Saturday 17 February 2018

Nuk e çon vetullën Idriz Seferi



Nuk e çon vetullën Idriz Seferi.

…ose... një letër për Sabit Rustemin*.

Nga Timo Mërkuri


Drejt e pate o Sabit Rustemi kur i pëshpërite Idriz Seferit të bronxtë …çoje pak atë vetull përpjetë/ le t’ tremen retë/ e dridhe një trohë/sall nji trohë mustaqen…, drejt e ke. Se nuk  bën që aty në mes të Gjilanit, në atë ditë të skuqur flamujsh të 28 Nëntorit, duke ecur mes luleve e kurorave,  Idriz Seferi i bronxtë të shkonte vetullngrysur  për tu ngjitur në piedestal. Dhe ca më tepër të qëndronte aty me atë vetull të ulur  mbi sy sikur  kqyrte  me dhimbje diçka a dikë. ..Sikur të qe e martë, mortja e martë … Si dita kur  mbetëm pa Shkup … Normalisht në këtë ditë Idriz Seferi duhej të dridhte  mustaqen me një farë krenarie duke parë tejë horizonteve, mbi maja malesh dhe jo ta mbante dorën te naganti, gati për ta nxjerrë nga brezi e për ta shkrepur. Sepse ishit në shesh të Gjilanit ku brohoriste një popull i tërë dhe jo në  grykën e Kaçanikut ku shkrepnin dhjetëmijë dyfeqet e Shefqet Dërgut Pashës  mbi Idriz Seferin me dymijë e pesëqint male.

Drejt e pate kur i the…Jo nji shesh/por krejt Gjilani i joti asht/ e shqiptaria…se ti na bane me emër/na bane me shpi/edhe mbas njëqint e sa vjete…Kush fole shqip t’qohet n’kamë/ Se ti je themeli i saj…Vërtet drejt e pate. E mua, kur të dëgjova  ti thoshje …Se ti je themeli i saj, i Shqipnisë,  mu kujtua ai nëntor i largët i 1912 kur Idriz Seferi i thoshte Isa Boletinit…Nisu Isë drejt e në Vlorë te Ismail Qemali, të bëni Shqipërinë për ne e për fëmijët tanë. Ti je më i ri se unë, ndaj nisu shpejt. Unë po mbroj Kosovën nga Sërbi, unë po ju mbroj edhe ju prej këtu.

Vërtet o Sabit nuk ishte Idriz Seferi në Vlorë të hidhte një firmë, por po mos të ishte Idriz Seferi në këmbë, nuk do firmosej dot në Vlorë. Prandaj drejt e ke kur i thua se na bëri me shpi e me Shqipëri.

Drejt e pate o Sabit Rustemi, por a e di? Idriz Seferi aty në shesh të Gjilanit nuk u ndje rehat. Jo nga turma popullore që s’ndalte brohoritjet, duke thirur emrin e tij.

 Nuk e hutuan as fjalimet e politikanëve (sa  të stërgjatura që qenë ato. S’ditkan  të flasin shkurt këta burrat e sotëm).

Shihe pak me vëmëndje o Sabit Rustemi, shihe  Idriz Seferin. Me atë vetull të ulur  mbi sy, ai nuk po sheh sheshin e Gjilanit por po sheh diku më larg. Sheh  tejë në Prishtinë ku  pa një tym e dëgjoi sherre e britma. Kujtoi se nisi lufta ndaj e shtrëngoi nagantin fort sa ju bronxua dora përmbi të. E ku ta dinte se ai qe Parlamenti i Kosovës ku deputetët shqiptarë  hidhnin kundër shqiptarëve gaz lotsjellës, duke lotuar gjithë  shqiptarët shpi më shpi. Ai nuk e kuptonte pse bënin kaqë shumë shamatë. A thua nuk kuptonin shqip, ndonëse shqipen e flisnin bukur fort.  S’ka faj Idriz Seferi o Sabit se ai është mësuar të drejtonte kuvende burrash si  i Ferizajt më 5 Korrik 1908, ku të tridhjetë mijë pjesmarësit dëgjonin me frymë të ngrirë fjalën e tij. Madje dhe  era u ndal  e s’guxonte me shkue atyre shtigjeve.

Ai është mësuar të drejtonte beteja, ku as vdekja nuk i ndalte bijtë e Kosovës, kur thërriste Idriz Seferi  sulm për liri.

I hodhi sytë e pa në Tiranë, më mirë mos të kishte parë e dëgjuar. Tym e turp në Parlament. Burra që shanin nga gratë e gra që qeshnin si burra të dehur, me fjalë turpi.

Pa më thuaj o Sabit Rustemi, pse ta çojë atë vetull Idriz Seferi? Përse ti qeshet syri e ç’farë të shohë me krenari? A mos vallë të shohë atë birbon që hoqi flamurin kombëtar nga sheshi i Prishtinës, që e hoqi zvarrë si një reckë të vjetër e të ndotur ? Por a e di ai pis burrë që për atë flamur Idriz Seferi dhe trimat e tij kaluan jetën me nagant në dorë e me syrin në thep të pushkës. A do ja thotë ndokush atij që dha urdhërin se, ai flamur është i kuq jo nga boja por nga gjaku i derdhur mbi të e për të i bijve të këtij kombi.

Dhe ajo shqiponja nuk është një zog koti, por është shpirti ynë i ngjitur në flamur.

Ndaj  këndojmë...Shqipëria shkëmb e gur/ (Ësht’) vrarë e prerë për flamur/ Hasmët hiq e neve vur.

Prandaj o Sabit Rustem miku shko dhe njëherë sot në shesh të Gjilanit e shihe prapë Idriz Seferin. Po nuk ka plasur  në njëmijë copa bronxi i tij nga marazi, të siguroj unë që sytë i ka të përlotur.
(Me sy të përlotur i shkruaj dhe unë këto radhë. Dhe  nuk i çoj dot vetullat  të shoh kënd në sy).

Ndaj nisu turravrap e ngrije atë flamur nga toka   miku im (nuk është bërë pis, jo) dhe me ‘të, së pari fshiji sytë e përlotur Idriz Seferit.

Atëherë do shohësh si do ta çojë atë vetull, do ti ndrijnë sytë e do të kqyrë me dashuri.


Sarandë, më 16 Shkurt 2018


*-Për poezinë e tij “Çoje pak atë vetull Idriz Seferi” publikuar në 28 Nëntor 2017

Wednesday 14 February 2018

Poezia e dhimbje-dashurisë



Poezia e dhimbje-dashurisë

Përsiatje rreth vëllimit të zgjedhur poetik “Anatomia e lotit” e Timo Mërkurit


Nga Millianov Kallupi


Që në krye të herës e themi pa mëdyshje se Timo Mërkuri i përket racës së epërme të poetëve. E për më tepër vlera e tij rritet kur mbahet parasysh fakti që vëllimin e parë poetik “Bulevardi i dhimbjes” e ka botuar para tetë vjetësh më 2001, i cili më von është pasuar nga “Loti i detit” 2003 dhe “Klithma e pulëbardhës” 2004. Dhe sot ai syzohet me lexuesin me një dinjitet të spikatur poetik  me vëllimin e tij të përzgjedhur “Anatomia e lotit” ku përfshihen poezitë më të vyera nga të tre vëllimet e mëparëshme dhe një cikël i shkruar në vitet 2007-2008.

Ka një arsye të qënësishme që këto shënime për krijimtarinë e poetit të talentuar sarandjot Timo Mërkuri e nisa ..” i përket racës së epërme të poetëve”.

Prurjet në poezi, sin ë të gjitha zhanret e artit dhe të letërsisë sot janë të bollshme dhe të çuditëshme. Koha e demokracisë i ka hapur dy kanatash dyert e krijiomtarisë për cilindo: edhe për fëmijët edhe për të rinjtë, edhe për të rriturit edhe për veteranët, edhe për poetët e mirëfilltë dhe të vërtetë, edhe për poetët mediokër e infantilë. Pra lumi i prurjeve është shumë i madh sepse dhe koha është mjaftë bujare dhe shpirtgjërë.Por kjo kohë, siç ka të mirat ka dhe të këqijat e saj, se lumi nuk bën selektimet, ndarjet, diferencimet.Ai mer me vete ç’gjen përpara.

Tjetër. Në këtë kohë kur kritika është inekzistente dhe në çdo ças lulëzojnë “analistë” miqësorë e klanorë është tepër e vështirë të zbulohet ari i vlerave të njëmëndëta artistike dhe estetike. Poetët e vërtetë, me P të madhe, siç thoshte Lasgushi i famshëm, rrinë të fshehur nën një mantel apo mjegull të dëndur antivlerash. Bukuria e tyre është e padukëshme, është misterioze si manushaqet apo karakaftet, që mezi shquhen nën gurë e nën fera, porn ë fund të fundit lulojnë dhe egzistojnë.

Egziston kështu edhe poezia e Timo Mërkurit me finesën, bukurinë, hirësinë dhe qytetarinë e theksuar të saj. Një poezi e ngadhnjimit moral dhe afirmimit të shprehjes dhe mendimit të lirë.  Një poezi sintetike, aspak declarative apo hermetike. Një poezi e dhimbjes dhe e gëzimit, e klithjes dhe e heshtjes, e lotit dhe e buzëqeshjes. Një poezi që, sa ndjehet fryma e këngëve polifonike popullore po aq i pranishëm është edhe mendimi filozofik. Një poezi e fjalës së qëmtuar me kujdes dhe i kultivimit të saj nga një kopështar i mirë. Një poezi e antitezave të fuqishme, e gjetjeve dhe metaforave origjinale e përndritëse..Dhe së fundi, një poezi e simbiozës harmonike midis ndjenjës dhe mendimit, drithërimit  dhe emocionit.

Për çfarë thashë më lart vetiu dilet në përfundimin e një boshti logjik se Timoja e ka formësuar personalitetin dhe individualitetin e tij krijues, natyrisht si një poet me prirje
dhe synime specifike. Poezia e tij shquhet për një guxim qytetar, për shpalim dhe demitizim të realitetit të shtrëmbëruar, për lartësim të lirisë dhe vullnetit njerëzor, për ç’mistifikim të fshehtësive të shumta, për zhveshje nga  oportuniteti dhe konformizmi. Me një fjalë ky poet e sheh botën që e rethon në mënyrë shumë reale dhe konkrete, jashtë çdo euforie e romantizmi. Moderniteti i poezisë së Mërkurit e ka zanafillën tek studimet dhe  vëzhgimet e holla, tek shprehja e botës së tij të brendëshme, në bazë të ndijimit dhe përjetimit të dukurive jetësore, natyrore e njerëzore. Nga kjo më së miri mund të kuptohet fakti se poeti duhet të respektojë vetëm vullnetin e tij, pra të poetizojë ashtu siç e dirigjojnë bindjet dhe botkuptimet e tij, pa pranuar asnjë nënshtrim apo përulje, sepse ato të fundit janë vetëvrasje për krijuesin. Kjo do të thotë se mbi të gjitha qëndron individualiteti i krijuesit, mëvetësia e tij shprehëse, imagjinata, intuita, forca perceptuese etj.

Duke marë shkas krijimtarinë poetike të Timos arrij në gjykimin se poetët e aftë gjithnjë e kanë  ruajtur unin e tyre dhe nuk kanë lejuar të nëpërkëmben nga faktorë të jashtëm. Për këtë arsye ka ardhur koha që ata të studiohen e të vlerësohen objektivisht, me mature, qetësi e gjakftohtësi me qëllim që secili të gjejë vendin e vetë të merituar në bashkësinë e komunitetit të krijuesve, të cilët mbrujnë letërsinë bashkëkohore shqiptare.

Në kontekstin e vështrimit konkret të poezisë së Timo Mërkurit ndeshemi në disa veçori. Ura e poezisë së tij mbështetet në tre plinta të fuqishme që e bëjnë atë të qëndrueshme dhe të rezistueshme për kohën e sotme, madje dhe të nesërme; Lotët e dhimbjes, klithjet e shpirtit dhe dashuritë e paskaj të zemrës. Një nga këto hallka të mungojë ose të çalojë në tërësinë e tyre, prishet cilësia, humbet konfiguracioni i unit poetik, i qënësisë dhe i mbruatjes së tij.

Ai e ka ndjerë gjer në të fundit qelizë dridhërimin, pikëllimin dhe trishtimin e një kohe perverse e të shëmtuar, e një kohe që ligjin e bënte plumbi dhe krimi. Viti 1997 hyri në jetën e poetit dhe ngjizi në të një dramë e tragjedi të pashoqe, me pasoja katastrofike e fatale. Ajo kohë, siç mori jetë njerëzish  e të rinjsh të pafajshëm, shqiti dhe një copëz të dashur të shpirtit të tij, Tono Mërkurin. Nuk mund të rinte mënjanë e indifferent poeti kur ai vit hyri në shtëpitë e shqiptarëve si një zezonë që mbartte një mal me dhimbje e dëshpërim Aq dhimbje krijoi ai vit sa:” mu kërrusën supet nga pasha e arkivoleve/M’u thinjën flokët brenda një dite nga lemeria që më panë sytë/Kështu eci drejt Golgothës së jetës/ duke mbajtur peshën e këtij viti/si një kryq mbi shpinë”.

Nuk është e vetmja poezi që bën fjalë për këtë vit të mbrapshtë, për këtë situatë mortore. Poeti i brengosur pohon me të keq se “s’ka më vend në varreza/për djemtë e porsa vrarë u prish murri rrethues/ u prenë bungovilet, agaviet, limoni që kuvendonte me detin…” Dhe në fund të poezisë poeti me të drejtë pyet: “Pse mos ti bëjmë varrezat në mes të qytetit/Çndryshim kanë të vdekurit prej nesh?/Të vrarë ata, të vdekur dhe ne”. Në këtë gjëndje shpirtërore të rënduar poeti jep një situatë të kobëshme, të paprespektivë.

Për këtë kohë (që mos ardhtë kurrë) poeti me ndjeshmërinë e tij radhit në të tre vëllimet motive të ndryshme, por që kanë një linjë, një temë, një fytyrë. Kështu te “Bulevardi i dhimbjes” …”dhimbja ka një emër fëmije/dhe vdekja ka emrin shtet”, te “Përkujtimoret” shprehet se…”këtej kaloi vdekja/ndalohet gëzimi”, te “Pranvera nuk erdhi” poeti konstaton me dëshpërim se “lulet rinë të tulatura mos i bëjnë kurora mortore/ e zogjtë heshtin/vetëm prilli/borë hedh mbi flokët e nënave/ ulur në prag të vetmisë/me sytë nga deti…” etj etj. shëmbuj.

Por shpirti i poetit jo vetëm ndjen lëndim e dhimbje por edhe klith. Klith për kohën dhe për ata që i japin emrin kohës. Klith për refugjatin e mbytur në det, për djemtë që s’erdhën dhe sot nga kurbeti, sa “nga lotët e derdhur është hidhëruar deti”. Klith që dhe këtë vjeshtë, fushave të Vurgut plugu s’ra. Klith për fshatin e refugjatëve ku “Tani këngët lindin si fëmijë të vdekur/dhe për më keq akoma nuk ka kush ti varros”. Klith për vajzën që punon në Milano….dhe shtëpia e bukur e ngritur në qytet i ka dritaret të vogla, si sy të ulur nga turpi.

Përgjatë këtij tuneli të errët poeti sërish me mundim e kërkon dhe e gjen dritën në fund të tij. Dhe drita s’është gjë tjetër veçse dashuria e madhe që ai ndjen për jetën, për qytetin, për bashkëqytetarët, për të afërmit e tij të shtrenjtë Nitën, Tonon, Polinën e vogël, mëmë Kaninë, Minen, Babin, Zhulin, Kolë Mërkurin, hallë Sofinë, për poetët N.K e K.M., për dashurinë e vërtetë, për ullinjtë, për detin, për historinë traditën e trollin.

Edhe dhimbja e klithja e poetit nuk qëndrojnë të veçuara në qiell por bashkëpunojnë e flasin gjithnjë e vazhdimisht në emër të dashurisë dhe aim bi ungjillin e fjalës “vdekje” shpall botërisht vetëm ungjillin e dashurisë.

Ja pse vëllimi dinjitoz e i mrekullueshëm “Anatomia e lotit” i poetit Timo Mërkuri, shtypur me aq kulturë dhe me një paraqitje grafike të admirueshme nga shtëpia botuese “Neraida” me botues zotin Jani Malo, jo vetëm e pasuron, por dhe e nderon biblotekën e lexuesit. Lulet e poezive të tij do mbeten në mëndjet dhe në duart tona përherë të bukura e të freskëta.


Botuar te Gazeta “Ndryshe” më 12 Dhjetor 2008

Vargje malli, këngë e bejte pilurjote



Vargje malli, këngë vaji e bejte nga Piluri

Timo Mërkuri, mbledhësi i “nektarit” të folkut pilurjot boton librin “…iso more djema”.

Nga  Bardhyl Bejko
        Thoma Nika

Porti popullor dhe mbledhësi i apasionuar i “nektarit” të këngës pilurjote Timo Mërkuri më së fundi ka botuar librin ”…iso more djema” që është përmbledhja e tretë me këngë të mbledhura në popull, që ai i hedh në qarkullim. Libri “…iso more djema” i autorit Timo Mërkuri përmban rreth 122 poezi, këngë vaji dhe bejte pilurjote. Sipas autorit, libri i kushtohet babait të tij Manol Mërkuri dhe figurave të ndryshme historike të këtij fshati.

Një vend të rëndësishëm në librin “…iso more djema”i është lënë edhe karakteristikave të natyrës dhe banorëve të  zonës së Bregut, në trajtën e një studimi dhe replike lidhur me gojdhënat për origjinën dhe etimologjinë e Pilurit, të kryer nga autori dhe të vendosur në vend të parathënies. Ky është libri i tretë i autorit Timo Mërkuri me këngë të mbledhura nga vendi i origjinës së tij, dy botimet e mëparëshme të tij janë: “Gjerdani i këputur” dhe “Te lisat në Shënkoll” botuar të dy në vitin 2005.

Prej qytetit të Sarandës ku banon dhe deri në Pilur, nga ka origjinën autori Timo Mërkuri tashmë kanë nisur ta nderojnë edhe për këtë punë të veçantë, të lodhëshme dhe pasiona-nte që ai ka bërë për mbledhjen dhe botimin e pasurisë folklorike të vend-origjinës. Janë brilantet e shkruara të folkut pilurjot që Timo në këto tre vëllime i paraqet lexuesit si një antologji e mirfilltë. Gjithsesi atij i duket ende e paplotë se qëmtimi nën kujdesin dhe shërbimin që ai i bën krijimtarisë gojore e shpirtërore të fshatit të vet nuk ndalet  këtu. Se nuk mbaron këtu “ujët” e kësaj gurre por as pasioni i Timos për mbledhjen e “nektarit” të këngëve, vajeve e bejteve  të Pilurit. Mjaftë prej tyre, për brezin e tretë dhe të dytë janë si kreshta të historisë kombëtare, të lartuara në strofa këngësh  apo poezi, që kanë tingëlli-mën e muzikës. Vetëm kur sheh në tre librat me përmbledhje folklorike të botuara me nismën poetike njëherësh dhe patriotike të Timo Mërkurit mer vesh se “vendlindja” e këtyre mrekullive është Piluri.

Është e habitëshme se si një fshat me imazhe malesh dhe njerëzish të sertë të ketë pjesë të jetës së vetë shumëshekullore perla të tilla të folklorit dhe të polifonisë. Në atë trevë kënga polifonike të shoqëron në lindje, në dasma por çuditërisht edhe në morte, teksa përcjell të dashurit për në banesën e fundit.

“ E mira dhe e bukura qëndrojnë pranë si gishtat e dorës dhe unë jetën e mar ashtu siç vjen, me të mirat dhe të këqiat e veta. Mundohem ta zbukuroj me gjerdanin e fjalës kur thur poezi, por jam rigoroz në grumbullimin e këngë-perlave të vendlidjes, për të respektuar autenticitetin dhe origjinalitetin” shprehet Timo. Qysh ku kam qënë fëmijë, vazhdon ai, kam mësuar këngët e para që më këndonte gjyshja dhe nëna ime në vite. Shumë këngë i mësova në moshë fëminore. Këngët më të shumta e më të mira janë ato të pashkruarat, ato që janë kënduar brez pas brezi që nga kohët më të vjetra deri në ditët tona. Një det këngësh gjënden në gojdhëna, si diamantet e rralla nëpër sënduqe. Ata që i krijuan, kënduan dhe na i rrëfyen tani po rrallohen një nga një dhe këngët do haroheshin bashkë me ta, ndaj unë vendosa t’i mbledh” tregon autori.

Plak pas plaku e këngë pas kënge ai ariti të mbledhë me qindra vargje që nuk kanë nevojë për ti përpunuar e latuar. Këngët tona thotë ai janë si mjalti që nuk ka vetëm ëmbëlsinë por edhe aromën, edhe ngjyrën , edhe shijen. Nuk ka si këngët polifonike e aq më tepër këngët e Pilurit që janë margaritar që ndrin e rezaton.

Këngët e botuara në libër  kanë të shënuar edhe autorin edhe personin që i dha për botim, fakt i cili të krijon bindjen dhe besimin në origjinalitetin e tyre. Po ashtu edhe këngët e krijuara gjatë shekullit të kaluar kanë të shënuar autorin e tyre, fakt që shpesh krijon befasi. “E kujt ja merte mëndja që këngën “Në Paris u mblodh UNO-ja” e ka ngritur Milo Qurku, ky plak i pakët nga shtati dhe i lodhur nga jeta. Askush nuk e dinte se këngën “Abdyl prishe pasurinë” e ka ngritur Kostë Gërdhuqi.Po ky ka ngritur edhe këngën për Ismail Qemalin që thotë” O shokë më mori malli/Çu bë Ismail Qemali/Në Berlin brenda te Krajli/Sokëllin si sorkadh mali” etj etj shprehet autori. Këngët e famëshme të Luftës së Lëkurësit në Sarandë I ka ngritur pjesmarësi në këto luftime Kostë Gjikëdhima. Mbi të gjitha ai vlerëson bejtet e Marë Priftes e cila kishte aftësinë e paaritëshme të të ngrinte në cast këngën.Madje thonë se kjo grua e vuajtur dhe e përnddjekur politikisht nga regjimi monist nuk dinte të bisedonte ndryshe, veçse me bejte.

Libra të tjerë të autorit janë ato të titulluara “Bulevardi i dhimbjes”, “Loti i detit” dhe “Klithma e pulëbardhës”.


Gazeta “Iso-polifonia”  Janar 2006.