Saturday 17 February 2018

Nuk e çon vetullën Idriz Seferi



Nuk e çon vetullën Idriz Seferi.

…ose... një letër për Sabit Rustemin*.

Nga Timo Mërkuri


Drejt e pate o Sabit Rustemi kur i pëshpërite Idriz Seferit të bronxtë …çoje pak atë vetull përpjetë/ le t’ tremen retë/ e dridhe një trohë/sall nji trohë mustaqen…, drejt e ke. Se nuk  bën që aty në mes të Gjilanit, në atë ditë të skuqur flamujsh të 28 Nëntorit, duke ecur mes luleve e kurorave,  Idriz Seferi i bronxtë të shkonte vetullngrysur  për tu ngjitur në piedestal. Dhe ca më tepër të qëndronte aty me atë vetull të ulur  mbi sy sikur  kqyrte  me dhimbje diçka a dikë. ..Sikur të qe e martë, mortja e martë … Si dita kur  mbetëm pa Shkup … Normalisht në këtë ditë Idriz Seferi duhej të dridhte  mustaqen me një farë krenarie duke parë tejë horizonteve, mbi maja malesh dhe jo ta mbante dorën te naganti, gati për ta nxjerrë nga brezi e për ta shkrepur. Sepse ishit në shesh të Gjilanit ku brohoriste një popull i tërë dhe jo në  grykën e Kaçanikut ku shkrepnin dhjetëmijë dyfeqet e Shefqet Dërgut Pashës  mbi Idriz Seferin me dymijë e pesëqint male.

Drejt e pate kur i the…Jo nji shesh/por krejt Gjilani i joti asht/ e shqiptaria…se ti na bane me emër/na bane me shpi/edhe mbas njëqint e sa vjete…Kush fole shqip t’qohet n’kamë/ Se ti je themeli i saj…Vërtet drejt e pate. E mua, kur të dëgjova  ti thoshje …Se ti je themeli i saj, i Shqipnisë,  mu kujtua ai nëntor i largët i 1912 kur Idriz Seferi i thoshte Isa Boletinit…Nisu Isë drejt e në Vlorë te Ismail Qemali, të bëni Shqipërinë për ne e për fëmijët tanë. Ti je më i ri se unë, ndaj nisu shpejt. Unë po mbroj Kosovën nga Sërbi, unë po ju mbroj edhe ju prej këtu.

Vërtet o Sabit nuk ishte Idriz Seferi në Vlorë të hidhte një firmë, por po mos të ishte Idriz Seferi në këmbë, nuk do firmosej dot në Vlorë. Prandaj drejt e ke kur i thua se na bëri me shpi e me Shqipëri.

Drejt e pate o Sabit Rustemi, por a e di? Idriz Seferi aty në shesh të Gjilanit nuk u ndje rehat. Jo nga turma popullore që s’ndalte brohoritjet, duke thirur emrin e tij.

 Nuk e hutuan as fjalimet e politikanëve (sa  të stërgjatura që qenë ato. S’ditkan  të flasin shkurt këta burrat e sotëm).

Shihe pak me vëmëndje o Sabit Rustemi, shihe  Idriz Seferin. Me atë vetull të ulur  mbi sy, ai nuk po sheh sheshin e Gjilanit por po sheh diku më larg. Sheh  tejë në Prishtinë ku  pa një tym e dëgjoi sherre e britma. Kujtoi se nisi lufta ndaj e shtrëngoi nagantin fort sa ju bronxua dora përmbi të. E ku ta dinte se ai qe Parlamenti i Kosovës ku deputetët shqiptarë  hidhnin kundër shqiptarëve gaz lotsjellës, duke lotuar gjithë  shqiptarët shpi më shpi. Ai nuk e kuptonte pse bënin kaqë shumë shamatë. A thua nuk kuptonin shqip, ndonëse shqipen e flisnin bukur fort.  S’ka faj Idriz Seferi o Sabit se ai është mësuar të drejtonte kuvende burrash si  i Ferizajt më 5 Korrik 1908, ku të tridhjetë mijë pjesmarësit dëgjonin me frymë të ngrirë fjalën e tij. Madje dhe  era u ndal  e s’guxonte me shkue atyre shtigjeve.

Ai është mësuar të drejtonte beteja, ku as vdekja nuk i ndalte bijtë e Kosovës, kur thërriste Idriz Seferi  sulm për liri.

I hodhi sytë e pa në Tiranë, më mirë mos të kishte parë e dëgjuar. Tym e turp në Parlament. Burra që shanin nga gratë e gra që qeshnin si burra të dehur, me fjalë turpi.

Pa më thuaj o Sabit Rustemi, pse ta çojë atë vetull Idriz Seferi? Përse ti qeshet syri e ç’farë të shohë me krenari? A mos vallë të shohë atë birbon që hoqi flamurin kombëtar nga sheshi i Prishtinës, që e hoqi zvarrë si një reckë të vjetër e të ndotur ? Por a e di ai pis burrë që për atë flamur Idriz Seferi dhe trimat e tij kaluan jetën me nagant në dorë e me syrin në thep të pushkës. A do ja thotë ndokush atij që dha urdhërin se, ai flamur është i kuq jo nga boja por nga gjaku i derdhur mbi të e për të i bijve të këtij kombi.

Dhe ajo shqiponja nuk është një zog koti, por është shpirti ynë i ngjitur në flamur.

Ndaj  këndojmë...Shqipëria shkëmb e gur/ (Ësht’) vrarë e prerë për flamur/ Hasmët hiq e neve vur.

Prandaj o Sabit Rustem miku shko dhe njëherë sot në shesh të Gjilanit e shihe prapë Idriz Seferin. Po nuk ka plasur  në njëmijë copa bronxi i tij nga marazi, të siguroj unë që sytë i ka të përlotur.
(Me sy të përlotur i shkruaj dhe unë këto radhë. Dhe  nuk i çoj dot vetullat  të shoh kënd në sy).

Ndaj nisu turravrap e ngrije atë flamur nga toka   miku im (nuk është bërë pis, jo) dhe me ‘të, së pari fshiji sytë e përlotur Idriz Seferit.

Atëherë do shohësh si do ta çojë atë vetull, do ti ndrijnë sytë e do të kqyrë me dashuri.


Sarandë, më 16 Shkurt 2018


*-Për poezinë e tij “Çoje pak atë vetull Idriz Seferi” publikuar në 28 Nëntor 2017

1 comment:

  1. Nuk mund ta besoja se do të ribashkohesha ndonjëherë me ish të dashurin tim, isha aq i traumatizuar duke qëndruar vetëm pa një trup që të më qëndronte pranë dhe të ishte me mua, por isha aq me fat që një ditë takova këtë magjistar të Dr. Ediomo, pasi i tregova per gjendjen time ai beri cdo gje qe ishte e mundur qe te shihte te dashurin tim te kthehej tek une, ne fakt pasi beri magji ish i dashuri im u kthye tek une me pak se 48 ore, ish i dashuri im u kthye duke me lutur qe nuk do te rikthehej kurre. me ler perseri, 3 muaj me pas u fejuam dhe u martuam, nese edhe ti ke te njejten situate. Ai është shumë i fuqishëm në punët e tij;
    * magji dashurie
    * magjitë e tërheqjes
    * nëse doni që ish-i juaj të kthehet
    * Ndaloni divorcin
    *thyej obsesionet
    * shëron goditjet në tru dhe të gjitha sëmundjet
    * magji mbrojtëse
    *infertiliteti dhe problemet e shtatzënisë
    * magji llotarie
    * magji me fat
    Kontaktoni Dr Ediomo në emailin e tij: drediomo77@gmail.com
    faleminderit shume zoteri qe ma ktheve ish te dashurin tim emailin e tij: drediomo77@gmail.com ose telefono/whatsapp:+2349132180420
    +2348155926512

    ReplyDelete