk kam ndërmënd ti riprodhoj. Por ajo që dua të theksoj është fakti se, portreti i secilit krijues  është ravijëzuar me ngjyra të ngrohta, plot dashuri. Si i tillë është jo vetëm mbështetës, por edhe nxitës për krijuesin. Dhe sidomos rekomandues për lexuesin, për vlerat pozitive që ai mbart.

Theksoja faktin, se Fatmir Terziu, analizën e secilit autor e bën në tërësinë bashkëkohore të krijimtarisë letrare. Është si të  pasqyrosh  thellësinë dhe brendësinë e detit në vende të ndryshme. Këtu deti, në thellësi ka shumë korale, aty më tejë ka alga ushqyese. Ja ku janë pinat detare, mbërthyer në shkëmbinjtë nënujore. Këtu deti ka rryma detare, aty ka valëzime të ëmblë, më tejë dallgët ngrihen zemërake duke trëmbur pulëbardhat paqedashëse.

Të gjitha këto analiza, të mara veç e veç, janë pjesë apo valë e dallgë  deti. Por këto janë gjithashtu edhe pjesë të së tërës, të detit, të studimit Terzian për Artin Jonian.


6-Me këtë studim, mund të themi se tani, Arti Jonian ka Manifestin e tij poetik.



Sarandë, më  17 Nëntor 2015

Tuesday 10 November 2015

Mbi tezën homerike…



Mbi  tezën homerike…

                                     Në vënd të një përshëndetjeje,
                                                            për mikun tim Anton Nik Berisha




Leximi i studimit “Mbi rapsoditë e botuara nga De Rada në 1866”, Prishtinë 1983, të  Anton Nik Berisha, është nga ato lexime që të shtin në mendime, si për udhët tematike që shtron, ashtu dhe dyert e dritaret që hap, aqë sa, kur mbyll fletën e fundit të studimit, mediton mbi sa ke lexuar dhe të duket se nuk shtjellon mendimet e tua, por vijon të lexosh edhe më, nëpër ca fletë imagjinare.

Dhe vetiu të lind dëshira, të marësh  penën, dhe meditimet e tua ti bësh pjesë  të këtij studimi. Kjo dëshirë më lindi edhe mua, por mqse studimin e lexova në email dhe jo në librin ku është botuar, mendimet e mia për  tezën homerike që trajtohet mjeshtërisht nga autori, vendosa ti hedh në këtë shkrim, i cili, gjithsesi, nuk është në formatin e një studimi të mirëfilltë.

1-Homeri (Omiros-gr) ka jetuar në shekullin IX p.e.s..Si vendlindje e tij konsiderohet Smirna (Izmiri i sotëm), një qytet koloni greke. Por kjo nuk i pengoi nëntë qytete greke që të pretendonin  më von lavdinë si  vendlindja e Homerit.

 Emri Homer do të thotë “peng”, dmth i marur peng, rob, skllav (ose pasardhës i tyre).

(Unë për vehten time do pëlqeja ta shqipëtarizoja emrin Homer në “I miri”,(sipas A.Kolës), pra ai që këndon mirë, që thotë gjëra të mira).

 Thuhet se këtë emër e kishte  një shoqëri rapsodësh, të cilët kishin si mission të mësonin përmëndësh dhe deklamonin këngë epike. Nuk është vërtetuar në se Homeri ua dha emrin homeridëve apo ka ndodhur anasjelltas. Por ajo që ngjall kureshtje, është fakti se homeridët nuk mireshin ushtarë në luftë, sepse konsideroheshin të dyshimtë, për arsye se në deklamimet e tyre poetike, nuk çfaqej ndonjë urrejtje për kundërshtarin.  

Poemat homerike, Iliada e shkruar në stilin epik dhe Odisea, e shkruar në stilin lirik, flasin për ngarje që kanë ndodhur në shekullin XII p.e.s., respektivisht për luftën e Trojës-Iliada dhe peripecitë e udhëtimin të kthimit për në Itakë të Odisesë. Deri në shekullin e VIII p.e.s  këngët e epeve nuk qenë të shkruara, për arsyen e thjeshtë se nuk egzistonte shkrimi. Për këtë arsye konkludojmë se epet këndoheshin nga bardë popullorë nëpër festa apo obore fisnikësh. Çdo gjë ishte në fatin e kujtesës së këngëtarëve. Por kujtesa njerëzore nuk është statike përgjithmon.

1.a-Për këtë arsye, në shekullin e VIII p.e.s. tirani i Athinës, Hipparku, urdhëroi standartizimin e poemave, duke i bërë në këtë mënyrë  një shërbim  të madh njerëzimit .

1.b-Arsyeja pse u bë standartizimi në këtë shekull ishte e thjeshtë, ky ishte shekulli i fillimit të shkrimit grek dhe s’mund të kishte gjetje më  dinjitoze sesa shkruarja (dhe ruajtja në këtë mënyrë) i këtyre poemave. (Ndoshta vlen të kujtojmë se edhe shtypshkronja Gutenberg zgjodhi për të  botuar Biblën, si librin e saj të parë).

1.c-Po ashtu një arsye jo e vogël ishte edhe fakti se poemat po pësoni “firo” sasiore dhe cilësore, duke kaluar nga një brez  në tjetrin apo nga një këngëtar te tjetri.. “Firot” që pësonin poemat, rapsodët i  “kompesonin” me përsëritje vargjesh nga një këngë në tjetrën, kryesisht aty ku fliste autori për  cilësimet e heronjve të  veprës. Diku kam lexuar një koment për këtë fakt, që  thoshte se….edhe Homerin e mirë, nganjëherë e zë gjumi. Unë dua të besoj se “nuk e ka zënë gjumi Homerin”, por kanë “fjetur” mbi vargjet e tij homeridët, rapsodët.

1.d-Vetë stili epik i Iliadës dhe stili lirik i Odisesë në këto poema madhore lindën edhe hipotezat antiHomer në shekujt e mëvonshëm dhe konkretisht hipotezën se, a-Poemat nuk i ka krijuar Homeri, (por i ka shkruar ndonjë “Homer tjetër” ,  Lefkovitz)..  …(Samuel Butler thotë se…Odiseja është shkruar nga një grua e re nga Siçilia…, mendim të cilin Robert Graves e përpunoi te novela “Vajza e Homerit”.
b-Poemat janë bashkimi i disa krijimeve gojore popullore ( këngët) me tematikë të njëjtë në dy poema të vetme. Madje studiuesit Parry dhe Lord konkludojnë se poemat kanë qënë…formulë e gojdhanave tradicionale…që janë bashkuar nga shkruesit e Hipparkut. Arsyeja është se një njeri i vetëm (qoftë ky edhe një …Homer), në atë shekull, nuk mund të krijonte vepra të tilla gjeniale.

2-Këto teza janë rrahur shumë nga studiues të ndryshëm (madje edhe nga Anton Nik Berisha te studimi, për të cilin flasim) dhe unë s’kam  pse të zgjatem. Por duke qënë se egzistenca  e  dy epeve madhështore greke, Iliada dhe Odisea, ndezi te shumë krijues europianë ambicjen dhe dëshirën, për krijimin ose “gjetjen” e epeve të tilla, të kombeve të tyre, këtu duhet të ndalemi pak.

Duhet të  theksojmë se , siç na dëshmon  Berisha,  edhe vetë De Rada botimin e parë të Rapsodive e kishte me këtë ide, madje duke hedhur edhe tezën  e egzistencës së një poeme të tillë madhështore shqiptare të kohës së Skënderbeut, poemë e cila u shkërmoq me kalimin e viteve në disa dhjetra këngë të veçanta. (Këtë ide e  përmënd edhe Kadare te “Autobiografia e popullit në vargje”).

Këtë ide e bënë të vetën edhe krijues të tjerë arbëresh, madje dhe  u përpoqën të dëshmonin (apo dhe të “sajonin” me botime të tyre) egzistencën e një epi të tillë.(Z.Skiroi, Gavril Dara i Ri).

Në një kohë tjetër, më von, Naim Frashëri do të shkrunate  poemën madhore “Historia e Skënderbeut” me synim që kjo poemë të ishte një “Iliadë shqiptare”. Po kështu edhe Gjergj Fishta me “Lahutën e Malcisë” do pretendonte për  një “Iliadë” të re.

3-Përsa i përket egzistencës së një epi të tillë skënderbejan, të copëzuar apo unik, dëshmitë dhe dokumentat mungojnë. Kjo mungesë nuk e vë  në diskutim faktin që, në kohën e Skënderbeut ka patur poetë dhe rapsodë  që kanë shkruar për fitoret e tij, madje këta, normalisht duhet të kenë qënë afër Skënderbeut, në shërbim civil, ushtarak apo diplomatik të tij, afëri që u ka mundësuar njohjen e hollësishme të veprimeve dhe ngjarjeve. Këta poetë dhe rapsodë e kanë shoqëruar Skënderbeun nëpër beteja, në udhëtimet e tij diplomatike jashtë vendit, në takime me princat arbër etj etj. Këta kanë shkruar dhe kanë kënduar para kryezotit dhe luftëtarëve pas fitoreve. Kjo ka qënë traditë e fisnikërisë europiane dhe s’kishte pse të bënte përjashtim Skënderbeu. Përkundrazi, dëshmitë historike theksojnë interesimin e madh të Skënderbeut për shkrimet dhe historinë e Arbërisë, leximet e shumta që ai bënte si dhe mbështetjen që  u jepte studiuesve dhe krijuesve të kohës.

(Shekuj më von Ali Pasha do mbante në oborin e tij, në funksione të rëndësishme administrative, delvinjotin Haxhi Shehreti, i cili do ishte “hieja” e Ali Pashait dhe do të krijonte poemën madhore “Alipashaida” dhe “Vaje për Aliun”. Prania  e tij pranë vezirit ishte burimi i informacionit të pasur që kanë këto vepra).

Por  ne, nga  Moti i Madh na ka mbritur vetëm “Historia e Skënderbeut” e Marin Barletit, dhe kjo e shkruar pas epopesë skënderbejane. Pra dokumentin me vlerë letraro-historike e kemi, pa çka se është në prozë. Këngët, poezitë dhe poemat e shkruara kanë humbur nën zjarrin e pushtuesit dhe hiri i tyre i shpërndarë nëpër shekuj, na imponon heshtje.

Theksuam më sipër se poetët e rapsodët  arbër kanë shkruar e kënduar për Skënderbeun dhe epopenë e tij vjersha e poema, kanë ngritur këngë e kanë kërcyer valle, por ne kemi shumë pak sot, për këtë kryetrim dhe zulmën e tij.

Mungesa e këngëve të shumta për Skënderbeun në dheun amë, ka vetëm një shpjegim, terrorin pesë shekullor mbi popullin.

Mungesa e ndonjë epi skënderbejan apo ndonjë poeme të gjatë për Skënderbeun te arbëreshët të shtyn në mendime. Arbëreshët, që ishin ajka e fisnikërisë dhe e ushtrisë të kryezotit, ata që ruajtën gjuhën, flamurin, këngët e vallet, veshjet, legjendat e balladat, ku i kanë poemat epike skënderbejane?

-Këngët e botuara nga De Rada dëshmojnë egzistencën e këngëve, por si shpjegohet mos ruajtja e poemave madhore për  Skënderbeun, ndërsa egzistojnë baladat e legjendat poetike kombëtare? Argumentimi se Skënderbeu konsiderohej i pa-fat, që vërtet fitoi betejat me turkun, por jo luftën, sepse Arbëria u pushtua, përsëri nuk qëndron. Qoftë dhe nëpër arshivat familjare do egzistonte diçka e tillë e shkruar, e cila nuk mund të shitej, si armët e tij.

-Egzistenca e ndonjë epi  skënderbejan, vlerat artistike të të cilit mund të mos i rezistonin   kohës, nuk qëndron, sepse sidoqoftë, do egzistonte ndonjë pjesë e tij, e cila do vlerësohej, së paku si document.

-Po kështu, nuk qëndron as argumentimi se në dhe të huaj, nuk u respektuan verbërisht shkallët e hierarkisë shoqërore, sepse ish shërbëtorët e fisnikërisë arbëre, nuk dëshironin të ishin përsëri shërbëtorë. Rapsodët dhe poetët i kushtuan më shumë vëmëndje sigurimit të jetës në vendin e ri se sa argëtimit të fisnikëve arbër. Këngët dhe epet i këndonin më shumë në familjet e tyre. Kjo solli dobësimin e kujtesës artistike.

-Shtoi kësaj faktin që lajmet që vinin nga Arbëri ishin të zymta, pastaj edhe  mossuksesi i Gjon Kastriotit dhe birit të tij, Skënderbeut të Ri, ra si një shi i ftohtë mbi shpresat e ndezura të arbërve. Arsyeja për ti ruajtur këto këngë sa vinte e dobësohej. Por jo deri në atë shkallë sa që të harohej përfundimisht një “pasuri” e tillë. Ata që ruajtën legjendat e Kostandinëve, më me fanatizëm do kishin ruajtur një pasuri të tillë të paçmueshme, si epi skënderbejan. Aqë më tepër familjarët e Kryezotit do ti konsideronin ato si “pasuri e familjes kastriotase” dhe do ti “inventarizonin”.

Po qe se do pranonim këto argumenta për shkërmoqjen e epit skënderbejan, deri gati në zhdukje, atëherë si do argumentojmë faktin që eposi i kreshnikëve vijoi të ruhej dhe madje të prodhonte  ende këngë dhe  vargje fine? Argumentimi se eposi i kreshnikëve i këndonte një  luftë të fituar (ndalja e sllavizimit të Shqipërisë) është një shpjegim jo i plotë.

4-Ndërsa aludohet që poemat homerike janë …bashkim i këngëvë të ndryshme, për epin e Skënderbeut flitet për “shkërmoqjen” e tij në këngë më të shkurtëra.

Le ti shohim pak më gjakftohtë këto fakte:

a-Lufta e Trojës ishte një përleshje e  stërmadhe për kohën kur ndodhi. Vetëm ushtarë grekë ishin mbi njëqintmijë. Fitorja e kësaj lufte nga grekët ishte si të kapnin zenithin e jetës. Shoqëria greke u rrit me hyjnizimin e luftës së Trojës. Gati  në çdo aktivitet zyrtar e shoqëror recitoheshin apo këndoheshin këngë për këtë luftë dhe heronjtë e saj. Të gjithë rapsodët ngrinin e këndonin këngë për luftën e Trojës dhe trimërinë greke, për heronjtë e saj, për vënien në vend të nderit grek të shkelur nga trojanët. Të gjithë politikanët i fillonin fjalimet me lavdinë greke të fituar e të kalitur në Trojë dhe i mbaronin me betimet për heronjtë e rënë aty. Fëmijët mësoheshin të riteshin trima, të luftonin e të fitonin për Greqinë.

Në këtë klimë entusiazmi mbarëpopullor, krahas mijra krijimeve të rapsodëve dhe poetëve minorë, u çfaq Homeri me gjeninë e tij, dhe duke parë me sytë e mëndjes,  filloi të këndojë (krijojë) për mëninë e Akil kordhëtarit,( por dhe për mëninë e Herës dhe Athinasë ndaj Paridit, i cili “Mollën e Bukurisë” ja dha Afërditës dhe jo gruas apo bijës së Zeuzit. Ndaj  e goditën me shigjetën e Erosit  që të rëmbente Helenën e bukur…dhe të derdhej një lumë gjaku… etj etj).

Pastaj, i lodhur nga kënga e luftës, Homeri nisi ti këndojë vuajtjeve dhe peripecive të Odisesë, etj.

Ai kishte dhe privilegjin se kishte ardhur disa shekuj pas kësaj lufte dhe i sodiste me qartësi  distance ngjarjet. Po kështu  ai jetonte e krijonte në një klimë entusiazte,  frymëzuese, poetike. Me një fjalë, ai ecte bashkë me rrymën dhe “ecjen” e tij përpara e ndihmoi edhe rryma tjetër e gojdhanave tradicionale. Shumë vargje të krijuesve anonimë, është normale që të gjënden në këto poema. Por ajo që ka rëndësi është fakti se vargjet e Homerit ishin shumë më artistike se të bardëve të tjerë dhe për pasojë më rezistente ndaj harimit.

Kështu lindën Iliada dhe Odisea.

Këta ishin dy lisat e artit,  nën hijen e të cilëve jetonin grekët. Gjenia e Homerit  shtriu degët e këtyre lisave në gjithë Greqinë, e më tejë.

A ka mundësi që një njeri i vetëm ti krijojë këto vepra madhore, në një jetë njeriu.

Përvoja e mëvonëshme i përgjigjet pozitivisht kësaj pyetjeje, kur kemi të bëjmë me talente. Të njëjtën gjë bëri Eskili dhe tragjikët antikë. Dante Aligeri dhe Virgjili pohojnë mundësinë e krijimit  vigan nga një njeri i vetëm. Po ashtu pohon dhe Shekspiri.

Por çvlerë ka fakti në se këto poema i ka krijuar Homeri, një burrë tjetër që quhej gjithashtu Homer apo homeridët. Rëndësi ka fakti që njerëzimi ka sot në dorë dy perla poetike, shkëlqimi i të cilave është maramendës. Rëndësi ka Iliada dhe Odisea.

b- Në lidhje me epin skënderbejan ( të supozuar dhe pse jo, të dëshiruar prej nesh) duhet të pranojmë se poetët dhe rapsodët arbër kanë krijuar dhe kënduar për Skënderbeun, zulmën e tij dhe bashkëluftëtarët e tij vetëm vepra artistike të shkurtëra, këngë që këndoheshin me çifteli apo lahutë mbrëmjeve, apo me grupe iso-polifonike pas betejave. Kjo ka argumentimin e thjeshtë se, poetët dhe rapsodët ishin edhe luftëtarë të ushtrisë së Skënderbeut, dhe në këtë mënyrë, nuk kishin kohën për të qëndruar duke medituar e krijuar vepra të gjata. Ata ishin, në radhë të parë luftëtarë të ushtrisë të Skënderbeut dhe kishin n jë detyrë luftarake për të kryer. Ndër ata mijra heronj të   betejave skënderbejane, me qindra do kenë qënë dhe poetët e rapsodët e rënë në luftë.

Kështu pra, si krijime të këtyre qindra poetëve e rapsodëve për Skënderbeun dhe luftën e tij, kemi me qindra apo mijra krijime të shkurtëra (nqse të shkurtëra do kuptojmë  krijimet  si   këngën “Skënderbeu dhe Ballabani” apo “Skënderbeu dhe vdekja”).


c-Pyjet nuk kanë vetëm lisa, madje nëpër bjeshkë lisat mungojnë. Por nuk mungojnë asnjëherë lulet dhe filizat e pemëve, që në një stinë të mbarë, mund të rriten e të bëhen lisa.

Vetkuptohet në qoftë se nuk i djeg zjarri apo ti presë ndonjë druvar.

ç-Që në letrat shqipe të çfaqej ndonjë Homer më von, gjasat ishin të pakta. Shqipëria ishte e përfshirë nga hakmarja turke. Vrasje, zjarre, rrëmbime, përdhunime- këto afronte tabloja e përditëshme e jetës shqiptare në pesë shekuj. Dhe në këto kushte, askush nuk mund të ulej e të krijonte poemë epike për një luftë që...nuk u fitua përfundimisht.

Po kështu edhe arbëreshët nuk e kishin atë klimë poetike të krijimit, sepse ata ikën…të mundur, duke lënë  pas vendin, në flakë e zjarr dhe duke filluar të krijonin një…Arbëri të re, në dhe të huaj…

5- Unë mendoj se ne s’kemi pse kërkojmë ( e ca më pak të sajojmë) ndonjë ep skënderbejan në vargje.

Epopeja skënderbejane u shkrua ndryshe, ashtu siç e kërkonte koha, me shpatë. Bota e ka lexuar ashtu siç është shkruar, Shqipëria nuk e la qenin turk …të rrëmbente …Europën e bukur, dhe për këtë u vetësakrifikua për njëzetëepesë vjet rresht. (Disa nga ne kanë nevojë ta lexojnë drejt historinë).

Qëndresa e mëvonëshme e popullit shqiptar me… treqint kryengritje në katërqint vjet…është më vete, një epope e pashëmbullt në historinë europiane.

Ne vërtet s’kemi patur ndonjë Homer, por  ne kemi patur me mijëra “homeridë, madje këta ishin edhe luftëtarë, madje edhe prijësa, sepse ishin shumë të besueshëm nga bashkëluftëtarët e tyre, si bij besnikë të atdheut.


Sarandë, më 09 Nëntor 2015.